Home » Lajme, Opinione » Demagogjia “patriotike” e Ramës, Thaçit e Musliut

Demagogjia “patriotike” e Ramës, Thaçit e Musliut

Shkruan: Nehat Hyseni

Disa politikanë shqiptarë aktualë, meqë janë në “zgripc”, të zënë pisk nga performanca e tyre katastrofale, kriminale e kompromituese para popullit dhe para opinionit demokratik rajonal, europian e botëror, me ekzibicione e manovrime të ndryshme synojnë ta zhvendosin vëmendjen, me

deklaratat e (pa) sinkronizuara të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit se, poqese nuk arrihen pretendimet drejt integrimit në BE, përkatësisht liberalizimi i vizave për kosovarët, shqiptarët do kenë “zgjidhje rezervë”, përkatësisht, alternativë dhe do t’i kthehen “integrimeve të vogla rajonale”, duke aluduar në mënyrë implicite dhe nënkuptuese se bëhet fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqiperinë, pa përjashtuar, siç pohojnë mediat serbe, mbase edhe përfshirjen e të gjithë shqiptarve në një shtet.

Serbia këtë e quan “Shqipëri e madhe”, apo “Shqipëri etnike”, duke e stigmatizuar në mënyrë ekstreme idenë e natyrëshme tē shqiptarve për bashkim kombëtar, si pretendim normal që e synojnë të gjithë popujt në botë, e sidmos ato që janë të ndarë e të coptuar si puna e shqiptarve në Ballkan.

Në këtë mënyrë, Rama dhe Thaçi synojnë ta kopjojnë shelljen Serbisë në këtë çështje, e cila pretendon integrimin në BE, por e ka alternativë edhe Rusinë dhe kështu e “ngritë pazarin” ndaj BE-së dhe presioneve të saja për përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Njëkohësisht, Serbia relativizon në vazhdimësi presionin europian, si dhe fiton koncesione dhe favore politike edhe përkundrejtë mospërmbushjes së obligimeve nga dialogu Kosovë-Serbi, të Brukselit.

Mbase, Rama dhe Thaçi ndjekin edhe shembullin e Erdoganit, e shikojnë si “favor plus”, mbase si “joker” dhe alternativë, që “në rast nevoje”, për t’iu shmangur presioneve për plotësimin e standardeve të BE-së lidhur me korrupsionin dhe drogën apo “kanabizimin” e Shqipërisë, Gjykatën Speciale në Kosovë dhe Vettingun në Shqipëri, etj.

Ndërkaq, Jonuz Musliu si kryetar i KNSH-së dhe si lider i një partie minore, që nga gjithsej 15 ka vetëm një mandat në KNSH, pra është 1/15 pjesë, ose më pak se 7% dmth me ndikim minimal e mospërfillës, është i njohur për deklarata të kohëpaskohëshme “bombastike”, për të siguruar një protagonizëm politik në disproporcion absurd me fuqinë e papërfillshme politike të tij në politikbërjen e Luginës së Preshevës.

Me dy rroga të majme që i merr nga Serbia, Jonuz Musliu shet “patriotizëm” pa pushuar, duke mos e mbajtur premtimin demagogjik, kinse për ta mbrojtur Lapidarin në vitin 2013, madje na e humbi edhe Memorialin impozant edhe në Rahovicë.

Kështu që sot këtë “zotëri”, në Luginë të Preshevës askush nuk e merr seriozisht.

Me demagogji “patriotike”, aktualisht Edi Rama synon t’i shmanget edhe presionit të opozitës nga “Çadra”, duke lansuar në “etrin” politik fluska sapuni, kinse për “Shqipëri të Madhe”, realisht don ta merr bajrakun e patriotizmit tek opinioni mbarëshqiptar, që e kishte mangësi dhe hendek të madh që e ndante ate nga kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës e Malit të Zi, por, pretendimin e ka edhe tek forcimi i mbështetjes në veri të Shqipërisë.

Kurse, Hashim Thaçi, i cili, si president, aktualisht i ka tejkaluar të gjitha kompetencat ligjore e kushtetuese, duke i shkelur e përdhosur pamëshirshëm dhe në mënyrë të paskrupullt, duke lozur paturpësisht edhe rolin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Tradhëtia e Hashim Thaçit me dorë të vet, më 19 prill 2013 me  nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, ia ka dhënë vulën definitive të lënies së Luginës së Preshevës nën Serbi, si dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që realisht paraqet gurëthemelin për shtetin serb brenda Kosovës.

Pra, pas deklaratave “për bashkim kombëtar” të këtyre politikanëve aktualë fshihen interesat pragmatike, kryekëput personale e grupore, që asnjë të mirë nuk i sjellin shqiptarve në Ballkan.

Përkundrazi, dëmet nga kjo sjellje e tyre demagogjike për shqiptarët aktualisht janë të mëdha dhe katastrofale, meqë artificialisht dhe për interesa të ngushta e meskine të tyre, synojnë t’i armiqësojnë e stigmatizojnë e satanizojnë shqiptarët me BE-në dhe SHBA-në, duke i dëmkosur si “faktor destabilizues në rajon” dhe realisht, mund të “çojnë ujë në mullirin” armiqëve tanë shekullorë, si dhe favorizimin e rolit të Serbisë dhe të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch