Shans i madh për “profesor” Lorik Canën. Të enjten mbrëma, kundër Rabotniçkit, mesfushori shqiptar që ka një pasion të çmendur për arkeologjinë dhe historinë, do të luajë ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Lacios.
Rreth tij ka një kuriozitet të madh, duke qenë se pas Miroslav Kloses dhe Djibril Cisses, është lojtari më i rëndësishëm i blerë në merkaton e verës. Ndaj maqedonasve do të jetë në fushë nga minuta e parë në krah të Francelino Matuzalem.
Për shkak të dëmtimit të Cristian Brochit, mund të luajë nga minuta e parë edhe kundër Chievos në ndeshjen e parë të Serie A, në krah të Chrsitian Ledesmas. Cana është duke u përgatitur për sfidën evropiane sikur të ishte evenimenti më i rëndësishëm i karrierës së tij. Mjafton të shohësh që në Shkup të Maqedonisë, vetëm për shkak të prezencës së tij në fushë, do të jenë në stadium një numër i konsiderueshëm tifozësh shqiptarë, afro 300.
Cana mendonte ta përjetonte ndryshe muajin e parë te Lazio, por ai nuk është shkurajuar, përkundrazi, ka vazhduar të punojë pa e ulur ritmin. Brenda dhomave të zhveshjes, duke qenë një tip pa komplekse, i ka fituar të gjithë. Tani mezi pret që të vijë përgjigjja edhe në fushë. Për një si ai, i mësuar të jetë titullar, është një gjë e rëndësishme. Për trajnerin Edi Reja, Cana është një lojtar i rëndësishëm, me temperament dhe perfekt për rolin e mesfushorit. Gjithsesi, këto ditë ka qenë pak dinamik, gjë që duket normale duke parë edhe faktin që ka zhvilluar pak përgatitje.
Në 4 vjetët e fundit Cana ka ndërruar 4 ekipe: Olympique Marceille, Sunderland Galatasaray e Lazio. Dëshira e tij është të stabilizohet në Itali, për t’u kthyer më pas në Shqipëri. Të luajë me Lazion dhe të jetojë në një qytet si Roma, për një si Loriku, i regjistruar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Arkeologjisë, është maksimumi. Kur të përfundojë së luajturi, ai do të bëhet arkeolog me profesion. Deri më tani është limituar duke vizituar disa objekte antike, sepse është një pjesë e Romës që kërkon ta njohë më mirë.