Home » Lajme, Vendore » Bujanoc: Kolonizimi si proces integrimi!

Bujanoc: Kolonizimi si proces integrimi!

Migrimi BujanocSerbia, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, po ndërton pallate e ndërtesa banimi, për refugjatët serbë në Luginë të Preshevës dhe në veri të Kosovës.

Mediet kosovare alarmojnë opinionin për rrezikun e rikolonizimit të Mitrovicës së veriut. Serbia vazhdon të financojë ndërtimin e objekteve të larta të banimit (soliterëve), në të cilat i vendos serbët e zhvendosur nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë.

Me të njëjtën dinamikë, Beogradi zyrtar, po ndërton banesa për refugjatët serbë të ikur nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja e të vendosur përkohësisht në Komunën e Bujanocit.

Me këto veprime, kjo Serbi, po e ndryshon hartën demografike në veri të Kosovës dhe në jug të saj (Lugina e Preshevës), në favor të elementit serb, i cili në këto hapësira, ka qenë gjithmonë pakicë.

Dominimi pakicës serbe, karshi shumicës shqiptare, përmes shit-blerjes së pasurive, ndërtimit të banesave me porosi për refugjatë, pastaj diskriminimet mbi baza etnike, ka shtuar në heshtje lëvizjet e migrimeve veri-jug të dy shteteve fqinje, të cilat vuajnë akoma nga plagët e luftës.

Me këto (ri)kolonizime, në emër të proceseve integruese, Beogradi, dalëngadalë po ua mbyll gojën liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, për të kërkuar reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës. Kjo do të ishte sikur sot të kërkonin shqiptarët e Medvegjës të cilët kanë mbetur të paktë në numër, të kërkojnë të krahasohen me serbët e Mitrovicës së veriut?!

Në vazhdim po i japim disa pamje të ndërtimit të objekteve të larta në veri të Kosovës dhe në Luginë të Preshevës.

veriu i Kosovës-ndertimet-1

Beogradi, vazhdon ngritjen e objekteve në veri të Kosovës

 Bujanoci-ndertimet-1

Beogradi, ngrit shtëpi të montuara në Bujanoc, për refugjatët serbë nga Kosova.

 

Ky projekt realizohet me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, Komunës së Bujanocit dhe Komisariatit për Refugjatë dhe Migracion të Republikës së Serbisë, me ndihmën financiare të programit IPA të Bashkimit Evropian.

Me dhjetëra shtëpi banimi janë ngritur në Bujanoc, për refugjatët serbë, të cilët po integrohen në rrjedhat shoqërore-politike të vendit, kurse me mijëra shqiptarë të zhvendosur dhunshëm nga Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës, vazhdojnë të çojnë jetë qiraxhiu nëpër qendra të ndryshme të Kosovës, pa të drejtë kompensimi të pasurive të shkatërruara gjatë konflikteve të armatosura dhe të privuar nga e drejta e kthimit të organizuar në vatrat stërgjyshore, madje edhe duke u pengua në rregullimin e dokumenteve identifikuese, mungesa e të cilave u sjell telashe në qarkullimin e lirë Kosovë-Serbi.

Rikthimi, në Bujanoc, i programeve të dikurshme në emër të parandalimit të shpërnguljes së serbëve si dhe realizimi i projekteve vendore dhe ndërkombëtare për ngritjen e shtëpive solidare, në një të ardhme jo të largët bujanocasit do të kenë më shumë shtëpi se sa banorë, kështu që ata nuk do të kenë më problemin e banimit, por të ushqimit, i cili jo rrallë i detyron për kafshatën e gojës t’ia mësyjnë rrugëve të kurbetit.

Shembull konkret, kohëve të fundit, kemi braktisjen e shqiptarëve nga Lugina. Një tregues mjaft i shqetësues është dhe fakti se brenda 6 vitesh numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat në tërë Luginën e Preshevës ka rënë me 20-30 %.  Në Tërnoc e Miratoc, vendbanime të mëdha shqiptare, kemi zvogëlim të numrit të nxënësve me përmasa alarmi. Në fshatin Tërnoc të Bujanocit, vitin e kaluar në klasën e parë kishim 6 paralele apo 126 nxënës shqiptarë, kurse sivjet ka vetëm 3 paralele apo vetëm 60 nxënës ?! Situatë e ngjashme është edhe në Preshevë..Po, kjo gjendje e mjerueshme të shkollave shqipe është ne fshatin Miratoc ku rreth 80 për qind e shtëpive janë të boshatisura, bashkë me to edhe shkollat. Në 2005-2006 në këtë shkollë mësonin rreth 700 nxënës , ndërsa sot në këtë shkollë mësojnë vetëm  270 nxënës ?!, thuhet në një emisionin të “Ballkan Magazine”.

Përkundër dhembjes që po shkakton plaga e shpërnguljes së shqiptarëve nga Lugina, vijnë “selame” të mira si “melhem” nga Bujanoci se “Shefi i delegacioni të BE-së në Serbi, Michael Devenport, me kryetarin e Trupit Koordinues Zoran Stankoviq dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit Nagip Arifi, ka njoftuar për fillimin e ndërtimit të ndërtesës së Fakultetit ekonomik të Suboticës në Bujanoc. Bashkimi Evropian do të ofrojë ndihmë nëpërmjet programit Evropian PROGRES rreth 800.000 euro për ndërtimin e ndërtesës, ndërsa planifikohet që komuna e Bujanocit me Qeverinë e Serbisë nëpërmjet Trupit Koordinues të përkrahin projektin me rreth 280.000 euro, pra mbi një milion euro.

Në  emër të mulitietnicitetit dhe programeve me karakter kolonizimi do të kemi edhe projekte të tjera për ngritjen e objekteve të banimit dhe shkollimit, por na bren një shqetësim për ikjen e njerëzve, pa të cilët vështirë se mirëmbahen ato.

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch