Home » Shoqëria Civile » Bujanoc: Dora e hallallit dhe goja e çakallit!

Bujanoc: Dora e hallallit dhe goja e çakallit!

Dora e hallallit

Solidarësia te shqiptarët, është një ndjenjë e theksuar dhe e dëshmuar ndër shekuj.

Dora e shqiptarit, nuk është ndalur kurrë, duke ofruar bamirësi e pajtim.

Kjo dorë e shtrirë e hallallit, ka prekur çdo cep të Atdheut të cunguar, duke kaluar shpesh edhe kufijtë nacionalë.

Nga Presheva deri në Prevezë, dora e hallallit, ka vepruar me moton: “Kush punon me zemër, nuk lakmon për emër!”.

Po sot ku mbeti rahmeti, humaniteti, solidarësia dhe bujaria shqiptare?!

Politizimi i kësaj sfere të bamirësisë përmes shoqatave të ndryshme me karakter humaniteti, pastaj partitë politike dhe fondet komunale e qeveritare, kanë bërë që krahas dorës së hallallit, të veprojë edhe goja e çakallit!

Për dallim nga e shkuara, sot, mjerisht nevojtarët shikohen me syze politike, partiake e pushtetare.

Dora e hallallit, kohëve të fundit, po vepron me dorëza, duke u shtrirë vetëm për ata që janë me ngjyrë, politike e pushtetare.

Ky hallallëk shkon edhe më thellë. Disa njerëz, që ne i quajmë të parë, bëjnë “sevapë” me paratë e Qeverisë, me paratë publike, e jo me ato që i kanë nga baballëku e hallallëku!

Shembull baba-dimri, ekziston me mjekër, dorëza, kapele e garderobë jo të zakonshme, për të ofruar dhurata. Po u zbulua fytyra e tij, ai, më nuk është baba-dimër, ngase kuptohet kush është dhe atë të mirë e bënë për emër e jo me zemër!

Goja e çakallit është ajo, që dorës së hallallit, ia ka humbur kuptimin, të cilin e kishte dikur…

Kjo gojë, që në popull njihet si goja e çakallit, akoma nuk është ngopur me hajni e korrupsion.

Lufta mes dorës së hallallit dhe gojës së çakallit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përderisa shoqëria jonë nuk vetëdijësohet për t’i thënë “Ndal!” haramit, të keqes, që po na përsëritet brez pas brezi, mandat pas mandati etj-etj.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch