Kabineti i kryetarit të komunës
INFORMATË PËR MEDIA
Konfirmohet donacioni prej 1.2 milionë euro për objektin e shkollimit universitar
Komunës së Bujanocit më 25 qershor do ti konfirmohet dhënia e donacionit në vlerë prej 1.2 milionë euro nga ana e Programit Progresi Evropian, për ndërtimin e objektit të shkollimit universitar.
Në këtë datë, në Novi Pazar, gjegjësisht në vendbanimin turistik “ Ras “, komuna jonë do të jetë pjesë e nënshkrimit të kontratës për ndarjen e mjeteve të Unionit Evropian dhe qeverisë së Zvicrës për implementimin e programit të ri zhvillimor Progresi- Evropian.
Në emër të Zyrës për Integrime Evropiane të Qeverisë së Republikës së Serbisë (SEIO ), është menaxheri i Programit Progresi-Evropian, Grem Tindal, ai që ka ftuar për pjesëmarrje në këtë solemnitet kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.
Në takimin e Novi Pazarit me fjalime hyrëse do të paraqiten: Ana Iliq, zëvendës drejtoreshë e Zyrës për integrime evropiane të Republikës së Serbisë, Meho Mahmutović, kryetar i Novi Pazarit,Jadranka Joksimović, ministreshë pa portfel përgjegjëse për integrime evropiane,Shkëlqesia e Tij Majkl Devenport, shef i Delegacionit të Unionit evropian në Republikën e Serbisë,Zhan‐Luk Osh, zëvendës ambasador i Zvicrës në Republikën e Serbisë, Brus Mekaron, drejtor regjional i UNOPS-it për Azi, Evropë, Lindjen e Afërme dhe Oqeani dhe Izabel Perih, drejtoreshë e Zyrës zvicerane për bashkëpunim në Serbi .
Për rezantimin e PROGRES-it Evropian si dhe për qëllimet, sektoret dhe rezultatet e pritura do të flasin, Grem Tindal, menaxher i këtij programi dhe Olivera Kostiq, menaxhere e sektorit për avancimin e konkurrencës pranë PROGRES-it Evropian.
Në solemnitet, natyrisht se të pranishmëve do ti drejtohet edhe njeriu i parë i komunës sonë, Nagip Arifi.
Progresi Evropian është program i më shumë donatorëve për të përkrahur zhvillimin e 34 komunave në jug-perëndim dhe jug-lindje të Serbisë, në mesin e të cilave bënë pjesë edhe komuna e Bujanocit.
Unioni Evropian këtë program e financon me 12.6 milionë euro, qeveria e Zvicrës me 4.86 milionë, derisa ajo e Serbisë përmes ministrive përkatëse me rreth 4 milionë euro.
Në këtë drejtim, Unioni Evropian ka siguruar edhe 7 milionë shtesë kurse qeveria e Serbisë 1 milion, edhe atë për pjesën e programit i cili financohet në mënyrë direkte nga ministria e financave.
Programin i cili zgjat tre vjet e gjysëm dhe që ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, zhvillimin e infrastrukturës, politikën e punësimit, etj, e implementon Zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbime të projekteve UNOPS.
Pushteti lokal i Bujanocit i dalë nga zgjedhjet e fundit lokale ndërtimin e godinës së shkollimit universitar e kishte në listën e projekteve prioritare.
Donacioni në vlerë prej 1.2 milionë euro është edhe produkt i politikës efikase menaxhuese të udhëhequr nga kryetari Nagip Arifi, i bazuar në saje të përcaktimit të nevojave të cilat janë domosdoshmëri e kohës, e në këtë kontest, investimi për qëllimet e arsimit, natyrisht se zë vendin e merituar në agjendat e të parit të komunës sonë.
Bujanoc: 19 qershor 2014