Home » Lajme, Vendore » Dështon Seanca e koalicionit UDSH-LPD-PVD

Dështon Seanca e koalicionit UDSH-LPD-PVD

Bujanoc 7 qershor 2012: Seanca e Kuvendit Komunal të komunës së Bujanocit e thirrur për sot, nuk ka mundur ti vazhdojë punimet në mungesë të shumicës së këshilltarëve.

Seanca e ftuar nga kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu filloi me protestën për vjedhje të votave në Zarbicë, të cilën e shprehu kryetari i kësaj Bashkësie Lokale Selami Bajrami, ndërsa përfundoi pa u shqyrtuar asnjëra nga katër pikat e parapara të renditë të ditës.

Gjithashtu nuk u bë as verifikimi i mandateve të këshilltarëve pasi në seancë ishin të pranishëm 20 nga 41 këshilltarë sa ka gjithsejtë ky kuvend.

Në këtë mbledhje morën pjesë 9 këshilltarët e Partisë për Veprim Demokratik, 6 të Lëvizjes së Progresit Demokratik, 3 të Unionit Demokratik Shqiptarë dhe 2 të Partisë Përparimtare të Serbe – Tomisllav Nikolliq.

Jonuz Musliu në fillim shpjegoi se për të ftuar këtë seancë ka pasur mbështetjen ligjore në bazë të nenit 56, alineja 3 e ligjit për zgjedhje lokale.

“Në bazë të ligjit është dashtë të thirret seanca dhe kjo ftesë është legjitime dhe ka bazë juridike”, ka thënë Musliu.

Duke e komentuar ftesën e Stojança Arsiq, këshilltarit më të moshuar, për seancë që është caktuar për ditën e premte, Musliu tha se është dashtë të ulemi dhe të bisedojmë.

“Është dashtë të ulemi dhe të bisedojmë, nuk jemi kundër verifikimeve të mandateve, pasi ky kuvend është i gjithë qytetarëve”, tha mes tjerash  kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu.

Shaip Kamberi, kryetar aktual i komunës së Bujanocit, nga foltorja tha se kjo seancë duhej të ishte solemne me qëllimin e verifikimit të mandateve.

Ai më tej theksoi se ftesa për seancën nga ana e këshilltarit më të vjetër Stojança Arsiq, pa e njoftuar kryetarin Jonuz Musliun është e pamoralshme.

Kamberi tha se subjekti në fjalë nuk do të krijojë asnjë problemë në punën e mëtutjeshme të asamblesë, ndërsa gjatë prononcimit për gazetarë theksoi se grupacioni politik PVD, LPD dhe UDSH gjatë ditës do të dal me një vendim ku do të sqarojë se a do të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme të KK të Bujanocit.

Ndërsa, Nenad Mitroviq këshilltarë nga Partia Përparimtare Serbe – Tomisllav Nikolliq, ka thënë se nuk është pjesë e ndonjë marrëveshje për të formuar shumicën në kuvend, përveç që kanë marrë pjesë për të verifikuar mandatin, gjë të cilën do ta bëjnë edhe në seancën e nesërme.

Seancën e sotme e mbylli Sali Salihu pas verifikimit se mungon kuorumi  për të vazhduar punën me rendin e ditës.

Mbledhjen nga afër e përcollën edhe përfaqësuesit e Trupit Koordinues dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Nesër prapë do të mbahet seanca e KK të Bujanocit, por në këtë rast e thirrur nga këshilltari më i vjetër, Stojança Arsiq/TernociPress/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch