Home » Lajme, Vendore » Bujanoc: “Masakrimi” i sheshit të qytetit

Bujanoc: “Masakrimi” i sheshit të qytetit

Bujanoci komuna me flamurPo rastisi ndonjë vizitor i huaj, në Komunë të Bujanocit dhe i bie rruga nga sheshi i qytetit, do t’i krijohet përshtypja se aty janë duke u zhvilluar kërkimet arkeologjike ose është zbuluar ndonjë varrezë masive me mbetje mortore.

Në fakt e vërteta është ndryshe!

Pushteti lokal i Bujanocit, ka filluar realizimin e projektit për rregullimin e sheshit të qytetit, projekt ky i financuar nga vet buxheti komunal dhe ndihma e Trupit Koordinues qeveritar.

Rekonstruimi i sheshit të qytetit të Bujanocit, i cili mban emrin e Karaxhorgje Petroviqit, kushton 60 milion din (rreth 600 mijë euro).

Krejt në rregull. Të gjithë jemi për një shesh modern e sipas standardeve evropiane. Askush nuk e konteston vlerën e një projekti të tillë dhe dobinë që sjell, ai, për qytetarët e Komunës së Bujanocit.

Por, vlera e projektit u kontestua me rastin e fillimit të realizimit të tij!

Fillimet e punimeve, bash në kohën e ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje, ngritën shqetësimin e qytetarëve.

Sheshi i qytetit ishte i vetmi vend i grumbullimit të të rinjve dhe grupmoshave të tjera, ku ata me kënaqësi i kalonin netët e freskëta të verës së thatë. Gjithashtu sheshi i qytetit dhe Shtëpia e Kulturës e cila mban po të njëjtin emër Karaxhorxhe Petroviq, ishin burim i kënaqësive dhe ahengjeve të “verës kulturore” për bashkatdhetarët dhe të afërmit e tyre.

Po ky gëzim u shkëput me rastin e fillimit të punës së pushtetit lokal, i cili ka mundur të pres edhe pak ditë deri sa të shkojnë mërgimtarët.

Asgjë nuk kish humbur pushteti dhe punëmarrësi, meqë realizimi i projektit nuk zgjatë dy javë, por jo më pak se 90 ditë.

Bujanoci sheshi1Të pakënaqur me këtë pamje çfarë është krijuar në qendër të Bujanocit, përveç mërgimtarëve janë edhe punëtorët e restoranteve dhe disa çoshqeve, të cilat e kanë shumëpritur këtë verë për tu sjellë profite bizneseve të tyre.

Me kaq nuk përfundon shqetësimi!

Qytetarëve u dhemb zemra se me prishjen e rehatisë së pushimeve të mërgimtarëve, po preken edhe disa vlera të trashëgimisë kulturore, si shkatërrimi i kalldërmeve, të cilat sot ruhen me pedantëri në qytetin e lashtë të Prizrenit dhe Vranjës. Po skandali do të bëhet edhe më i madh, nëse nga ky pushtet prehen drunjtë qindvjeçar, një atak ndaj rrezikimit të ambientit tonë ekologjik!

Pavarësisht nga këto shqetësime, pushteti ynë multietnik, vazhdon të punoj edhe pse zyrtarisht kanë filluar pushimet verore për drejtuesit e tij, të cilët mezi presin të ikin nëpër bregdete për tu çlodhur e relaksuar nga obligimet pushtetare.

Pushimet verore për funksionerët e pushtetit tonë lokal, nuk do të thotë se do të ndërprehen punimet në sheshin e qytetit të Bujanocit, ato mund t’i ndërpres përkohësisht vetëm rrebeshi i shiut nga qielli, i cili këtë punishte po e kthen në një llucë me ujë e baltë si ato moçalet e Myzeqesë së romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës.

 

Nga Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch