Home » Opinione » Delegacioni i Luginës – NË ZJAFET TE MINISTRI

Delegacioni i Luginës – NË ZJAFET TE MINISTRI

Një delegacioni i përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës, jo më pak se 12 sish, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ka qëndruar në Tiranë.

Delegacioni spektakular i Luginës, vajti te z.Bushati, për ta njoftuar ministrin për zhvillimet e fundit në Luginë si dhe masat që po ndërmerren për tejkalimin e problemeve të shqiptarëve në këtë rajon, duke “falënderuar njëkohësisht Republikën e Shqipërisë në pjesëmarrjen e saj në krijimin e Fondit Zhvillimor, gjatë takimit të përbashkët të Prizrenit me qeverinë kosovare”.

Diplomati shqiptar i kënaqur për pjesëmarrjen komplete të klasës politike nga Lugina në Tiranë, kërkoi që ata kështu të jenë unik, qoftë në vizita, qoftë në zgjedhje, qoftë edhe në ahengje.

Po klasa politike e Luginës nuk duket kështu unike në pamje as në përmbajtje. Këta liderë në mungesë të një lideri të vetëm, shkojnë këtu si “turmë”, për të treguar se janë shumë, a në fakt janë pak, sepse përçarja, inati dhe grupizimi i kanë bërë pikë e pesë.

Po të shikohet përbërja e delegacionit nga 12 përfaqësuesit, 5 prej tyre dalin vetëm nga Partia për Veprim Demokratik (Riza Halimi, Galip Beqiri, Fehmi Beha, Shaip e Belgzim Kamberi), ndërsa 7 të tjerë janë nga radhët e partive të tjera: PDSH – Ragmi Mustafa, PD – Nagip Arifi, LPD – Jonuz Musliu, UDSH – Rami Zylfiu, RD – Ramiz Latifi etj).

Si do që të jetë, koha e shkurtë deri më 16 mars, e ka bërë lidershipin e Luginës, ta vëjë gishtin në kokë dhe të mendoj, për të mos pësuar si Uliqini i dëshpëruar me humbjen e pushtetit.

Duke pasur parasysh zënkat, inatet, ndërskamcat , që kanë sot partitë e shumta në Luginë, nuk është çudi se gjysma e muajit elektoral do të harxhohet me deklarata  “pro” dhe “kundër” zgjedhjeve dhe aventurave të tjera konsultative me shtetet amë për  dalje apo mosdalje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Nga këto “axhamillëqe” politike dihet se kush fiton. Fiton, ai, që është mësuar të  rrijë gjithmonë nënë dardhë, e të tjerët janë ata që ia shkundin frutat nga lart, për ta gostitur “bosin” e marifeteve dhe dallavereve.

Elektorati shqiptar i Luginës, i mërzitur nga këto veprime jo të pjekura politike të liderëve të saj, s’është çudi, që në ditët në vijim, ta nxjerr një kandidat të pavarur për deputet të mundshëm në Parlamentin e Serbisë, i cili me paraqitjen e tij në këto gara do ta thej monotoninë e këtyre zgjedhjeve, që përherë për këtë rajon, kanë qenë “mollë” sherri./ternoci press/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch