Home » Lajme, Opinione » Bujanoc: Kontratat paushalle të qeverisjes lokale

Bujanoc: Kontratat paushalle të qeverisjes lokale

Nenshkrimet e kontratave xQeverisja multietnike e Komunës së Bujanocit, në vitin e katërt përmbyllës të mandatit të saj udhëheqës, ka shtuar numrin e nënshkrimeve të kontratave për zhvillimin e infrastrukturës, të cilat kundërmojnë erë propagande parazgjedhore.

 

Paramendoni, vetëm brenda këtij viti, kjo qeverisje lokale, ka nënshkruar me dhjetëra kontrata, duke filluar nga përgatitja e projekt – dokumentacioneve për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Konçul, Breznicë dhe Muhoc të Komunës së Bujanocit. Këto projekt – dokumentacione, do të financohen nga Programi “Progresi Evropian” me 90 për qind, kurse nga buxheti i komunës do të ndahen vetëm 10 për qind.

Po me kaq, nuk përfundojnë nënshkrimet e kontratave, ato vazhdojnë të promovohen nga shtylla kryesore e qeverisjes lokale e ajo është Ndërmarrja Publike “Drejtorati për ndërtim”.

E vlen, për hir të opinionit, disa prej tyre t’i veçojmë: Restaurimi i sheshit të qytetit, i cili ka kushtuar mbi 65 milion din, ndërtimi i objektit të fakultetit mbi 160 milion din dhe ky i rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Komunës së Bujanocit, shuma e të cilit kap lartësinë e mbi 87 milion din.

Sa do që këto projekte e kanë një peshë të madhe financiare, ato, mjerisht, nuk po i përmbushin standardet e ndërtimit dhe nuk po i plotësojnë kërkesat e qytetarëve.

Restaurimi i sheshit të qytetit të Bujanocit, mbuloi me beton vlerat e një trashëgimie kulturore, ndërtimi i objektit universitar, akoma nuk është gati për fillimin e vitit të ri akademik, kurse fillimi i punimeve të  rrethrrotullimit në unazën, që lidh rrugët: Bujanoc – Preshevë – Vranjë, ka sjellë shumë telashe për qarkullimin e makinave, nga se me kohë nuk janë paraparë rrugët alternative në afërsi të hyrje – daljeve të qytetit.

Meqë jemi në stinën e vjeshtës dhe po na pret një mot me të reshura të dendura, ky projekte do t’u ku kushtoj më shtrenjtë qytetarëve se sa është paraparë nga qeverisja lokale.

Sa i përket unazës rrotulluese rrugore, në hyrje të qytetit të Bujanocit, me një angazhim të vogël, do të gjenden rrugë tjera alternative, por si të gjenden rrugë të tilla, kur të fillojnë punimet në asfaltimin e rrugës Muhoc – Zarbicë ?! S’ka tjetër alternativë, veç me teleferik!

Njohësit e rrethanave klimatike në Malësi të Bujanocit, e dinë fare mirë se bora e parë që bie në këtë rajon, bllokohen rrugët dhe paralizohet në total qarkullimi i atyre pak njerëzve, të cilët jetojnë në viset kodrinore – malore.

Mirëpo, qeverisjes lokale, nuk i interesojnë rrethanat klimatike, veç atyre politike e financiare.  Ndërmarrja Publike “Drejtorati për ndërtim”, ka nënshkruar kontratën me “Put Invest “, për projektimin e asfaltimit të rrugës në fshatin Zarbicë dhe pritet, që punimet të fillojnë, kah fundi i muajit nëntor, të këtij viti.

Caktimi i kësaj date, për fillimin e asfaltimi rrugor të shumëpritur, të lë përshtypjen se pushteti lokal, ka llogaritur ta bëj në vigjilje të fetave kombëtare, gjatë kohës së shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar.

Por, njoftimi i fillimit të projektit infrastrukturor nga Ndërmarrja Publike “Drejtorati për ndërtim”, është paksa i mangët dhe si i tillë ngjall dilema.

,, Asfaltimi i rrugës Muhoc – Zarbicë, në gjatësi prej 5 kilometrave, kap vlerën pre 2 milionë e 500 mijë dinarëve me tatimin mbi vlerën e shtuar. Projekti, në fjalë, do të mbështet nga mjetet e buxhetit komunal të parapara për vitin 2015, ndërsa kontraktues i këtij projekti është “ Put Invest “ nga Beogradi”. Kësaj informate të bërë publike nga Ndërmarrja Publike “Drejtorati për ndërtim”, i mungon një detaj shumë i rëndësishëm se ky projekt bashkëfinancohet edhe prej banorëve të Malësisë së Bujanocit, me një pjesëmarrje prej 30 për qind, diku me rreth 200 mijë euro.

Si duket, pushteti lokal në Bujanoc, lavdin për asfaltimin e rrugës së Zarbicës, dëshiron ta merre vet mbi supe, ose ka frikë nga Beogradi, se ky projekt mund të politizohet, apo e shqetësojnë zërat e shoqërisë civile, e cila ka vërejtje te komunarët, nga se deri tashti asnjë kilometër rrugë nuk është asfaltuar në këtë komunë me ndihmën e kontributit të qytetarëve.

Komuna dhe Qeveria e kanë obligim ligjor rregullimin e infrastrukturës rrugore, e jo të përfshihen qytetarët nëpër këto projekte kapitale, e aq më pak banorët e Malësisë së Bujanocit, të cilët me lëkurë e kanë paguar çmimin e kësaj rrugë, që nga koha e Titos, Millosheviqit e së fundi edhe të Koalicionit qeverisës në Bujanoc.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch