Home » Lajme, Vendore » „Blic”-i në aksion!

„Blic”-i në aksion!

Bujanoci Flamujt-BliciGazeta e përditshme beogradase „Blic”, është hedhur në aksion kundër Flamurit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, i cili sipas kësaj gazete gjatë festës nacionale është vendosur pa leje në ndërtesën e Këshillit Kombëtar dhe godinat e pushteteve lokale në Bujanoc dhe Preshevë dhe i njëjti, akoma, vazhdon të valojë.

Siç raporton „Blic”-i “shqiptarët janë i vetmi komunitet minoritar në Serbi, Këshilli i Kombëtar i të cilëve nuk e ka flamurin e vet, por në vend të kësaj, kundërligjshëm përdorin flamurin e Shqipërisë”.

Gjithashtu „Blic”-i ka hetuar se “Tensionime të tilla në jug të Serbisë paraqiten sa herë afrohet festa e Flamurit Kombëtar, më 28 Nëntor” dhe paralajmëron se policia ka bërë raport për këtë rast, të cilin e ka dërguar në Zyrën e Prokurorit të Lartë në Vranjë, i cili duhet të vendos nëse ka elemente për ngritjen e padive.

„Blic”-it i ka rënë në sy se gjatë manifestimit të Ditës së Flamurit dhe ngritjes së tij solemne, përveç një numrit të vogël të qytetarëve, nuk kanë marrë pjesë deputetët popullorë: Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.

Këto fizkultura mediatik vetëm „Blic”-i di t’i bëjë, ashtu siç ka ditur të ngreh pluhur me zbulimet senzacionale të „parajsës’ së drogës në Tërnoc, „hajnisë” së rrymës nga shqiptarët dhe shumë afera të tjera propagandistike.

Për ta demantuar „Blic”-in, nga këto margaritar të imagjinuar, po përmendim shkrimin e portalit „Titull”-i, i cili një ditë pas përfundimit të manifestimit për Ditën e Flamurit, shkroi:” U vendos për festën e 28 Nëntorit,  me brohoritje e duartrokitje të publikut për të qëndruar vetëm disa orë në ndërtesat e institucioneve lokale. Godina e administratës komunale të Bujanocit sot mbeti pa flamur, u vendos me shumë zhurmë e u hoq në heshtje”.

Nuk është hera e parë që„Blic”-i, ia fut kot, vetëm për të krijuar mosdurim ndërnacional, afera dhe insinuata nga më të ndryshme, pas të cilave, jo rrallë janë përligjur aksionet e policisë dhe xhandarmërisë në rajonin e Luginës së Preshevës.

 

Po qe se Flamuri Kombëtar, është hequr nga ndërtesa e Komunës së Bujanocit, e jo në të njëjtën kohë edhe nga godina e Këshillit Kombëtar, kjo tregon për një moskoordinim të veprimeve të krerëve institucionalë, për të shërbyer si pretekst për gjueti jo vetëm të shtypit të verdh serb, por edhe nga organet shtetërore e ndërkombëtare. Nuk mund ta shpallim më patriotike ndonjërën nga godinat institucionale, në Luginë të Preshevës, e cila për një ose dy ditë ka arritur ta mbajnë të ngritur mbi çati Flamurin Kombëtar, për ta hequr pastaj siç thonë serbët: “Milom ili silom!” (Me hatër, apo me zor!”.

 

Çështja e Flamurit Kombëtar Shqiptar, simbolit historik dhe identifikues të shqiptarëve në Serbi, duhet të zgjidhet, sa më shpejt aq më mirë, për të mos mbetur edhe më tej shqiptarët e Luginës së Preshevës, të vetmit e mbase edhe të fundit në hapësirat etnike, pa të drejtën e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare.

 

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress