Home » Kulturë, Lajme » BOTOHET “BIBLIOGRAFIA” E PROF. SHEFIK OSMANIT…

BOTOHET “BIBLIOGRAFIA” E PROF. SHEFIK OSMANIT…

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 Shefik dhe Urti Osmani

Bashkëshortët, Shefik dhe Urti Osmani…

1.

Nderimi e respekti për krijuesit e studiuesit tanë, në mënyra e forma të ndryshme, zakonisht, shprehet në vitet e jetës dhe veprimtarisë së tyre aktive. Por vjen një ditë dhe ata ndahen përgjithnjë nga jeta, të nderuar e të paharruar për veprat, që kanë lënë pas. Disa nga ato vepra ose libra e kanë parë dritën e botimit në gjallje të tyre, por dhe kanë mbetur dorëshkrim ose të pabotuara.

Pa u zgjatur, fjalën e kam për studimet e botimet e pedagogut e didaktit të njohur, publicistit e studiuesit të pasionuar, prof.dr. Shefik Osmani (Shkodër: 20 maj 1923-Tiranë: 21 korrk 2012). Nuk është vendi të tregoj këtu tërë pasurinë e librave të botuar, që ai na la trashëgim dhe që janë në duart e lexuesve ose në bibliotekat tona. Për këtë ndihmesë të tij në fushën e arsimit kombëtar shqiptar flet edhe libri, ”Në gjurmët e një didakti”, me autor prof. Njazi Kazazin (Tiranë, 2005).

Pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të prof.Sh.Osmanit, bashkëshortja e tij, arsimtarja e studiuesja e njohur Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”, e quajti detyrim të saj, jo vetëm nga lidhjet e gjata shpirtërore me të, por edhe një detyrë profesionale, që dorëshkrimet dhe shkrimet e tij të mblidhen e të publikohen. Kështu, së pari, ajo hartoi librin me mbresa vetjake e jetësore për bashkëshortin, “Përjetë me Shefikun”(Tiranë,2013). Me gjithë moshën e thyer të saj, gjeti energji e forca të pashterrura, që ta vazhdonte punën e palodhur, deri sa me kujdesin e saj, panë dritën e botimit këta libra tjerë të prof.Shefik Osmanit ose kushtuar atij: ”Figura të shquara të arsimit dhe të pedagogjisë”(Tiranë, 2014), “Ligjërata dhe shkrime te ndryshme”(Tiranë, 2014),”Probleme të Ciklit të Ulët, në rrjedhën e viteve”(Tiranë,2015) dhe “Kontribut për historinë e filatelisë shqiptare”(Tiranë, 2015).Kuptohet që, secili nga këta libra, ka vlerat dhe veçoritë e tij dhe janë një thesar i paçmuar për lexuesit e intersuar, si nga fusha e shkollës e arsimit, por dhe jashtë tyre.

Shefik dhe Urti Osmani libri

Ballinat e librit të ri bibliografik…

2.

Në këto pak radhë po e informoj lexuesin, sigurisht shkurt, se këto ditë doli nga shtypi (botim i SHB “Filara”-Tiranë) “Bibliografia-e veprave, artikujve dhe ligjëratave të prof.dr.Shefik Osmanit dhe e shkrimeve për të” (Tiranë, 2015). Autorë të kësaj Bibliografie, në afër 150 faqe, me ngjyra dhe me shumë ilustrime,  janë Urti Osmani e prof. Njazi Kazazi.

Ky libër është ndarë në katër pjesë: “Vepra, artikuj dhe ligjërata, 1940-2009), “Shkrime për prof. dr. Shefik Osmanin, 1957-2015”, “Referime të shtypit për prof.dr. Shefik Osmanin dhe veprën e tij, 1944-2012” dhe “Veprat dhe librat e lartpërmendur, përmes fotografive”.

Shkurtimisht dhe pa bërë komente të hollësishme, mund të themi se kjo “Bibliografi”, sigurisht jo shterruese,  na e jep përfytyrimin e plotë të veprimtarisë botuese të këtij personaliteti shumëplanësh të arsimit, pedagogjisë dhe edukimit etj., në vendin tonë e më gjerë.

Kështu, ai do të mbetet kurdoherë një shembull për t’u ndjekur, me përkushtimin e tij në detyra dhe  punë të ndryshme, me dituritë e fiksuara në mjaft shkrime, studime e libra dhe burim frymëzimi për brezat.

Tiranë, 4 tetor 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch