Home » Lajme, Shoqëria Civile » Bujanoc: Organizim i dobët i Festës së Flamurit Kombëtar

Bujanoc: Organizim i dobët i Festës së Flamurit Kombëtar

Ngritja FlamuritKomuna e Bujanocit, nuk mban mend, gjatë historisë së saj, të ketë organizuar më keq e më dobët, kremtimin e Ditës së Flamurit Kombëtar.
Qyteti i Bujanocit, nuk u stolis, si dikur, me flamuj kuq e zi, e bile munguan edhe bilbordet me urime: “Gëzuar 28 nëntori, 103 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë!”.
Kravatat e kuqe solemne, të liderëve institucionalë, nuk arritën të grumbullojnë para selisë së Këshillit Nacional, as dhjetëra qytetarë!
Arsyet pse kjo festë, kaq e dashur për shqiptarët, doli e zbehtë e keqe dhe e dobët, në Bujanoc, janë të shumta dhe të kuptueshme.

Ndasitë partiake, klanore e grupore, nuk lejuan, që shqiptarët të jenë bashkë, të pakën gjatë kremtimit të Festës së Flamurit Kombëtar. Kjo dukuri, në Bujanoc e në Luginë, është më e dëmshme se sa moslejimi me ligj i përdorimeve të simboleve kombëtare nga Serbia.

Hiç më larg se para 5 vitesh, kur edhe atëherë ka qenë i ndaluar përdorimi i lirë i Flamurit kombëtar shqiptar, e as që ka qenë i formuar Këshilli Nacional, në qendër të Bujanocit, para godinës së komunës, mezi ke mundur ta vësh këmbën, nga turma e madhe e njerëzve dhe surprizat nga më atraktivet, si ajo e panove, fanelave kuq e zi, flamujve etj.

Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, selia e të cilit gjendet në Bujanoc, ka 5 vite që është formuar dhe akoma, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e kompetencave, për të dhënë, të paktën propozimet e simboleve dhe shenjave festive të pakicës shqiptare në Serbi.

Me sa sy e faqe, liderët e pushtetit lokal, me kravata të kuqe deri në brez, dalin para kamerave televizive e derdhin lot krokodili se Beogradi, nuk ua ka zgjidhur me ligj përdorimin e lirë të simboleve kombëtare?!

Sa me paturpësi ata trumbetojnë se janë të diskriminuar nga Beogradi, kur serbes, në godinat e pushteteve komunale, në të cilat qeverisin prej vitesh, në mënyrë të jashtëligjshme e ngritin Flamurin Kombëtar Shqiptar, e nuk përgjigjen para drejtësisë, si pararendësit e tyre, ndaj të cilëve akoma udhëhiqet procedurë gjyqësore, e madje disa nga ta edhe e kanë braktisur vendin, për akuza të tilla?!

Por, liderët e pushteteve tona lokale, janë mësuar me dështime. Ata, nuk u skuqën si kravatat e tyre të kuqe, nga mospërgjigja e qytetarëve në ftesën për kremtimin e Flamurit Kombëtar. Ata, nuk janë skuqur as kur u janë konfiskuar librat, të cilat vetë i kërkuan nga Ministria e Arsimit të Kosovës, pastaj nuk u turpëruan, kur para hundëve të tyre, xhandarmëria hoqi Lapidarin e UÇPMB-së, e gabime të tjera, me thes, rreth formimit të „Zajednicës” e mosrealizimit të marrëveshjeve, të cilat i nënshkruan e kurrë nuk i implementuan! Ata, nuk skuqen, ngase paguhen mirë nga shteti, i cili i favorizon me paga të majme, projekte kapitale e privilegje të tjera.

Mirëpo,mjerisht, Kravatave të Kuqe, u ka mbetur edhe pak pushtet, deri te zgjedhjet e reja, për ta korrigjuar nivelin dhe mënyrën e komunikimit të tyre me qytetarët, pa të cilët jo vetëm, që s’do të kenë vota, por as manifestime me dinjitet!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch