Home » Intervistë, Lajme, Ndërkombëtare » CA PERSHTYPJE MBI TAKIMIN E PRESIDENTIT TE KOSOVËS Z. HASHIM THAÇI ME KOMUNITETIN SHQIPTAR NË SHBA

CA PERSHTYPJE MBI TAKIMIN E PRESIDENTIT TE KOSOVËS Z. HASHIM THAÇI ME KOMUNITETIN SHQIPTAR NË SHBA

LEONORA LAÇI

Këto ditë ndoqa në rrjetet sociale një video ku shfaqet veprimtari shqiptaro-amerikan, publicisti z.Agim Aliçkaj, anëtar i keshillit të Vatrës dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane, i cili i bëri disa pyetje guximtare Presidentit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Z. Agim Aliçkaj ka qenë sëfundmi kritik ndaj qeverive të Kosovës, mendimet e tija i ka shprehur në intervista dhe artikujt që ai ka botuar në shtypin e ditës.

Presidenti Thaçi u prit në Federatën Panshqiptare Vatra këtë prag pranvere. Nuk mund të them se është prag pranvere dhe për zhvillimet politike në Shqipëri e Kosovë që kanë kaq shumë gjëra të përbashkëta në politikbërje sa duket sikur kopjojnë njëra-tjetren.  Pyetjet ishin mëse të drejta, të cilat do i bënte çdo shqiptar që i do të mirën vendit të vet, që ndjen dhimbje kur sheh që dita-ditës lirinë po e humbin me duart e veta, pavarësisht nëse ndodhet larg apo afër atdheut. Një shqiptar që jeton dhe punon në Kosovë do ishte matur dy herë për t’i bërë pyetje Presidentit Thaçi, sepse demokracia jonë nuk është aq demokratike sa është e shkruar në fjalore të ndryshme. Demokracia jonë dhe liria për tu shprehur përfundon aty ku cenon pushtetarët.  Por kjo nuk vlen për z.Agim Aliçkaj, edhe pse politikanët tanë nuk janë mësuar të kritikohen apo të vendosen në pozita të tilla. Mbledhjet me diasporën duhet ta kalojnë nivelin e inferoritetit “sa për fotografi”, dhe të hidhen në një nivel tjetër, ku politikani të ketë detyrime dhe ndaj diasporës, të ndjejë përgjegjësi politike dhe morale përpara tyre, sepse edhe ata janë qytetarë të tyre dhe duhen respektuar e vlerësuar maksimalisht.

Fjala e veprimtarit Agim Aliçkaj-“Ju përshëndes të gjithëve, Presidentin e Ambasadoret, faleminderit për ardhjen tuaj në shtëpinë e Vatrës edhe ardhja e jonë këtu dokumenton se ne i respektojmë institucionet tona, në të njejtën kohë si shqiptar e shqiptaro-amerikan e dojmë vendin tonë, deshirojmë që ta shprehim mendimin tonë shpesh herë ndoshta mundet me qenë edhe i kundërt me atë që thojnë të tjerët por me respekt për njëri-tjetrin dhe me qellime të mira, por jo për të nënçmuar dikë apo diçka.

Në bisedimet me Serbinë po më duket se nuk kemi pasur sukses në këto 12 vite, arsyeja ështe sepse po vihen në të njejtin nivel agresori me viktimën. Pra po na konsiderojnë njësoj. Është dasht që të nxirren faktet që demonstrojnë masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve, në tavolinen e bisedimeve dypalëshe për t’i treguar serbve se pa kërkuar falje nuk ka dialog dhe mos të sillen  si viktimë. Që t’ja kujtojmë Serbisë, që ti je agresori, Serbia nuk është denuar për krimet e veta, ajo vetëm është bombarduar për tu tërhequr nga Kosova. Por nuk është dënuar, kemi plotë të pagjetur, nëna shqiptare që s’dinë ku i kanë fëmijët e tyre.

Serbia nuk pranon ta njeh Kosovën, si shtet i pavarur dhe ajo del haptazi armiqësore ndaj Kosovës. Por ata me qendrimet  e tyre armiqësore po tolerohen, e ne po sillemi burra të mirë, e s’po tolerohemi hiq.

Pyetja e parë:-“Nëse hiqen sanksionet (taksa 100% për produktet serbe) dhe nuk i bëjmë asnjëllojë presioni Serbisë, pra mos ekzistenca e kësaj takse, mungesa e presionit ndërkombëtarë, si do të bindni Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës?! Këtë pyetje ia bëra dhe ambasadorit Amerikan të Kosovës.

Ndërhyrja e Presidentit Thaçi- Çka të tha Ambasadori?

Ai dha përgjigje diplomatike…

Pavarësia e Kosovës, integriteti territorial i saj nuk mund të bëhen leshime, dhe asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës, s’do të vendoset se çka doni, kështu pra nuk do të ketë zgjidhje problemi serbo-shqiptar edhe sikur të çohet Amerika, është e kotë të zgjidhet. Çka do që të nenshkruan nëse nuk mbetet ky territor i Kosovës, s’kemi me pasë sukses kurrë, kemi me vujtë edhe 2 mijë vjet.

Pyetja dytë: Një çështje që ju ndihmon juve në bisedime është çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Pse bisedohet me Serbinë për serbët në Kosovë, duke qenë se është çështje e brendshme e Kosovës, ndërsa nuk e kemi drejtu raportin për të biseduar për shqiptarët nën Serbinë, kush mundet me ju ndal, që ato privilegje që i kanë marrë serbët në Kosovë m’i pasë edhe shqiptarët në Serbi.

Pyetja tjetër: Ne po ju respektojmë juve si President, po ju a po e respektoni popullin. Mos po bëni ndonjë marrëveshje në prapravijë pa e ditur ne?!”

Do mendoni ju që Thaçi iu përgjigj pyetjeve?! Jo drejtpërdrejt, ai dha përgjigje diplomatike. Në formë të përmbledhur Presidenti i Republikës së Kosovës vlerësoi rolin e diasporës, më tepër mu duk me fjalë sesa me vepra. Presidenti i konsideroi si pozitive zhvillimet në Kosovë përgjatë 12 viteve pavarësi, si dhe u shpreh besimplotë për të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë.

Presidenti Thaçi mes të tjerash tha:-“Ju jetoni në Amerikë dhe e dini se ka etnitete të ndryshme, por duhet me jetu dhe në demokraci dhe liri, dhe me i afirmue ato të drejta. Unë po iu them, që ne duhet mos me u vonue.  U fol për Presheve, Medvegja, Bujanovc, unë edhe sot them, këto duhet t’i bashkangjiten Kosovës, por me ndryshue harta e Serbisë e jo harta e Kosovës. Kurrë s’keni me dëgju prej meje diçka të tillë, ma heret. Jam i vetmi që e permendi dhe do vazhdoj gjithmonë. Sikur që e theksoj, thash jemi në një proces të ri, që duhet me çue Kosovën drejt të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Institucione këto që nuk mund të hyjmë pa një mbështetje të plotë të partnerëve tanë. Heqja qafe njëherë e përgjithmonë e Serbisë ka ndodhur, Serbia është larguar prej Kosove. Por Serbia e ne jemi fqinj. Tash duhet defenetivisht me ndërtu një relacion të fqinjësis që është në interes të shtetit të Kosovës, paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Si vende të pavarura me njohje reciproke pa cenuar territorin. Qendrimi im ështe se ne duhet të jemi të kujdesshem në raport me partneritetin tonë në raport me SHBA. Në asnjë rrethanë nuk guxojmë m’i lendu këtë partneritet.”

Në perfundim të takimit z. Aliçkaj bëri vërejtje se Amerika nuk duhet kundershtuar, por me të duhet punuar për ta bindur të jetë në anën tonë të drejtë siç bëmë para 30 viteve kur e bindem se Serbia ishte fajtore për situaten. Ai çfaqi mospajtim me deklaratën e presidentin për kinse bashkim të Kosoves lindore, e cila gjë është joreale. Është më mirë dhe na ndihmon më shume në bisedime të kerkohen të njejtat të drejta dhe privilegje që i kerkon Serbia për pakicat serbe në Kosovë.”

Presidenti Thaçi është i vetëdijshëm që diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur rolë mjaft të rendësishëm për zhvillimin ekonomik te Kosovës e Shqipërisë, por jo vetëm. Ata kanë qenë të parët nëpër demonstrata për çështjen e Kosovës përpara OKB-së, kanë zhvilluar takime në kongresin amerikan, kur ende Kosova nuk ishte shtet. Politikanët e Kosovës kanë nevojë për diasporën shqiptare dhe jo diaspora shqiptare për politikanët shqiptarë. Diaspora shqiptare në SHBA jeton në demokracinë e vërtetë dhe është skeptike mbi sinqeritetin e politikanëve që vijnë, hanë e pijnë dhe kthehen në strofullën e vet, në hajninë e vet, në demagogjinë e vet, në rrethin e vet që nuk ia thotë të vërteten në sy, që Kosova ka shumë punë ende për të bërë, që duhet pasur kujdes se Serbia nuk ka synuar ndonjëherë të jetë fqinji i Kosovës por uzurpuesi i saj, ashtu si e fituam Kosovën, lehtësisht mund ta humbim sepse politikanët e dobët shiten e blihen.

Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kohë të merren pafundësisht me ne, prandaj politikanët e Kosovës duhet të jenë njëzëri për ardhmërinë e Kosovës, dhe jo të mendojnë për sigurime pushtetesh.

Përgjigjet e Presidentit ndaj këtyre pyetjeve ishin të tërthorta dhe të matura duke mos rrezikuar të “fliste më shumë seç duhet”, por aspak bindës mbi realitetin. Takimet me komunitetin duhet të kenë seriozitetin e duhur, dhe pyetjet e tyre s’duhet të merren me shaka, sepse Presidenti Thaçi, nuk ka shkuar si Hashim Thaçi, por si presidenti i një vendi europian.

DY FJALË DHE PËR MIKËPRITËSIT E  PRESIDENTIT HASHIM THAÇI

Federata Panshqiptare Vatra ka pritur e përcjellur personalitete të fushave të ndryshme, politikanë amerikanë e shqiptarë, në shtëpinë e saj, në gjirin e saj. Por Vatra nuk duhet të jetë thjesht organizatore e takimeve me përfaqësues të popullit nga Shqipëria e Kosova, por dhe t’i jap udhëzimet e duhura, t’i kritikoi ata kur nuk po punojnë apo veprojnë si duhet. Vatra duhet të jetë një opozitë nga larg e politikave të këqija, dhe të përgëzoi nismat e mira. Vatra nuk duhet të jetë pasive ndaj zhvillimeve politike të Shqipërisë e Kosovës. Nuk duhet të jetë një spektator i emigrimit të intelektualëve, emigrimit të fuqisë punëtore, ajo duhet t’i kërkoi shteteve respektive shqiptare që të marrin masa parandaluese për këto fenomene. Vatra duhet të jetë pasqyra ku politikanët shqiptar të shohin defektet e veta dhe të mundohen të përmirësohen. Vatra duhet të luaj rolin që i takon si institucioni më i vjetër i diasporës shqiptare në SHBA.

Vatra nuk duhet vetëm t’i rrahi shpatullat politikanëve shqiptarë, nuk duhet të harrojë misionin që ka si zëri i komunitetit shqiptar, e jo të bëhet njësh me politikanët. Vatra duhet të qendroi më lartë përballë cilitdo politikan shqiptar pavarësisht pozicionit politik që mund të ketë ai. Vatra ka qënë dhe duhet të vazhdoi misionin e saj si organizatë patriotike mbarëkombëtare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch