Shkruan: Nehat Hyseni Vizita e papenguar dhe legale e Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq, më 19 teror 2013, në Kosovë, vjen pas deklarimit pompoz të Zëvendëskryeministrit Kuçi se "nuk do të lejohet asnjë vizitë e liderëve të Serbisë para 1 nëntorit...". Deklarimet e "vendosura" për opinionin kosovarë, duke i treguar "muskujt" dhe fuqinë e pushtetit të tij Hashim Thaçi, edhe kësaj radhe i tërhoqi, meqë kishte "kapitulluar pa kushte" në takimet e Brukselit më 7 tetor 2013, para ultimatumit të Daçiqit, se do të "hyjë e del në Kosovë sa t'ia dojë qejfi"! Dhe Daçiqi ishte serioz në deklarimet e tij, ashtu si është ai serioz në spastrimin etnik të Luginës së Preshevës nga shqiptarët. Por ama, të mos i "hyjmë në hak" edhe Hashim Thaçit, sepse, edhe ky është serioz, si u pa puna e tij deri më tani, në partneritetin e tij me Daçiqin, për t'ia lehtësuar atij realizimin e Planit sekret të Qeverisë së Serbisë të vitit 2002 për shpërnguljen "e butë" të shqiptarve nga Serbia. Gjithashtu, Dialogun e Brukselit z. Thaçi na e prezentonte si akt "patriotik" dhe si "triumf" ndaj Serbisë, duke integruar veriun e Kosovës dhe serbët në sistemin juridik e kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës. Si janë duke shkuar punët, Serbia po na kthehet, madje "legalisht" në Kosovë, duke e dëmtuar, shkelur e përdhosur integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, në disa segmente edhe më rënd se me Kushtetutën e vitit 1974. Madje, shumë e shumë më rëndë, si në kohën e Millisheviqit, meqë edhe kriminelët ordinerë të deridjeshëm, jo vetëm që nuk i ven para drejtësisë, por edhe i inkuadron në forcat e rendit dhe të ruajtjes së ligjit! Ky është një absurd i padëgjuar, duke na shitur çdo humbje dhe zmbrapsje ndaj Serbisë me inferioritet dhe mungesë turpëruese të dinjitetit, si "fitore" dhe përralla e dokrra të pacipë. Shqiptarët kudo që janë, e sidomos ata të Luginës së Preshevës nuk mund ta kuptojnë kurrësesi, e aq më pak ta arsyetojnë këtë politikë mospërfillëse dhe indiferente të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke mos i vizituar asnjëherë deri më tani. Kurse, Daçiqit ia lejon vizitat me dhjetëra herë gjatë vitit në Kosovë. Sa duket, kjo Qeveri ka "objektiva" të tjerë, meqë janë shndërruar në sheikë e miliarderë, duke "shkëlqyer" në luks e "salltanate", duke e varfëruar dhe sjellur Kosovën, siç u raportua gjatë kësaj jave, në 30% të popullatës në varfëri ekstreme! Mungesa minimale e ndjenjës kombëtare dhe kapitulimi para ekspanzionit më të ri serb mbi integritetin territorial dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe mospërfillja makabre e vëllezërve shiptarë përtej kufirit, nuk janë "europianizëm"! Përkundrazi, çdo komb europian kujdeset për sovranitetin e shtetit të vet dhe për vëllezërit e vet jashtë kufijve shtetërorë. Vallë, a duhet që vetëm ne shqiptarët e këtij nënqielli të jemi përjashtim?!
Home » Opinione » Daçiqi i viziton serbët në Kosovë, kurse Thaçi nuk i viziton shqiptarët në Luginë