Home » Lajme » Botërori 2014, Shqipëria në vazon 4

Botërori 2014, Shqipëria në vazon 4

Me gjithë ëndrrën e venitur, eliminatoret e Euro 2012 kanë regjistruar një hap të rëndësishëm përpara për Shqipërinë.

Dëshira e një vendi të tërë, ashtu si edhe ajo e kuqezinjve për të provuar deri në fund kualifikimin e parë në një eveniment madhor mbeti sërish në tentativë. Megjithatë, ecuria e kënaqshme në Grupin D kualifikues të Kampionatit Europian – pavarësisht zhgënjimeve për disfatat në Bjellorusi dhe Bosnjë-Hercegovinë – ka sjellë rezultat: Shqipëria do të jetë në vazon 4, në shortin që do të hidhet për eliminatoret e Botërorit 2014. Të shtunën (më 30 korrik), Kombëtarja do të njohë rivalët, ndërsa të paktën në teori, për kualifikueset e ardhshme do të ketë dy kundërshtarë më të dobët në grup.

Tashmë, sytë do të jenë te goglat në Rio de Zhaneiro, me shpresën se ato do të tregohen bujare, për të vazhduar përparimin e skuadrës së drejtuar nga Josip Kuzhe. Në shortin që do të hidhet në Brazil, Federata Shqiptare e Futbollit do të përfaqësohet nga presidenti Armand Duka dhe zv.presidenti, Lutfi Nuri. Dy drejtuesit e lartë janë nisur drejt Amerikës së Jugut gjatë ditës së djeshme, ndërsa bie në sy fakti që pjesë e delegacionit shqiptar nuk është trajneri kroat.

Vazo 4 – Trajneri Kuzhe nuk e kishte fshehur synimin për të provuar një surprizë të mundshme, duke menduar edhe kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2012. Megjithatë, 58-vjeçari realizoi objektivin kryesor që i ishte përcaktuar kur erdhi në krye të Kombëtares shqiptare: përmirësimin e renditjes.

Me rezultatet e arritura, kuqezinjtë janë ngjitur në mënyrë progresive në klasifikimin e FIFA-s, deri në pozicionimin historik në vendin e 50-të. Me vendin e 59-të ku ndodhet aktualisht në renditjen botërore dhe të 32-in në atë Europiane, përfaqësuesja jonë ka kaluar në vazon 4 për shortin e Botërorit 2014. Kuqezinjtë ndodhen aty përkrah Bullgarisë, Rumanisë, Gjeorgjisë, Lituanisë, Skocisë, Irlandës së Veriut, Austrisë dhe Polonisë. Me dy skuadra më të dobëta në një grup me gjashtë ekipe, apo ndoshta edhe me pesë, rritja e mëtejshme, ose edhe ëndrra për vendet e para mund të jetë e realizueshme. Përmirësimi me një vazo ka ardhur edhe në krahasim me shortin e Euro 2012.

Europa
– Në kualifikueset europiane marrin pjesë 53 skuadra, mes të cilave edhe Spanja kampione e botës në fuqi. Ndeshjet do të luhet nga 7 shtatori 2012 deri më 15 tetor 2013, ndërsa skuadrat do të luajnë në 8 grupe me 6 skuadra dhe 1 grup me 5.

Nëntë fitueset e grupeve do të kualifikohen direkt për në fazën finale të Brazil 2014, ndërsa tetë skuadrat e renditura në vendin e dytë do të luajnë në “play-off”, me ndeshje me sistem vajtje-ardhje, më 15 dhe 19 nëntor 2013. Përfaqësuesja kontinentale që ka pasur rritjen më të madhe është Mali i Zi, me rritje prej katër vazosh: nga vazo 5, tashmë ata janë të dytët në vazon 2.

Gjithashtu, Sllovenia ka përparuar me 3 vazo, ndërsa Norvegjia e Sllovakia me 2. Nga rivalet e Shqipërisë në Euro 2012, Bosnjë-Hercegovina dhe Bjellorusia, ashtu si kuqezinjtë, janë një vazo më lart. Rënie kanë pësuar Franca (1 vazo më poshtë) dhe Rumania (2 vazo më poshtë).

Help your child learn how to discreetly use the record options on a phone and put it in their pocket when something starts brewing trymobilespy.com

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch