Home » Lajme, LPD » Bujanoc: U MBAJT KUVENDI I DYTË ZGJEDHOR I GRUAS SË LPD-së

Bujanoc: U MBAJT KUVENDI I DYTË ZGJEDHOR I GRUAS SË LPD-së

Në sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në, Bujanoc, dje Lëvizja e  Progresit  Demokratik,  mbajti Kuvendin e  Dytë zgjedhor të  Forumit të Gruas, në të cilin merrnin pjesë përfaqësuese të nëndegëve të këtij subjekti politik në nivel komune.

Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas së LPD-së, fillimisht u hap me intonimin e Himnit Kombëtar, pastaj fjalën e mori lideri I këtij subjekti politik z. Jonuz Musliu, i cili njëherit është edhe kryetar I Kuvendit Komunal në Bujanoc. Gjatë diskutimit të tij, zotëri Musliu, u përqëndrua në rolin dhe rëndësinë që ka përfshirja e femrës në të gjitha sferat e veprimtarive arsimore, kulture, politike dhe ekonomike të vendit.

“LPD-ja është e përkushtuar që në mënyrë sa më masovike të përfshijë të gjitha kuadrot e reja profesionale, rininë si dhe një hapësirë të veçantë i kushton inkuadrimit të femrës në jetën politike, duke i siguruar edhe rol udhëheqëse në vendimmarrje”, tha mes tjerash zotëri Musliu, në Kuvendin zgjedhor të Forumit të Gruas së LPD-së.

Në vazhdim fjalën e mori Nyrtene Jusufi, këshilltare komunale nga radhët e Lëvizjes së Progresit Demokratik e cila e theksoi nevojën e përfshirjes më të madhe të femrës në rrjedhat politike, për të dhënë edhe ajo kontributin në zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e kësaj komune e posaçërisht femrat, të cilat pak janë të punësuara dhe të integruara në proceset politiko – shoqërore të vendit.

Forumi Rinor i Lëvizjes së Progresit Demokratik e mirëpret formimin e Forumit të Gruas, duke i dëshiruar asaj suksese në përmbushjen e obligimeve që i dalin përpara drejt avancimit të femrës në skenën tonë politike, tha në diskutimin e tij z. Megzon Ismaili, përfaqësues i Forumit Rinor dhe shtoi: “Forumi Rinor i Lëvizjes së Progresit Demokratik, formimin e Forumit të Gruas e konsideron si një krah të fortë në rrugëtimin e realizimeve programore, të këtij subjekti politik, i cili tashmë e  ka dëshmuar rolin e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare të Luginës së Preshevës”.

  Këtë Kuvend zgjedhor me diskutimet e tyre e nderuan edhe aktiviste të tjera të LPD-së.

Në vijim kryesia e punës së Kuvendit Zgjedhor të Forumit të Gruas së LPD-së zgjodhi kryesinë prej 11 anëtarësh. Për kryetare të Forumit të Gruas njëzëri u emërua Fatlume Lutfiu, nënkryetare Teuta Arifi, ndërsa për sekretare Zuale Ajeti.

Fjala përshëndetëse pas procesit zgjedhor iu dha kryetares së sapozgjedhur të Forumit të Gruas Fatlume Lutfiu, e cila i falënderoi të pranishmet për besimin e dhënë në udhëheqjen e këtij forumi.

Kuvendin zgjedhor të Forumit të Gruas së LPD-së e përshëndetën Forumi i Gruas së AAK nga Prishtina dhe Forumi i Gruas së BDI nga Tetova.

Në fund të këtij Kuvendi zgjedhor kryesia e LPD-së, shtroi një koktej rasti për të gjitha femrat e pranishme, njofton Qendra për Informim e LPD-së.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch