Home » Lajme, Vendore » Bujanoc – HAPET ZYRA E SHOQËRISË CIVILE

Bujanoc – HAPET ZYRA E SHOQËRISË CIVILE

Bujanoc-shoqeria civile-1Sot, në Bujanoc, në mënyrë solemne u bë hapja e zyrës së Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të jetës civile e publike, në nivel të rajonit të Luginës së Preshevës.

Qëllimi i hapjes së kësaj zyre, sipas krerëve të kësaj nisme qytetare, është lidhja, bashkimi i shoqatave joqeveritare, të cilat veprojnë në Bujanoc dhe më gjerë në Luginë, për të zgjeruar dhe konsoliduar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për një shoqëri të hapur, solidare, humaniste dhe tolerante.

Bujanoc-shoqeria civile-2– Kjo zyre e përbashkët e shoqërisë civile, i ka munguar Luginës së Preshevës dhe është e domosdoshme funksionimi i saj drejt edukimit dhe emancipimit qytetar. E kjo nuk do të thotë se do të mësojmë për të qenë qytetarë të mirë, por edhe ta praktikojmë qytetarinë në jetën tonë publike, tha Sevdail Hyseni, njëri nga drejtuesit e kësaj nisme.

– Koncepti  ynë për shoqërinë civile tregon se si të veprojmë drejt vizionit tonë për një shoqëri sipas standardeve evropiane. Çdo shoqëri ka nevojë për një komunitet më të shëndoshë, për një mjedis më të mirë zhvillimi dhe përparimi. Përvetësimi i të drejtave dhe përgjegjësve sociale, kontribuon direkt në zhvillimin e një shoqërie pjesëmarrëse në vendimmarrje. Rrjedhimisht nuk mund të ketë një shoqëri civile të fortë pa një shoqëri politike të fortë, tha Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili në emër të BIPMB-së, falënderoi donatoren zonjën Farushe Aliu, e cila shprehi vullnet të mirë për ta rregulluar këtë zyre e cila në të ardhmen do të jetë një derë e hapur për të gjithë shoqatat joqeveritare, të cilat shprehin vullnet për bashkim në një Shoqëri Civile.

Në vazhdim, fjalën e mori profesori Begzad Abdullahu, i cili përshëndeti hapjen e kësaj zyre, duke vlerësuar lartë misionin e saj në zhvillimin dhe promovimin e vlerave kulturore dhe informative në Luginë dhe rajon.

Gjithashtu, me diskutime u paraqitën edhe dr. Ferid Selimi, nënkryetar i Komunës së Preshevës, krijues letrar dhe publicist, i cili tha se zyre të kësaj veprimtarie ka pasur edhe më herët, nuk ka pasur mungesë në këtë drejtim, por ka munguar një koordinim i përbashkët i shoqatave joqeveritare për të folur me një zë, për të pasur një qëndrim të përbashkët e tashti janë krijuar kushtet për një bashkëveprim të tillë. Ndërkaq, drejtori i revistës “Jehona”,  Zaim Haliti, duke përshëndetur hapjen e zyrës së shoqërisë civile, kërkoi një bashkëveprim edhe të mjeteve të informimit publik me shoqërinë civile, të cilat bashkërisht mund të ecin përpara drejt një zhvillmi më të suksesshëm kulturor e informativ. Dikur “Jehona” ishte mediumi i vetëm i shkruar në këto hapësira, pastaj vazhdoi me “Perspektivën”, për të vazhduar betejën, në këtë drejtim, për një informim cilësor dhe përmbajtësor.

/ jehonapress/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch