Home » Intervistë » Dalipi: Qasja e Bashkësisë ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës është cinike

Dalipi: Qasja e Bashkësisë ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës është cinike

Gjilan – Në një intervistë për rajonipress, Tahir Dalipi veprimtar e aktivist nga Presheva, njohës i mirë i zhvillimeve politike në atë pjesë, ish deputet në Kuvendin e Serbisë, njëri nga njerëzit e parë që foli hapur dhe mbrojti të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore, flet për gjendjen e fundit në Luginë , pas largimit të lapidarit, për cinizmin e bashkësisë ndërkombëtare karshi situatës në Luginë, për klasën politike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për koncentrimin e madh të xhandarmërisë serbe në fshatrat kufitare dhe për shumë çështje tjera që lidhen me rajonin e trazuar ditëve të fundit.
Rajonipress: Zoti Dalipi ju për një kohë të gjatë keni qenë zë i fuqishëm i të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Madje këtë e keni bërë në kohën më të vështirë. Nga prizmi i juaj sot, si e shihni gjendjen e shqiptarëve të atjeshëm?

Tahir Dalipi : Nën presion e tension për një kohë të gjatë, tepër të gjatë. Për të përshkruar gjendjen në Luginë të Preshevës, mjafton të thuhet se ka fëmijë që janë lindur pas lufte, tashmë janë në klasë të pestë a gjashtë dhe nuk u kalon ditë pa i parë patrullat e kolonat e xhandarëve serbë pran shtëpive, shkollave e në rrugët nëpër të cilat kalojnë.

Rajonipress: Kosova Lindore po vazhdon të shtypet padrejtësisht në fushën politike, ekonomike, sociale , kulturore, e arsimore. Me një fjalë shqiptarët pak të drejta gëzojnë në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, krahasuar me serbët që i gëzojnë ekstra të drejtat në Kosovë. Çfarë duhet të bëjë politika e atjeshme shqiptare për ta bindur faktorin ndërkombëtarë që atje ka shtypje e terror?

Tahir Dalipi : Faktori ndërkombëtar, jam i bindur, është në dijeni për të gjitha këto. Faktori politik në Luginë, si në të kaluarën, nuk kam asnjë dyshim, vazhdon ta njoftojë atë për gjendjen në Luginë, por qasja e Bashkësisë ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës është cinike. Në këso farë rrethanash, mendoj se kundërshtimi më me seriozitet i gjërave që nuk kanë asnjë funksion tjetër pos presionit ndaj popullatës, do të duhej të ishte më i pranishëm.

Rajonipress: Si e vlerësoni skenën politike shqiptare në Luginë të Preshevës. A është kjo klasë politike në ballë të detyrave të veta dhe çfarë e kishit sugjeruar juve këtë shtresë e cila në disa raste është treguar jo kompakte?

Tahir Dalipi : Vazhdimi i gjatë i jetës, edhe asaj politike, në këso farë rrethanash, ka bërë që skena politike, përkundër nevojës që të ishte paksa më ndryshe, të formësohet kryesisht si elektorale. Natyrisht, nuk është e lehtë që të dilet nga ky qark, në masë të madhe, i imponuar, por përkundër kësaj, për gjëra që janë me interes jetik për popullatën e Luginës, mungesa e unitetit është e pa arsyetueshme dhe e pafalshme.

Rajonipress : Lapidari në Preshevë e tensionojë bukur shumë situatën në Luginën e Preshevës. A punojë si duhet faktori politik dhe shoqatat e luftës, apo më shumë pati retorikë politike nga liderët e atjeshëm?

Tahir Dalipi : Dëshmorët, emrat e të cilëve janë të skalitur në lapidar, bënë që sërish, sikur në kohën kur bënin luftën, zëri i Luginës të dëgjohet larg. Ata me luftën e tyre nuk e lejuan dëbimin e plotë të popullatës shqiptare, gjë që ishte qëllim i politikës dhe ushtrisë e policisë serbe në atë kohë kur jo pak njerëz në skenën e sotme politike në Serbi ishin eksponentë të asaj politike.

Dëshira e njerëzve qëllimmirë që ata njerëz të nderohen edhe me përmendore në qendër të Preshevës, kam përshtypjen se bëri që të injorohet fakti se Lugina nuk është e lirë, se është gjithnjë nën Serbi, ndërsa, të paktën, në këtë Ballkanin tonë, kufiri shtetëror vazhdon të jetë limit i lirisë.

Serbia pati një shans të mirë që të bëjë kthesë pozitive dhe, të paktën tani, kaq kohë pas asaj përpjekjeje jonjerëzore për të pastruar etnikisht Luginën, të distancohet nga ajo politikë, por jo, ajo po vazhdon të pranojë rezultatet e luftërave në të cilat ka përfituar padrejtësisht territore dhe t’i bëjë obstruksion lirisë për aq sa po mundet atje ku me luftë humbi territore që i mbajti nën pushtim. Kjo na bën me dije se do të duhet kohë dhe ende punë që ta kemi gjendjen ku mund t’i nderojmë bijtë më të mirë të popullit tonë me përmendore nëpër Luginë.

Rajonipress : Në fshatrat shqiptare përgjatë kufirit me Kosovën vërehet një prani e madhe e forcave të xhandarmërisë serbe. Ju si njeri që keni marrë pjesë në bisedimet e atëhershme mes Serbisë dhe grupit politikë të UÇPMB-së si e shihni këtë koncentrim të ushtrisë serbe?

Tahir Dalipi : Jo, nuk kam marrë pjesë në ato bisedime, por kam qenë anëtar i Këshillit Politik të UÇPMB. Përqendrimi aq i madh dhe për kaq kohë i forcave ushtarake e policore në Luginë është i paarsyeshëm nga pikëpamja e sigurisë, ndërsa rrjedhojë të vetme ka presionin ndaj popullatës së atyshme.

Rajonipress : Jeni njohës i mirë i politikës serbe. Nga kush (Qeveria serbe) pritet që në një të ardhme të afërt të ketë përmirësime të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, apo realisht të gjitha qeveritë serbe janë të njëjta karshi problemit të Kosovës Lindore?

Tahir Dalipi : Skena politike serbe dhe rrjedhimisht edhe qëndrimi ndaj jo-serbëve do të ndryshojë kur të ndërrohet mentaliteti perandorak në Beograd. Qëndrimi aktual i Bashkësisë ndërkombëtare vazhdon ta ushqejë atë mentalitet. Kjo për forcat demokratike në Serbi nuk është sinjal i mirë. Nuk është as për të tjerët përreth.

Rajonipress : Ku ndodhet sot Tahir Dalipi?

Tahir Dalipi: Mësues në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Rajonipress: A mendoni të angazhoheni në ndonjë forcë politike në Preshevë?

Tahir Dalipi : Jo.

Zoti Dalipi ju falënderojmë për intervistën..

Dalipi: Me nder qofshi!

/rajonipress/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch