Home » Lajme, Opinione » Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është gurëthemel i Pavarësisë së Kosovës

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është gurëthemel i Pavarësisë së Kosovës

Shkruan: Nehat Hyseni

Deklarata e dy korrikut 1990 paraqet deklarimin e parë të Kuvendit (komunist) për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që edhe Kosova të trajtohet e barabartë me republikat e atëherëshme në Federatën Jugosllave.
Meqë atëherë isha punëtor i Kuvendit të KSA të Kosovës dhe kishim krijuar besim të plotë me grupin e delegatëve (deputetëve) shqiptarë, të prirë nga Muharrem Shabani, Bajram Kelmendi, Bujar Gjurgjealo, prof. i nderuar Skender Skenderi dhe shumë të tjerë, prandaj edhe ne disa kolegë ishim të pranishëm së bashku me delegatët, jashtë sallës dhe ndërtesës së Kuvendit, para dyerve hyrëse të delegatëve, dmth nga ana e prapme e ndërtesës, gjatë kohës kur u zhvillua ky akt historik i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese që u lexua nga Bujar Gjurgjealo dhe u firmos me 111 nënshkrime të tyre.
E gjithë kjo ngjarje historike u zhvillua në kushte të shtetrethimit të plotë policor e ushtarak të Kosovës. Ishin vendosur 4 “unaza” rethuese nga forcat policore speciale që Qeveria Federative e kroatit Ante Markoviq i kishte pasë sjellur kohë më parë në Kosovë.
E mbajë në mend shumë qartë, sikur të kishte ndodhur kjo ngjarje para pak orësh, e jo që kanë kaluar 28 vjet të plota!
Sidomos më kujtohet prania e Christhyne Phon Chol, zonjë aristokrate europiane, e verbër me qenin e saj të bujshëm, si përfaqësuese e Organizatës për të Drejtat e Njeriut, se si u mor nga policët në “bisedë informative”, e shoqëruar nga z. Luljeta Pula. Në fakt, arëherë kjo zonjë (e verbër) ishte e vetmja përfaqësuese e institucioneve ndërkombëtare. Por, ajo kishte shpirtin e madh liridashes dhe dashurinë e madhe për lirinë e njerëzve, që aq shumë ishin shkelur e përdhosur dhe degraduar në Kosovën e atëherëshme.
Delegatët e atëhershëm meritojnë respekt dhe trajtim institucional dhe duhet trajtuar si heronjë!
Meritat e këtyre heronjëve kurrësesi nuk mund të krahasohen me ato të deputetëve e sotëm, sepse janë shumëfish më të larta!
Derisa këta deputetë të sotëm i kanë siguruar vetes rroga të majme, mbase më të larta në rajon dhe privilegje të pafund e janë bërë milionerë dhe nuk kanë asnjë rrezik as për vete dhe as për familjet e tyre, shumica prej të cilëve shikojnë se sa e si të pasurohen edhe më tepër, duke e varfëruar skajshmërisht popullin e shkretë dhe shtetin e brishtë të Kosovës.
Delegatët e atëhershëm rrezikuan jetët e tyre dhe të familjeve, duke miratuar para hundëve të policisë dhe pushtetit Deklaratën e Pavarësisë më 2.korrik 1990, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Lavdi i qoftë veprës së madhe të këtyre burrave e grave heroike që ishin delegatë të Kuvendit të Kosovës atëherë, e që i vunë gurëthemelin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre dhe duke u detyruar që ta lëshojnë vendin dhe të jetojnë në mërgim, në kushte tmerrësisht të padenja për përfaqësuesit e popullit dhe vetëflijimit të tyre atdhedashës e patriotik.

Nehat Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch