Home » Fakte politike » Deklarata Politike e nxjerrë nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Kosovës Lindore

Deklarata Politike e nxjerrë nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Kosovës Lindore

KUVENDI I KËSHILLTARËVE SHQIPËTAR TË LUGINËS SË PRESHEVËS

  • Të brengosur për shkak të egzodit të Shqipëtarve të Luginës së Preshevës që është pasojë e diskriminimit shtetërorë dhe militarizimit enorm; ndjekjeve, arrestimeve dhe bastisjeve që i bëhen ish ushtarëve të UÇPMB-së; mosrespektimit të Marrëveshjes së Konçulit;

 

  • Të brengosur me  faktin që, si pasojë e diskriminimit shtetëror, pozita e shqipëtarve të Luginë së Preshevës,  mbetet e pavolitshme dhe pa perspektivë për jetë normale;

 

  • Duke i konsideruar si të arsyeshme protestat e zhvilluara  dhe organizuara kundër diskriminimit shtetërorë ndaj Shqiptarëve në Luginë të Preshevës,  por edhe duke vlerësuar bojkotin e procesit të regjistrimit të popullatës si tërheqje të vëmendjes lidhur me gjendjen alarmante të Shqiptarëve në Serbi;

 

  • Të vendosur që zgjidhjen e pozitës aktuale shumë të rëndë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës duke kërkuar në frymën vlerave të mbështetura në dokumentet fundamentale ndërkombëtare që institucionalizojnë mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive;

 

  • Me rastin  e shënimit të përvjetorit të njëzetë të mbajtjes së Referendumit  për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, të vitit 1992,

 

 

I mbledhur në  seancën e mbajtur më 1 mars 2012 në Preshevë, Kuvendi i këshilltarëve shqipëtar të Luginës së Preshevës, miraton këtë:

 

DEKLARATË POLITIKE

 

Përmes së cilës KUVENDI:

 

  • Rikonfirmon qëndrimin e shprehur në Platformën Politike të vitit 2006, për respektimin e vullnetit të popullates të shprehur në Referendumin e vitit 1992, dhe përkrahjen e dhënë parimeve përcaktuese të statusit të Kosovës potencon obligimin që,  në rast të ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkangjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën;

 

  • Kërkon nga autoritetet në Beograd fillimin e dialogut të mirëfilltë me përfaqësuesit legjitim të shqipëtarve për eliminimin e të gjitha shkaqeve dhe pasojave të diskriminimit politik, ekonomik dhe social;

 

  • Fton institucionet e Bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimin Europian, në përdorimin e gjithë mekanizmave ligjorë, politikë dhe diplomatikë të ndikojnë ndaj autoriteteve në Beograd, për braktisjen  e metodave diskriminuese ndaj shqipëtarve por, edhe ndërmarrjen e masave të politikës afirmative që duhet të kenë për qëllim vendosjen e standardeve unike rajonale për të drejtat individuale dhe kolektive;

 

  • Konstaton se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, shtete  demokratike të anëtarësuara në strukturat euro-atlantike së bashku me shtetet tjera ballkanike janë garancë e stabilitetit rajonal, prandaj, kërkon nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës angazhim  maksimal politik e diplomatik për mbrojtjen e interesave të shqipëtarve të Luginës së Preshevës duke sforcuar angazhimin për respektimin e  parimit të reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me  serbët e Veriut të Kosovës;

 

  • Kërkon nga autoritetet kompetente në Kosovë dhe Serbi eliminimin e gjitha pengesave administrativo-financiare në vendkalimet kufitare dhe krijimin e kushteve të qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe respektimin e kërkesave dhe nevojave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në proçesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe  Beogradit;

 

  • Në 20 vjetorin e mbajtjes së Referendumit, Kuvendi, shpreh vendosmërinë për të vazhduar angazhimin tonë, me gjitha mjetet e disponueshme politike, për të zgjidhur statusin e shqipëtarve të Luginës së Preshevës konform me vullnetin politik të shprehur me Referendum.

 

 

Preshevë, 1 mars 2012.

Kuvendi i Këshilltarëve shqipëtar

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress