Home » Lajme, PVD, Vendore » D e k l a r a t ë e Partisë për Veprim Demokratik

D e k l a r a t ë e Partisë për Veprim Demokratik

Fushata e egër anti PVD e portalit “Presheva.com” që kishte arritur kulmin pas shkarkimit të ish kryetarit të komunës Shqiprim Arifi, përsëri po acarohet tash në kuadër të misionit destruktiv të bllokimit të Kuvendit Komunal të Preshevës, me qëllim të anulimit të rezultatit të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar dhe zëvendësimit të dhunshëm të këtij Kuvendi me organ të përkohshëm.
Ky portal njësoj si në fushatën e mëhershme kur pa asnjë argument akuzoi kryetarin e PVD – së në artikullin shpifës me titullin senzacional “Skandal: Riza Halimi intervenon në Beograd që të mos hapet fabrika “Solid”, tash përsëri paraqitet me shpifje bajate duke përdorur të njejtin model në shkrimin me titull “Skandal: Kështu kërcënohet këshilltari i Kuvendit Komunal në Preshevë, Xhemail Fazliu”.
Derisa në rastin e parë për arsyetimin e shpifjeve u tentua në formë manipuluese të përdoren deklaratat e montuara të një ish zëvendës ministri të shkarkuar, tash ky portal akuzon PVD – në për shantazhe dhe kërcënime me të njejtën formë shpifëse duke manipuluar me deklarata krejtësisht joserioze të këshilltarit të Kuvendit Komunal, Xhemail Fazliu. Deklarata e këtij këshilltari se “persona të dyshimtë që iu kanë prezentuar kinse si zyrtar të Ministrisë së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Shqipërisë, po herë pas here edhe si pjestar të shërbimeve sekrete, kanë bërë presion në të për të marrë pjesë në Kuvendin Komunal” është e pa denjë për një këshilltarë të Kuvendit Komunal, sepse janë bërë akuza morbide pa ofruar asnjë argument!
Këto akuza janë të njejtit format si deklaratat e mëhershme të këtij këshilltari se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e PVD – së. Në realitet Xhemail Fazliu nuk ka qenë anëtarë në asnjë organ udhëheqës të PVD – së, pos që ishte njëri nga 10 këshilltarët e PVD – së në Kuvendin Komunal të Preshevës.
Do të kishte qenë më e ndershme nga ky këshilltar, t’i kishte dhënë llogari nëndegës së PVD – së në Rahovicë e cila e ka kandiduar dhe e ka mbështetur për t’u zgjedhur këshilltarë i Kuvendit Komunal të Preshevës. Gjithashtu do të kishte qenë normale që të gjitha këto kritika dhe akuza t’i kishte paraqitur më herët në takimet e grupit të këshilltarëve të PVD – së apo edhe në mbledhjet e përbashkëta të kryesisë së degës së PVD – së me grupin e këshilltarëve.
Mirëpo, këshilltari Xhemail Fazliu sipas tekstit të portalit “Presheva.com”, i pastruar nga të gjitha normat morale, e vazhdon rrebeshin e shpifjeve dhe deklaron se nga pushteti aktual dhe strukturat e PVD – së iu kanë ofruar para. Mirëpo, njësoj si për tregimin e presioneve dhe kërcënimeve ashtu edhe për meselen e parave të ofruara, pos retorikës brutale, nuk paraqitet asnjë argument serioz.
Është e njohur se në fushatat zgjedhore të gjitha subjektet politike angazhohen me tërë potencialin njerëzorë dhe finansiarë për të siguruar sa më shumë mandate këshilltari. Partia për Veprim Demokratik nga 10 mandatet e fituara në zgjedhjet e kaluara shumicën e mandateve ia ndau veprimtarëve të rinj që nuk kishin qenë më herët këshilltarë, e njëri prej tyre ishte edhe Xhemail Fazliu. Andaj, është krejtësisht e pakuptueshme logjika e këtij këshilltari, që paska nevoj për ekstra pagesë për t’a plotësuar obligimin ligjor dhe moral që të merr pjesë në seancën e Kuvendit ku duhej të aprovohej rebalansi i buxhetit, që është interes jetësorë i të gjithë qytetarëve të komunës.
Mirëpo përgjigjen më të mirë lidhur me këto teori konspirative të këshilltarit Xhemail Fazliu dhe pronarit të portalit “Presheva.com” e dhanë ata vet në stilin e fjalës së urtë “mos e vet se të kallxon vet” duke postuar në facebook, me fotografi të përbashkët këtë deklaratë: “Kurxho si kish pas bo Neymari Barcelonës, sha i kish bo Xhema PVD – së”.
Ky humor i zi që po e paraqesin publikisht sponzorët e degradimit të Preshevës dëshmon më së miri për eskalimin e pazareve dhe matrapazllëqeve në skenën politike të Preshevës lidhur me bllokimin e Kuvendit Komunal.
Në veprimtarinë e dendur 27 vjeçare PVD është ballafaquar me sfida të rënda dhe si çdo herë në të kaluarën edhe tash do të ketë sukses në angazhimin konsekuent për normalizimin e funksionimit të pushtetit lokal në Preshevë. Gjasat për normalizim dhe hapje të perspektivave zhvillimore për komunën e Preshevës kësaj rradhe janë reale sepse në krye të komunës është zonja e nderuar, Ardita Sinani, e cila me angazhimin e saj të sinqertë, vetëmohues dhe profesional gëzon përkrahje të përgjithshme.

Këshilli për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore