Home » Opinione » ÇKA PO NA DËGJOJNË VESHËT, E ÇKA PO NA SHOHIN SYTË?!

ÇKA PO NA DËGJOJNË VESHËT, E ÇKA PO NA SHOHIN SYTË?!

Nehat Hyseni2014-1Shkruan: Nehat Hyseni

Në një emision televiziv të RTK të para disa ditëve, ishte i ftuar një biznesmen i
suksesshëm shqiptaroamerikan i Malësisë së Shkodrës.
I mbushur me atdhetarizëm, ai fliste për Shqipërinë enveriste, për Kosovën dhe për
shqiptarët, kudo që janë. Në një vizitë që i kishte bërë Shqipërisë, ishte takuar
edhe me kreun politik e shtetërorë. Mikëpritja paska qenë e shkëlqyeshme dhe
nikoqirët e paskan pyetur:

“Si po ju duket Shqipëria sot”?

Në vend të përgjigjes direkte, ky zotëri paska zgjedhur për të treguar një tregim,
se si dikur një nuse që vjen për vizitë së pari nga shtëpia e burrit, në familje e
paskan pyetur:
Bijë, si po të duket shtëpia e burrit?
Ajo u paska përgjigjur: “Tybe nënë, me sa kam dëgjuar, shumë mirë. Por, me sa më
panë sytë, mozomakeq”!

Ky tregim, kam përshtypjen se më mirë se çdo gjë tjetër sqaron situatën aktuale në
Kosovë.

Akoma na ushtojnë veshët nga zhurma e fushatës parazgjedhore, ku premtimet ishin aq
megalomane, sa që do të mjaftonte një mandat katërvjeçar për ta arritur Zvicrën në
zhvillim ekonomik dhe në demokraci. Premtimet nuk kishin fund!

Sidomos kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçit, nuk i dilte askush përpara, i cili,
me mëngë të përvjelura, donte t’i imitonte Amerikanët, duke dashur të jep mesazhin
se është “i gatshëm” në çdo kohë për të punuar “për Kosovën”.
Ndërkaq, partitë tjera, pothuajse pa përjashtim, mundoheshin t’ia kalonin Thaçit,
por, me ose pa vetëdie, ato ranë në grackën e imituesve të Thaçit, duke dalur kush
më keq, e kush akoma më keq!
Sepse, nuk kishte mundësi të mashtrohen votuesit kosovarë me kopje të dobët dhe të
deformuar të “origjinalit” Thaçi.
Në “yrishin” e Thaçit për mandatin e tretë për (keq) qeverisjen e Kosovës, veshët
tanë dëgjuan e ç’nuk dëgjuan?
Madje, shtatë vjet pas të ?(keq)qeverisurit të tij si Kryeministër i vendit: se do
të punësoj 200.000 punëtorë, se rrogat do t’i bëjë 1000 euro, se…, me premtime të
pafund, na u mbushën veshët me të dëgjuar premtime nga më të ëmblat dhe më të
dëshiruarat!
Madje edhe partitë tjera mundoheshin ta kopjojnë Thaçin në fushatë, duke iu
bashkëngjitur garës së premtimeve.
Ndërkaq, çfarë janë duke na parë sytë pas shtat vjet qeverisjeje të Qeverisë Thaçi?
Kosova është zhytur në korrupsion dhe zen vendin e parë në rajon, (mos) liria e
shprehjes së lirë dhe shtypit është në gjendje të patolerueshme; qytetarët e Kosovës
janë më të izoluarit dhe të vetmit në Europë të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza
në vendet e BE-së, duke jetuar si të izoluar dhe getoizuar; Dialogu i Brukselit, të
cilin e zhvilloi kjo qeveri, serbëve të Kosovës u siguroi shtetin serb brenda
Kosovës, kurse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk i përfshiu fare as në Dialog, e
as në Marrëveshjen Brukselit të 19 prillit 2013, duke i lënë nën mëshirën
e regjimit antishqiptar të Serbisë, pa kurrëfarë përkujdesje shtetërore të shtetit
amë-Kosovës, etj, etj.

Numërimi i fakteve retrogarde dhe denigruese të realitetit tonë politik dhe situatës
së gjithëmbarëshme që po na shohin sytë, paraqet një zymtësi rënqethëse dhe të
tmerrëshme, që ia ka zënë frymën dhe e ka katandisur mozomakeq popullin e mjeruar të
Kosovës.

Gjatë tërë kohës na trumbetojnë proamerikanizëm dhe demokraci, kurse vet hezitojnë
ta përfillin parimin themelorë të demokracisë amerikane: atë të dy mandateve. Edhe
presidentët më të suksesshëm dhe kolosët e politikës amerikane, si psh. Ronald
Regan, Bill Clinton, etj. nuk qeverisën më shumë se dy mandate, ashtu si tē gjithë
presidentët e mëparshëm, me përjashtim të Presidenti i 32-të, Demokrati Franklin D.
Roosevelt, i cili qeverisi nga 4 marsi1933, deri më 12 prill1945, meqë për shkak të
LDB dhe pamundësisë së organizimit të zgjedhjeve, i ushtroi tre mandate
presidenciale.

Kurse tek ne akoma nuk është futur në Kushtetutë ky parim i Demokracisë Amerikane,
edhepse tërë kohën politikanët tanë përpiqen të na bindin për “proamerikanizmin” e
tyre!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch