Home » Opinione » Bujanoc: Leksionet lamtumirëse…

Bujanoc: Leksionet lamtumirëse…

Galip Beqiri foto2014Galip Beqiri, me të ikur nga posti i kryetarit të Këshillit Nacional Shqiptar, meqë nuk arriti ta fitoj shumicën në zgjedhjet e fundit, përveç përgëzimit për udhëheqjen e re, e la edhe një porosi lamtumirëse.

Ish kryetari Beqiri, për ta mbuluar hidhërimin e humbjes së privilegjeve “nacionale”, tha me një dozë humori cinik “uroj këshilltarët e këshillit të posa zgjedhur të koalicionit prej tetë anëtarësh, që e përbëjnë shumicën që gjatë periudhës katër vjeçare të realizojnë këto vendime të cilat i ka sjellë Asambleja e mëparshëm e Këshillit Kombëtar Shqiptar”.

E ato vendime, të cilat nuk ka arritur t’i realizoj Këshilli i mëparshëm Kombëtare, e që janë të një peshe me rëndësi të veçantë për popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, janë me sa vijon:

  1. Vendimi për përdorimin zyrtar të Flamurit kombëtar të pandryshuar,
  2. Vendimi për ndryshimin e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,
  3. Vendimi për emërtimet e vendbanimeve shqiptare që është shpallur në Fletoren zyrtare,
  4. Vendimi për shpalljen me interes të veçantë të Shtëpive të kulturës  në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,
  5. Vendimi për shpalljen me interes të veçantë të Bibliotekave  në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,
  6. Vendimi për shpalljen me interes të veçantë të Enteve parashkollore  në Preshevë dhe  Bujanoc ,
  7. Vendimi për shpalljen me interes të veçantë  Shkollën e muzikës në Bujanoc ,
  8. Vendimi për Emblemën e Këshillit Kombëtar Shqiptar,
  9. Vendimi për zbatimin e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në Institucionet komunale, organizatat publike dhe Institucionet shtetërore,
  10. Vendimi për themelimin e një Muzeu etnografik,
  11. Kërkesa dërguar Ministrisë së Arsimit për lejimin e përdorimit të teksteve shkollore nga Kosova dhe Shqipëria.

 

Nëse këto vendime jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ish kryetari Beqiri, gjatë mandatit të tij katërvjeçar, nuk paska arritur t’i realizoj, për shkak siç thotë, ai, pengesave kryesore nga pushtetet lokale dhe ministritë përkatëse, atëhere si kanë mundësi këta që vijnë pas tij t’i përmbushin, nëse nuk ka një unitet mes institucioneve komunale dhe qendrore.

Në këtë stil do të ankohet edhe përbërja e re e Këshillit Nacional, duke u thirr si, ai, i mëparshmi jo vetëm në mos unitet, por edhe në pengesat që do të vijnë nga opozitarët e këtij institucioni dhe deputetët republikanë.

Po qe se vazhdojnë ndërskamcat, brylat, shantazhet si në të kaluarën, zor se do të kemi edhe për disa vjet në këtë Luginë: përdorim të lirë të simboleve kombëtare, përdorim të barabartë të dygjuhësisë në praktikë, korrigjim të emërtimeve të rrugëve, avancim në kulturë e informim etj.

Po qe se nuk realizohen vendimet e larttheksuara nga ish kryetari Beqiri, të cilat datojnë që nga koha e luftërave të shqiptarëve për liri e pavarësi, një është e sigurt se “dallaveret” rreth emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, do të pushojnë në favor të Këshillit të ri Nacional.

Jo vetëm kaq. Përbërja e re e Këshillit Nacional, do të “argëtohet” edhe me gabimet e ish udhëheqjes së këtij institucioni me akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare, keqmenaxhim të këtij institucioni, për korrupsion, nepotizëm dhe malverzimeve të tjera financiare përmes “pëlqimeve” të njëanshme partiake për projekte të ndryshme me karakter kulturor, arsimor e informativ.

E leksionet e ish kryetarit Beqiri, të cilat vijnë si porosi lamtumirëse, i përngjajnë më shumë asaj thënies popullore: Ia qanë hallin kalorësit se i varen këmbët!”

Nuk ka nevojë Galip Beqiri t’u mbajë “ders”, udhëheqësve të rinj të Këshillit Nacional, të cilët ashtu siç kanë ditur ta pushtojnë Kalanë “nacionale”, do të dinë edhe ta mirëmbajnë atë, në mos ndryshe të paktën ashtu siç kanë vepruara pararendësit e tyre. Mbetet të shihet…..

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch