Home » Lajme, Vendore » Bujanoc: Unioni republikan ballkanik – një hap i madh historik!

Bujanoc: Unioni republikan ballkanik – një hap i madh historik!

PR - Foto 12.2015Me iniciativën e Këshillit Komunal të Partisë Republikane, nga Bujanoci, të cilin e drejton Avdil Ramadani, gjatë të hënës së 28 dhjetorit, në selinë qendrore të Partisë Republikane, në Tiranë, u organizua një takim i përbashkët i republikanëve nga tri shtete: Shqipëria, Kosova dhe Serbia.

 

Gjatë takimit të tre kryetarëve: z. Fatmir Mediu, i Partisë Republikane të Shqipërisë, z. Faton Kurti,  i Republikanëve të  Kosovës dhe z. Nikolla Sandulloviq, i Partisë Republikane në Serbi, në prani të përfaqësuesve të republikanëve nga Lugina e Preshevës, u biseduan mundësitë rreth krijimit të një Unioni Ballkanik Republikan.

 

Për herë të parë në marrëdhënien e dy kombeve, atij Shqiptar dhe Serb, vjen një zë ndjese nga pala serbe, pikërisht nga kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, zoti Nikolla Sandulloviq, për krimet e luftës në Kosovë, i cili tha se janë këtu, që në emër të popullit serb, të kërkojnë falje për krimet e luftës në Kosovë. ”Na vjen keq që popullit kosovar, për interesa të ngushta të politikanëve serbë, iu desh kaq shumë mund, vuajtje e gjak për të marrë lirinë e saj. Ne e përgëzojmë, që pas gjithë këtij kalvari Kosova është një shtet i lirë, i pavarur dhe sovran. Serbët e mirë e njohin këtë. Sot e gjithë bota duhet të dijë këtë lajm. Ne si forcë politike kemi synim njohjen zyrtarisht të shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Serbisë në BE dhe NATO”, theksoi zotëri Sandulloviq.

I ndodhur përballë kësaj deklarate ndjese, kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, zoti Mediu shprehu vlerësimin e tij maksimal për stadin e pjekurisë politike, që po arrihet në Ballkan. Ai tha se “deri më sot kemi rrëmuar për të gjetur çfarë na ndan, ka ardhur momenti të bëjmë të kundërtën. Ne kemi më shumë të përbashkëta, dhe këto na bëjnë të jetojmë në paqe me njëri tjetrit. Me lejoni të citoj një shprehje – Në vend që të mallkojmë errësirën, të ndezim një qiri për të bërë dritë”. Mediu tha, gjithashtu, se “Ajo që na mbetet është ta shohim këtë si një histori europiane e një vendi anëtar i NATO-s. Ne si parti Republikane, jemi të disponueshëm të gjejmë urat e komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon”.

Ndërkohë, Kryetari i Partisë Republikane Kosovë, Faton Kurti tha se “kjo është një iniciativë e përbashkët për të parë një mundësi bashkëpunimi në të ardhmen. Të bëjmë atë që qeveritë tona dhe Bashkimi Europian, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Ky është takimi i dytë historik, pasi të parin unë me përfaqësinë time e patëm në Serbi ku u pritëm nga zoti Sandulloviq, i cili për hir të së vërtetës na surprizoi jo vetëm më pritjen, por edhe me deklaratat e tij. Ardhja jonë sot në Tirana në emër të PR-së përbën një histori suksesi”, tha ndër të tjera zoti Kurti, njofton Shërbimi Informativ i Këshillit Komunal të Partisë Republikane, nga Bujanoci.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch