Home » Opinione » Brukseli të “vrapoj” pas neve, apo ne pas tij?

Brukseli të “vrapoj” pas neve, apo ne pas tij?

Shkruan: Nehat Hyseni


Dilemat

Dilema hamletiane, sa duket,  e ka kapluar lidershipin politik të Luginës së Preshevës dhe shqiptarët e kësaj ane, përtej kufirit : të vrapojmë ne pas Brukselit,apo (ndoshta) Brukseli do të vrapoj pas nesh?
Sa i përket variantit të parë,pra që shprehet në dilemën se a duhet ne të “vrapojmë” pas Brukselit, që dmth. angazhimet tona politike t’ia përshtasim rethanave, si dhe standardeve të përcaktuara nga Brukseli, përkatësisht nga Këshilli i BE-së  Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e sidomos për liderët e tyre politik, sado që mund të krijohet përshtypja (e rrejshme) se ata e kanë me çdo kusht që ta arrijnë Brukselin, me demek me u shtrua edhe çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut të Brukselit, megjithatë gabojnë.

Sepse, së pari ne shqiptarët e Luginës nuk e kemi “nijet”as me u lodhë fare me këtë punë. Kurse, sa i përket lider(uc)ëve tanë politik, askush nuk mund t’i detyroj ata që të vrapojnë për punë të “huaja”, sepse i kanë punët dhe nevojat e veta personale.

Tek e fundit, edhe ata kanë “shpi e katandi”. Por, kanë edhe “shpirt”. Prandaj edhe nuk bënë me u lodhë. Sidomos kur e kemi parasysh se sa mund dhe djersë u duhet atyre për me e “rahatue” fisin e farefisin. Edhe militantët partiak doemos duhet “rahatuar”. Me diplomë e pa diplomë. Me ligj e pa ligj. Ata nuk duhet harruar. Sepse, pa ata s’ka jetë.

Dorën në zemër, pra kanë tepër shumë obligime dhe nuk u mbetet shumë energji dhe as forcë shpirtërore për punë “të tjera”.

Pastaj, pse vlla t’ u mbetet atyre barra e këtyre shqiptarve të mjerë. Sikur të kishin pasur pak vlerë dhe rëndësi, Zoti është i madh dhe do t’i kishte rahatuar.

E tani, prej nga e drejta e dikujt që të kërkojnë dhe shpenzojnë energji dhe t’i prishin punët me “hyqymetin”, i cili po u  jep “pare me thes”.

Natyrisht se ky hyqymet i “shkaut”, siç po e quajnë disa nga ata, sa për të mos lënë dyshime se i kanë “punët mirë” me ata, prandaj edhe i “shajnë”. Fjalori banal dhe primitiv që po përdoret shpeshë në diskursin politik  tek ne në Luginë të Preshevës, ka këtê mision.

Pra, ka për detyrë që të “shlyej” çdo dyshim dhe dilemë se pushteti serb është duke realizuar partneritet të shkëlqyeshëm me ruajtësit e “mjegullnajës politike” që e ka pllakosur rëndë skenën politike të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare.
Grupi i unitetit
Tani për tani, skena politike e shqiptarve të Luginës së Preshevës u pagëzua kështu, pra si “grup i unitetit”(rastësisht), nga dikush dhe nuk dihet me saktësi nga kush.

Por, ky term u pranua menjëherë, si nga publiku, ashtu edhe nga lidershipi i shqiptarve. Sa duket, ishte ky një term “gjenial” që më shumë pretendonte, se sa realisht shprehë pasqyrën reale të gjendjes në Luginë, dmth. se “unitetiti” pretendohet, por realisht vështirë funksionon tek ne.

Mirëpo, meqë shqiptarët bashkohen vetëm kur janë në zor dhe është fat i madh nëse kjo dodhë, pra që të jenë jenë unik, qoftë edhe në vështirësi.

Sepse, mos të harrojmë se shpeshë në historinë tonë kombëtare, të mbushur përplot me vuajtje, nënshtrime e poshtërime, nuk ka ndodhur gjithëherë dhe në çdo situatë e rethanë rreziku, që ata të jenë bashkuar, por dhe të kenë bërë rrjeshtimin e duhur.
Sido që të jetë puna, pajtohem me ata që mendojnë se kjo është temë shumë e gjërë dhe është shumë vështirë për ta sqaruar e analizuar, aq më pak këtë mund ta bëjmë dhe pretendendojmë në një artikull si ky.
Prandaj, ajo që na mbetet për ta parë është të analizojmë faktin se si jemi duke u sjellur në momentin e pikërishëm politik, kur po zhvillohen bisedimet lidhur me statusin, fillimisht të serbëve të veriut të Kosovës, e më pas në këtë Projekt të Kryediplomates së Këshillit të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, u përfshi problematika e të gjithë serbëve të Kosovës.

Pa i ndarë, siç praktikohej më parë, në “serbë të veriut” dhe në ata “të enklavave” të Kosovës.

 

Fundi i gjendjes “as luftë as paqë”?
Natyrisht se është vlerësuar se ka kaluar një kohë e gjatë e gjendjes “as luftë, as paqë” në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Kësaj gjendjeje duhet dhënë fund. Edhe iluzioneve të ndryshme lidhur me këtë pjesë të saj.

Gjithashtu duhet dhënë fund edhe mashtrimeve të ndryshme dhe matrapazëve politikë, të cilët tërë kohën e ushqenin popullin serb se kjo pjesë e Kosovës është Serbi, etj.

Pra, e gjithë kjo duhet të merr fund. Sepse, është gjendje e padurueshme, jo vetëm për shtetësinë e Kosovës, për popullatën e asaj pjese, por edhe për mbarë Europën.
Serbia më në fund do ta merr guximin që t’i thotë popullit të vet se ku janë kufijtë e saj dhe deri ku është Serbia dhe ku është Kosova, që do të thotë se Kosova nuk është në Serbi.

Pra, duhet hapur sytë për të pranuar rethanat e reja gjeopolitike në këtë pjesë të Ballkanit, që akoma nuk i ka dhënë fund ankthit të dhunës, anarkisë dhe krimit të organizuar nga bandat dhe grupacionet mafioze, të cilat kishin marrë bërjen e ligjit  në duartë e veta.

 

 

Protesta e Konçulit

Ndërkaq, nga Lugina e Preshevës, apo nga Kosova lindore, ose nga Serbia jugore që po e quan shteti serb, asgjë të re. Kurrëfarë haberi. Situatë e ”qetë”, me përjashtim të një proteste lokale të banorëve të fshatit Konçul, kundër dhunës së ushtruar të xhandarmerisë serbe  ndaj disa fshatarëve që ushtria serbe nuk i lejon ta kullosin bagëtinë.

Derisa kjo protestë nuk dallon për nga fjalori nga protestat e tjera që organizonin shqiptarët e Luginës. Megjithatë, për nga aspekti pragmatik dhe pêr nga metodologjia e organizimi, kishte një dallim të madh. Do të thoja rrënjësorë.
Ku qëndron dallimi?
Pikësëpari, këtu për herë të parë në Luginë të Preshevës, shqiptarët ishin më “pragmatik”, duke e zënë rrugën Gjilan-Bujanoc që kalon midis fshatit Konçul, duke e ndarë atë në mes. Pra, kësaj radhe shqiptarët treguan se në protesta dijnë të flasin, por edhe të veprojnë. Ashtu si bënin dikur serbët e Graçanicës dhe të disa fshatrave e vendbanimeve të tjera të banuar me serbë.

 

Një ndër format më të rënda të presionit kundër shqiptarve në Kosovë dikur , kurse në Preshevë tani janë ftesat për ushtrinë serbe. Nga ky shkak, gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Nga Kosova u detyruan të shpërngulen me dhjetëra mijë të rinjë, duke e lënë vendkindjen dhe duke ia mësyrë ekzodit dhe rrugës së pakthim.
Ndërkaq, në Luginën e Preshevës, procesi i shpërnguljes së shqiptarve drejt vendeve të Europës perëndimore për shkaqe ekonomike, por edhe të sigurisë moti kohë ka marrë hov të madh. Gjithashtu edhe në drejtim të Kosovës, sidomos nga viti 1999 dhe pas konflijtit të armatosur në Luginë të organizuar nga UÇPMB në vitin 2000-2001, kjo shpërngulje mori hov dhe impulse të reja.
Kurse tani, thirrjet e të rinjëve shqiptarë për ta kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë serbe praktikisht do të thotë spastrim etnik të orkestruar dhe të organizuar nga shteti serb, duke i detyruar të rinjtë shqiptarë që t’ia mësyejnë shpërnguljes. Me këtë veprim, Qeveria e Serbisë është duke vepruar në “dy binarë”.

Derisa nga njëra anë ajo tregon “vullnetin e mirë” për zhvillimin e dialogut me Kosovën në Bruksel për normalizimin e marêdhënieve me Kosovën, nga ana tjetër merr hapa konkret drejt spastrimit etnik të Serbisë ga shiptarët.
Pra, Lugina e Preshevës, siç po e shohim, mbeti jashtë agjendës së bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel. Dhe kjo nuk mjaftoi. Tani Serbia është trimëruar që ta zbatojë Programin sekret të saj të vitit 2002 për spastrimin etnik të Luginës nga shqiptarët.Dhe në këtë rrugë askush nuk po e ndalë: as Bashkësia Europiane, as Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

 

Kurse, lidershipi i Luginës së Preshevës, në mungesë të mbajtjes së një tubimi mbarëkombëtar, ashtu si e mbajtën serbët tubimin e tyre në Kuvendin e Serbisë në fillim të vitit 2013, mu në kohën e tensioneve të larta dhe në vlugun e agresivitetit shtetëror serb për heqjen e Lapidarit të UÇPMB-së para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Preshevë, i është lënë “vetvetes”, të veproj si t’a vlerësoj vet situatën dhe si ua mere mendja atyre. Pra, pa obligime të realizimit të ndonjë strategjie të përcaktuar mbarëkombëtare.

 

Enigma
Shumë çështje reth Lapidarit kanë mbetur të pasqaruara dhe enigmatike. Poashtu edhe sjellja e disa liderëve politik të shqiptar e të Luginës shënoi kmin e papërgjegjësisë politike e morale, si para opinionit të gjerë mbarëshqiptarë, poashtu dhe sidomos ndaj faktorit ndêrkombëtarë. Kurse, ndaj shqiptarve të Luginës, as të mos flasim.
Kjo papërgjegjësi politike e tyre, duke mos u koordinuar në mënyrë të mirëfilltë aktivitetet me konsultime paraprake dhe të sinqerta me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si dhe në partneritet të plotë me faktorin ndërkombëtarë, sidomos me ambasadat e vendeve që i konsiderojmë si miqë strategjik si psh. SHBA-të, Britanisë së madhe, Gjermanisê, Francës, Zvucrës, Turqisë dhe të vendeve të tjera të BE-së.

Moskoordinimi i tillë dhe mosharmonizimi i qëndrimeve dhe veprimeve tona politike pati pasoja katastrofale dhe nuk kishte se si të përfundonte ndryshe, pos që të mbesim jashtë agjendës së dialogut të Burukselit.

 

Mjerisht ishim dëshmitarë të gjithë për përfundimin poshtërues të rastit të Lapidarit, duke u hequr pa kurrëfarë organizimi minimal të rrezestencës “së butë qytetare” nga faktorët politik shqiptarë të Luginës. Pra, lidershipi politik i shqiptarve të Luginës nuk tregoi as minimumin e përgjegjësisë politike dhe morale.

Prandaj, sjellja e tyre e papërgjegjëshme u denua anekënd shqiptarisë, duke u cilêsuar me epitetet më poshtëruese dhe më denigruese: si “matrapazë politik”, “të pamoralshëm”, “pa ndjenja minimale kombëtare” etj.
Mjerisht, avazi i sjelljes së papërgjëshme të tyre nuk përfundoi me Lapidarin. Bile as nuk u morën mësimet e domosdishme nga ai pësim dhe debakël politik që u pësua me rastin e poshtërimit dhe përdhosjes së Lapidarit.
Si rezultat i kësaj papërgjegjësie të skajshme të tyre, Lugina e Preshevës nuk arriti që të shtrohet as në tryezën e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton në Bruksel. Bile nuk u arritë as që kjo çështje të shtrohet  në margjinat e tij!

 

Ftesa e z. Kuçi
Ftesa e Qeverisë së Kosovës e bërë në media nga Zëvendêskryeministri Kuçi që edhe shqiptarët e Luginës t’i paraqesin kërkesat e veta lidhur me formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, nga disa subjekte politike dhe liderë të shqiptarve të Luginës, nuk u përfill fare. Bile edhe u kundêrshtua haptas nga Ragmi Mustafa, duke dalur në media me deklaratë të befasishme dhe hakmarrëse ndaj Qeverisë së Kosovēs dhe duke deklaruar, pa kurrëfarë konsultimesh paraprake as me “grupin e unitetit” që përfshinë liderët e partive politike të Luginës, por as me partinë e vet politike.

Kjo papërgjegjësi politike ka ndikuar në margjinalizimin tragjik, me pasoja afatgjata historike për statusin e Luginës së Preshevës.
Ushqimi dhe mbështetja politike që po i bëhet nga z. Ragmi Mustafa në mënyrë të stërpërsëritur i tezês së kryetarit të SPS-it  z.Daçiq, pra pasuesit të Sllobodan Millosheviqit për “ndarjen e Kosovês” dhe gjoja “bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën” në momentin më delikat të fazës së dialogut të Brukselit, e dëmton rëndë pozitën dialoguese të Qeverisë së Kosovës dhe e favorizon opcionin e radikalëve serb për bashkëngjitjen e veriut të Kosovës me Serbinë.

 

Në këtë mënyrë, pra, nga Lugina e Preshevës po sfidohet edhe politika aktuale dhe pozicioni i BE-së dhe SHBA-së për mosndryshimin e kufijve ndërshtetërorë në Ballkan.

 

Ndarja eKosovës
Pra, kjo qasje kundër Qeverisë së Kosovës dhe Shqipêrisê, si dhe ndaj BE-së është e dëmshme për politikën mbarëkombëtare shqiptare. Andaj, ajo është e dëmshme dhe tragjike edhe për Luginën e Preshevës. Kurse, favorizon tezën e Daçiqit për “shkēmbim territoresh”. Prandaj, s’do mend se  sjelljet e tilla të dëmshme duhet të ndërpriten.
Natyrisht, ka edhe nga ata shqiptarë që joshen pas parullave dhe deklaratave megalomane dhe nuk kanë kapacitete intelektuale, shkencore e politike për të gjykuar karakterin e dëmshëm të sjelljes së atillë të papërgjegjëshme dhe të dëmshme politike.  Meqë atyre u mungon mundësia e  analizave politike, qofshin ato edhe sipërfaqësore, për ta pyetur veten:

Vallë a mundemi që ne të bashkohemi me Kosovën, pa e pyetur ate dhe pa u konsultuar fare me Qeverinë e saj?
Pastaj, a mundemi ne shqiptarët e Luginës të veprojmë kundër parimeve dhe standardeve e qëndrimeve tê bashkësisë ndërkombëtare dhe t’i sjellim mirëqenie, si dhe t’i zgjidhim problemet e Luginēs së Preshevës?
Sigurisht se përgjigja do të ishte negative. Këtë e dinnë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa marrë parasysh nivelin e tyre arsimor, kulturor dhe mjedisin ku jetojnë.

 

Pjekuria politike

S do mend se pjekuria politike e veprimit të shqiptarve të Luginês së Preshevês është e domosdoshme dhe është kusht i pakapërcyeshëm për realizimin e synimeve dhe aspiratave të tyre për ndërtimin e ardhmërisë më të sigurtë dhe më të lumtur në këto troje të tyre stërgjyshore që janë pjesë e gjeografisë gjithëshqiptare.

Nuk mundemi dhe nuk guxojmë kurrësesi të pozicionohemi kundër faktorit gjithëkombētarë dhe atij ndërkombëtar dhe të deklarohemi se kētë po e bëjmë për të mirën e shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke çuar ujë në mullirin e arniqêve tanë.
Veprimet e koordinuara politike duhet të jenê pragmatike, në funksion të vizionit tonë të qartë politik dhe misionit kombëtar që duhet realizuar pa asnjë hezitim.
Megalomania deklarative dhe fjalamania nuk i shërbejnë mirëqenies së shqiptarve tëLuginës së Preshevës.

Propozimi (i munguar)

Andaj, Propozimi i kêrkuar i zgjidhjes së çështjes së Luginës, që do të shërbej si Platformë e jona, duhet punuar me metodologjinë politike tê BE-së, duke u punuar në mënyrë të thuktë, të qartë dhe profesionale. Nuk guxon të ket më shumê se 2-3 faqe tekst me radhorë të mesëm.

 

Ashtu si i kemi bërë sa e sa herê domumentacionet, si psh. për Referendumin dhe dokumenta të tjerë, edhe ky dokument do të duhej të ishte në tavolinën e bisedineve të Brukselit, konform kërkesave të Qeverisë së Kosovês.

Pra, “Propozimi..” , për dallim nga “Masat urgjente…” që u miratua më 9 mar 2013 nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe medvegjës, kishte karakter deskriptiv, ishte i punuar me një metodologji arkaike dhe nuk përmbante propozimin e  masave dhe veprimeve konkrete, që supozojmë se janë të domosdoshme, konform kontekstit aktual të rethanave politike.

Koha nuk na pret. Më 2 prill2013, pra pas një jave, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojnë bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ekziston bindja se, ka gjasa reale që të nënshkruhet marrëveshja historike midis Kosovës dhe Serbisë.

Lugina e Preshevës, me apo pa faj tē vetin, mbeti jashtë saj.

Ndoshta sepse ne deshtēm shumë më tepër, pra “bashkimin me Kosovën”?

Apo ndoshta nuk i kuptuam drejtë çështjet se kush i shtron agjendat politike në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, ne apo dikush tjetër?

Kurse, dikush nga ne (ndoshta) mbetet me bindjen se Brukseli duhet të “vrapoj” pas nesh, e jo ne pas tij?!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch