Home » Opinione » Decentralizimi në praktikë: ANAMORAVËS I SHTOHET EDHE NJË KOMUNË E RE

Decentralizimi në praktikë: ANAMORAVËS I SHTOHET EDHE NJË KOMUNË E RE

Rogana, një vendbanim i Komunës së Dardanës, së bashku me tetë bashkësi të tjera lokale, ka shprehur interesim dhe ka ushtruar iniciativë për formimin e një komune të re, me perspektivë për banorët e këtij brezi kufitar.

 

Iniciativa

 

Iniciativa për avancimin e Roganës, në status komune, ka marrë bekimin e kryetarëve të 8 bashkësive lokale të Komunës së Dardanës, të cilët kanë përpiluar një Listë me firmat e tyre, të cilat janë dërguar në adresë të presidencës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, në rezidencën e kryeministrit z. Hashim Thaçi, në Parlamentin e Kosovës, z. Jakup Krasniqi si dhe në Ministrinë e Administratës lokale.

Për të mësuar më shumë rreth kësaj nisme, shkëputëm një deklaratë nga Selver Lenjanit, kryetar i Këshillit Lokal të Karaçevës.(foto1, Selver Lenjani)

“Kjo është një iniciativë e qëlluar dhe e dobishme për banorët e tetë vendanimeve të Komunës së Dardanës. Në mesin e këtyre tetë bashkësive, kemi përzgjedhur Rogaçicën, për ta avancuar në rang komune. Kjo bashkësi lokale së bashku me: Hodonocin, Muçivërcën, Shipashnicën, Novosellën, Dajkocin, Lajçiqin, Desivojcëm, Karaçevën ( E Epërme dhe e Poshtme) etj, përbëjnë një popullatë më me shumë se 15 mijë banorë”, thekson zotëri Lenjani.

 

Statusi

 

Ai, shton se Rogana e meriton të jetë komunë, ngase posedon shkollimin fillor dhe të mesëm, tregun e njohur në nivel rajoni, ambulancën, resurset njerëzore dhe natyrore për zhvillimin e bizneseve. Sipas z. Lenjanit, themelimi i komunës së re, në këto zona kufitare, ndikon pozitivisht në parandalimin e migrimeve të popullatës në relacionin fshat-qytet, si dhe do të ndikonte në të mirë të realizmit të projekteve për zhvillimin e ekonomisë dhe bujqësisë, në këto zona shumë të begatshme për kultivimin e bagëtisë.

“Avancimi i Roganës, në status komune, do të shtonte bashkëpunimin edhe më të madh me vendbanimet shqiptare të Komunës së Bujanocit, të cilat shtrihen përgjatë vendbanimeve të brezit kufitar Kosovë-Serbi. Venbanimet e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, vendin më të afërt për t’i plasuar prodhimet e tyre bujqësore e kanë tregun e Roganës, i cili është nga më të njohur në nivel të rajonit të Anamoravës”, u shpreh me bindje të thellë z. Lenjani.

 

Kundërshtimi

 

Z.Shaip Surdulli, kryetar i Komunës së Dardanës,  tha për “rajonipress” se nuk ka as kushte e as arsye, që të formohet komuna e re e Roganës, sepse realisht kjo iniciativë nuk ka as qëllime të mira politike për shtetin e Kosovës.

Surdulli, tha se ata që ndërmarrin iniciativa të tilla duhet të kenë kujdes të madh sepse nuk mund të tërheqin paralele të njëjta me formimin e disa komunave të vogla e që janë bërë sipas planit të Ahtisaarit.

“Komunat e vogla të krijuara sipas planit të Ahtisaarit kanë qenë kushtëzim i bashkësisë ndërkombëtare për statusin e Pavarësisë së Kosovës”, i ka thënë mes tjerash z. Surdulli, rajonipress-it.

Kryetari i Komunës së Dardanës, natyrisht se do ta kundërshtonte një iniciativë të tillë, ngase me ndarjen e 8 bashkësive lokale, fondi i saj buxhetor, në nivel vendi dhe republike, do të zvogëlohej dukshëm. Si komunë e re Rogana, do të zhvillohej më lehtë dhe më shpejt, për shkak pozitës së saj gjeografike edhe gjeopolitike.

Komuna e re, gjithashtu, do të jetë më joshëse dhe atraktive për donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë, për shkak brezit kufitar dhe ngritjes së mirëqenies sociale të banorëve të këtyre zonave, të cilët për shkak konditave të vështira ekonomike dhe të sigurisë, lakmojnë migrimet për në qytet.

Përkundër kundërshtimeve të njeriut të parë të Komunës së Dardanës, rreth kësaj iniciative, ka zëra mbështetës për Roganën komunë, jo vetëm nga qarqe të ndryshme kosovare, por edhe nga bashkësitë lokale të Malësisë së Bujanocit.

 

 

Mbështetja
Me “Pakon” e Ahtisarit, i është lejuar Anamoravës, të shtohet me 7 komuna të reja, ndërkaq kërkesën për formimin e komunave të tjera, tashmë e kanë shtruar edhe Zhegra e Gjilanit dhe Hogoshti i Dardanës.

Rajoni i Anamoravës me kaq komuna (10 sish), nëse realizohen, do të jetë një Qark i begatë si me numër të banorëve, njashtu edhe të vendbanimeve.

Decentralizmi është proces i rëndësishëm shoqëror. Ky proces u mundëson vendbanimeve me mbi dy mijë banorë, të avancohen në nivel komune, duke iu mundësuar qytetarëve t’i realizojnë më lehtë kërkesat e tyre për një jetë më të mirë, më të sigurt dhe më prosperuese.

Vlen të theksohet se kërkesa për formimin e Komunës së re të Roganës, është bërë një javë para se Kosova, t’i thotë lamtumirë pavarësisë së mbikëqyrur dhe në prag të shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar. ( foto2, Faksimil i kërkesës së 8 bashkësive lokale të Dardanës, drejtuar institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës )

 

                                                                             Shkruan: Drilon Hyseni

One Response

  1. rexhep thotë:

    Eselamu alejkum
    Po hajde përhajr ju qoftë, ju priftë e mbara, nuk ka send të keqe. Hajr inshaAllah.
    selam

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch