Home » Lajme, Rajonale » Daçiq: Me lehtësi do të merreshim vesh për shkëmbim territoresh

Daçiq: Me lehtësi do të merreshim vesh për shkëmbim territoresh

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, më qartë se ndonjëherë më parë ka bërë thirrje për shkëmbim territoresh mes shtetit të tij dhe Kosovës. Në një intervistë të gjatë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Daçiq tërthorazi pranoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë kundër ndarjes së Kosovës në atë mënyrë që veriu i vendit t’i jepet Serbisë dhe Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. “Unë vërtet mendoj se serbët dhe shqiptarët me lehtësi do të merreshin vesh për shkëmbim territoresh. Por, një gjë e tillë nuk do të ishte e pranueshme për Washingtonin. Atje përfaqësohet pikëpamja se një gjë e tillë mund të shkaktojë luftë në Maqedoni”, tha kryeministri serb.

Në pyetjen nëse Beogradi është i gatshëm që shqiptarëve në jug të Serbisë t’u japë të njëjtat kompetenca, të cilat i kërkon për serbët në Kosovë, Daçiq u përgjigj shkurt: “Kjo nuk mund të krahasohet”. Sipas tij situata është e ndryshme. “Shqiptarët në Kosovë me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974 gëzojnë autonomi brenda Serbisë. Në Serbinë jugore janë vetëm tri komuna me shumicë shqiptare dhe për to vlejnë ligjet dhe të drejtat e pakicave, të cilat mbase janë më liberalet në mbarë Evropën. Ato janë të integruara në institucione dhe në shoqëri, përfshirë dhe policinë”.

Daçiq pranoi se gjatë bisedimeve në Bruksel është përpjekur t’i ndërlidhë këto dy çështje – veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës – por, sipas tij, “BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara përherë kanë thënë se njëra çështje nuk ka të bëjë fare me tjetrën”.

Kryeministri serb bëri të ditur se mospajtimet më të mëdha në Bruksel janë zhvilluar në lidhje me kompetencat që do të ketë asociacioni apo bashkësia e komunave serbe në Kosovë.

/KOHA Ditore/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch