Home » Shoqëria Civile » Bujanoc: Komisionet “fluturake” të Këshillit Nacional!

Bujanoc: Komisionet “fluturake” të Këshillit Nacional!

Shoqeria civile per KNSH-ne foto-1Udhëheqësia e re e Këshillit Nacional, me seli në Bujanoc, dy ditë para krishtlindjeve (bozhiqit), ka kompletuar komisionet, me militantë të devotshëm partiakë.

Ky institucion i lartë shqiptar, ka filluar “mbarë”, për t’i freskuar katër shtyllat kryesore me “ekspertë”, të fushave të ndryshme nga lëmia e arsimit, kulturës, informimit dhe simboleve kombëtare, deri aty ku ka mandat e kompetenca ta shtrijë ndikimin e vetë.

Shumëkush ka menduar dhe pritur se komisionet (grupet punuese, ekipet e ekspertëve), të paktën në përbërjen e re të Këshillit Nacional, do të drejtohen nga njerëz meritorë me aftësi dhe përvojë në çuarje përpara të proceseve të avancimit të çështjes shqiptare në Luginë të Preshevës.

Ja, pse, këto komisione, nuk ia tejkalojnë komisioneve të mëparshme të ish Këshillit Nacional, as në pamje as në përbërje?!

Të jemi të sinqertë, hiq Komisionin për arsim të ulët dhe të lartë, i cili deri diku i përmbush kriteriumet e të qenit një ekip komplet, të tjerat komisione nuk vlejnë për hudhëra.

Po fillojmë nga Komisioni për kulturë, i drejtuar prej Naim Salihut, arsimtar i gjuhës serbe me SHLP (shkollë të lartë pedagogjike), ndoshta e ka edhe ndonjë diplomë rezervë, por në shkollën ku punon „Muharrem Kadriu”, në Tërnoc, paguhet si arsimtar. Pa të keq, ky komisioni për kulturë, duhet të kontribuojë për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare e jo kulturës serbe. Ndërsa në komisionin për botim dhe informim është emëruar Hevzi Ramadani, një ish kameraman dhe spiker i TV “Spektrit”, aktualisht sekretar në RTV “Presheva”, flitet se kohëve të fundit ka mbaruar studimet për jurist në Tetovë. Ky mision për këtë komisioner do të jetë “imposibël”, i “pamundur” për ta zgjidhur ngërçin e krijuar në informimin shqip në Luginë e Serbi.

I njëjti kualifikim vlen edhe për Komisionin për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe dhe shkrimit të udhëhequr nga një mësues klasor Riza Fetahu. Për këtë njeri s’kam koment, flet përgatitja e tij arsimore.

Dhe së fundi, Komisioni për rini dhe shoqëri civile, do të drejtohet nga gjimnazisti Mukarrem Ahmeti, kryeredaktor në RTV “Bujanoci”. Me këtë kuadër pa kualifikim përkatës, që tashti dihet se nga do të drejtohet rinia dhe shoqëria civile!!!

Sa për informim nga pesë a gjashtë drejtuesit e këtyre komisioneve, gjysma (tre) janë nga Tërnoci, dy nga Presheva e një nga Priboci (Bujanoci).

Shoqëria Civile “Perspektiva”, thellësisht është e bindur se nga këto kuadro e komisione, nuk ka për tu përmbushur misioni i Këshillit Nacional, për ta kthyer lapidarin e grabitur nga xhandarmëria në Preshevë, nuk kanë për ta hequr Kryqin e madh të memorialit të xhandarmërisë mbi fshatin legjendar të Lluçanit, nuk ka për tu ngrit cilësia e kulturës shqiptare dhe informimit shqip në Luginë, nuk ka për tu zbatuar dygjuhësia në praktikë e as nuk ka me u rregulluar me ligj përdorimin e simboleve kombëtare.

Atëherë, shtrohet pyetja se çfarë janë të zotë këta drejtues të komisioneve për të bërë në këtë mandat katërvjeçar të KKSH-së?!

Në këtë mandat këta drejtues komisionesh janë të aftë e të prirur, në këtë fazë, të hulumtojnë gabimet e ish udhëheqësve paraprirës të KKSH, duke ngritur kallëzime penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqmenaxhim dhe keqpërdorim të mjeteve financiare, pastaj në fazën e dytë, këta drejtues komisionesh “fluturake”, mund t’i shfrytëzojnë kompetencat për tu pajisur me diploma prej njërit nga Fakultetet e Ranillukut, Mitrovicës, Smederevës, Sanxhakut, Tetovës etj. Por, mbi të gjitha, përbërja e re e KKSH (Këshillit Kombëtar Shqiptar), më së rëndi do ta ketë rreth radhitjes së honorareve, paushalleve, rrogave dhe të mirave të tjera, që i servon buxheti republikan i Serbisë dhe buxhetet komunale, për këtë institucion të lartë politik shqiptar në Luginë të Preshevës.

Ky është problemi më i sikletshëm i KKSH, për momentin e të tjerat probleme i mbeten për zgjidhje “kohës” me të cilën po hapërojmë, qe sa vjet në stilin: dy hapa para e tre mbrapa, apo jo”!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch