Home » Opinione » Bujanoc: Pagat në qiell, “raja” në “cedillë”!

Bujanoc: Pagat në qiell, “raja” në “cedillë”!

ParatëShteti i Serbisë, për shkak ngërçit politik dhe kolapsit ekonomik, ka ndërmarrë një varg masash preventive për ta nxjerr vendin nga kriza.

Beogradi, në vend se ta shtrëngoj rripin, ka zgjedhur një formë tjetër të veprimit: shtrëngimin e kravatës!

 

Të parët që duhet ta shtrëngojnë kravatën janë punëtorët e sektorit publik.

Përveç zvogëlimit të pagave për 10 %, këta punëtorë i pret edhe një stuhi tjetër, ajo e largimit nga punë, me urdhëresën e vitit të kaluar për zvogëlimin e administratës.

Sektori publik, gjithashtu, duhet të harrojë se me buxhetin e vitit 2015, nuk do të ketë ekstra profit, bonuse e privilegje të tjetra komode.

Sipas buxhetit për vitin e ardhshëm, planifikohet në Serbi të ngelin pa punë 7 mijë persona. Kjo valë e largimit nga puna ka prekur edhe komunat e Luginës së Preshevës.

Njëra nga komunat, që u prek dhe u godit me kamxhikun financiar është Komuna e Bujanocit.

 

Punëtorët e sektorit publik, gjatë muajit nëntor ngelën pa paga, për shkak mosdëgjueshmërisë së qeverisjes lokale, e cila nuk deshi t’i bindet urdhrave të qeverisë për zvogëlimin e punëtorëve të administratës. Në vend të pagave, këta punëtorë fatkeq, morën vetëm 30 për qind të pagave paushall.

Megjithatë, Qeveria e Serbisë, me këto masa preventive nuk njeh as paushallin as honorarin, përveç pagave të cunguara për 10 për qind.

Përkundër këtyre masave ekonomike, kreu i ekzekutivit, në pushtetin lokal të Bujanocit, kundërligjshëm ka ngritur pagat për 30 për qind.

E pagat e udhëheqësve të kësaj komune, nga më të varfrat në Serbi, ka shkelur mbi 100 mijë dinarë, pa llogaritur paushallet, që gëzojnë në poste të tjera udhëheqëse.

Me këtë rritje të pagave deri në qiell, në kurriz të popullit, një funksioner i Komunës së Bujanocit, merr të ardhura mujore më shumë se sa një punëtor krahu për një vit!

Jo vetëm kaq!

Kur t’ia shtojmë këtyre pagave të majme të zyrtarëve të lartë edhe bonuset e tjera të ardhura nga tenderët dhe projektet afariste, del se këta zotërinj të pushtet vjelin të ardhura vetëm për një muaj, sa një punëtor i shkretë, për jetë!

Ky lajm i keq për punë dhe paga, po vjen në prag të Vitit të Ri. Në vend se punëtorët të gëzohen për ndërrimin e motit me dhurata, përqafime e urime, ata i zë trishtimi se çfarë viti i pret pas! Me rëndësi është, që pushtetarët të gëzohen e nga ngrohtësia e buzëqeshjeve të tyre, të zbusim krizën dhe dimrin e acartë, që po na pret!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress