Home » Kulturë » BUQETË ME LULE TË FRESKËTA, NGA ITALIA DHE ZBULIMI I NJË “SEKRETI”…

BUQETË ME LULE TË FRESKËTA, NGA ITALIA DHE ZBULIMI I NJË “SEKRETI”…

-Skicë-

Nga: MURAT GECAJ

Altini, Marcello e Lorena

Nga e djathta: Altini, Marcello e Lorena

Siç është e kuptueshme, jeta e çdo çifti ka të veçantat e saj. Nga ky rregull i pashkruar nuk kemi bërë përjashtim as unë, me bashkëshorten, Katrinën. Kur u njohëm së pari, sigurisht, nuk u kushtuam ndonjë rëndësi datëlindjeve tona. Por, më vonë, kur nisëm t’i festonin me modesati ato, ndjemë kënaqësi për përputhshërinë, pra se të dy kishim lindur në muajin mars dhe ishim “marsianë”. Kështu, ndërsa ajo kishte lindur me 17 mars, unë datëlindjen e kam më 23 mars (shënuar, gabimisht, në dokumetet zyrtare,  29 mars), pra vetëm 5-6 ditë më pas. Për ta thjeshtuar festimin e ditëlindjeve tona, nisëm të ndiqnim një praktikë, me të cilën u përshtatën edhe tre fëmijët tanë. Pra, ceremonitë tona modeste, sipas kushteve e mundësive tona, i bënim gjithnjë në mesin e këtyre datave, pra në çdo 20 mars.

Nuk dua të zgjatem e ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, me këto fakte vetjake, gjë për të cilën ju kërkoj ndjesë. Por ishte një suprizë e këndshme dhe e pa përjetuar kurrë më parë, që më bëri të shprehm sot. Nuk kanë kaluar vetëm pak orë, kur në derën e banesës sonë ra zilja, por pak e zgjatur. Zakonisht, kështu veprojnë postjerët dhe mendova se, si zakonisht, më vinte ndonjë revistë nga kolegu e miku im, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Ndërsa, kur unë e bashkëshortja u ndodhëm përballë personit të panjohur, përjetuam çaste habie dhe emocione, njëkohësisht. “E keni këtë buqetë me lule nga Italia,-na tha ai.-Ja, lexojni se çfarë shkruhet në kartolinën shoqëruese…”.Të them të vërtetën, më parë nuk e kishim provuar një praktikë të tillë.

Pasi e falënderuam postierin, i cili vinte nga një dyqan lulesh të kryeqytetit dhe na tregoi se porosinë e kishin marrë direkt nga Italia, u kthjelluam e u qetësuam, duke ndjerë dhe kënaqësi të patreguar shpirtërore. Buqetën stërmadhe të luleve, me fjalët në kartolinën e saj, na e dërgonte djali ynë i vogël (tashmë, mbi 42 vjeç), Altini dhe shoqja e tij, Lorena, me djalin Marcello. U morëm erë atyre luleve, sikur të kishim pranë ngrohtësinë dhe erën e mirë të atyre shumë  të dashurve tanë. Pastaj, pak nxitimthi, lexuam fjalët e dërguara në mesazhin e tyre, pikërisht sot, më 20 mars 2014, në vazhdim të traditës shumëvjeçare, për festimin e ditëlinjeve tona.

Pra, ja çfarë na shkruanin ata, nga qyteti Asti, në Italinë veriore: “Për Murat dhe Katrinë Gecaj: Nga larg, ne ju dërgojmë një tufë me lule të freskëta që t’u kujtojmë, me mall e dashuri dhe që t’u sjellë sa më shumë gëzime e lumturi. Jemi larg e s’shihemi dot, po me këto lule ju përqafojmë fort, fort! Urimi ynë i zemrës është: U bëfshi edhe 100 vjet tjera dhe ju çojmë nga një puthje, veç e veç. Me shumë mall e dashuri-Tini, Lori e Marçi”.

Mendoj se, çdo koment tjetër, është i tepërt dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj. Faleminderit!

Tiranë, 20 mars 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch