Home » Opinione » Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe “kalkulatorët politikë” të politikbërjes në Kosovë

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe “kalkulatorët politikë” të politikbërjes në Kosovë

Shkruan: Nehat Hyseni

Lojërat politike të skenës kosovare janë tregues besnik i kapaciteteve politike dhe nivelit mendor, intelektual e atdhedashës me të cilin disponon aktualisht klasa politike e “dallaverxhi-politikbërjes” kosovare.

Secili akter politik e ka një “kalkulator” personal” dhe një “kalkultator partiak”, që në fund i ven shenjën e barazimit, duke i kalkuluar mirë e mirë interesat personale e partiake dhe në fund, kudo dhe çfarëdo rezultati të prodhoj binomi: xhepi  (interesi) personal plus ai partiak, na del rezultati i përhershëm: PATRIOTIZMI.

Pra, “patriotizmi” në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës është si puna e hoxhës së keq e dallaveraxhi, i cili e sjellë dhe e mbështjell punën e fesë dhe interesin e vet personal ia “faturon” miletit.

Madje, shpeshëherë duke i dhënë të drejtë vetes, si Shefqet Krasniqi dhe tarafi i tij agresiv, luajnë rolin e Zotit në këtë dynja dhe “vendosin” se kush do të shkoj në xhenet, e kush në xhenet! Nënës Tereze ia caktuan vendin: në xhehnem!

Sa duket, edhe puna e politikanëve aktualë në Kosovë, ashtu funksionon!

Së pari, bëhet llogaritja e interesit dhe karrierës politike personale brendapartiake, me “kalkulatorin personal” dhe rezultati i tillë harmonizohet me atë të “kalkulatorit partiak”.

Dhe, këtu mbaron matematika politike e politikbërjes politike në Kosovë.

Sepse, këto dy rezultate të harmonizuara prodhojnë “patriotizmin” dhe “interesin e Kosovës”.

Pra, nuk ka më lezet se të merresh me politikë në Kosovë!

Deputetët në Kosovë, edhepse është vendi më i varfër në rajon, kemi pagat e deputetëve shumëfish më të larta dhe politikanët më të pasur në rajon dhe ndër më të paguarit në Europë!

Paçka se deri dje kjo klasë politike që po e udhëheq Kosovën qe 18 vjet, dmth. nga dëbimi i Serbisë në vitin 1999, nuk kishin as “kripë në lakra” dhe ishin “zibidi”, apo “qyl fukara”?!

Këtë filozofi e këtë mendësi politike e sqaruan ata edhe teoretikisht edhe praktikisht, si të PDK-së, që sot janë bërë sheikë të Ballkanit dhe “bossa” me xhipa e me alamet miliona të pafund, hallakamë!

Por, as deputetët dhe politikanët e  LDK-së, e sidomos ata të AAK-së dhe “Nismës”, nuk mbeten shumë mbrapa. Mazallah!

Kurse, këta të “Vetëvendosjes”, realisht kanë probleme me “bossat” në rritje dhe me “shpjegimet” e tyre se “nuk është ashtu” si po i shofim në televizor e internet, se jahtat “nuk i dijnë se të kujt janë” këta të shkretë, që, sa duket, ka filluar bajagi (goxha) seriozisht korrupsioni e hajnia me ia marrë mentë.

Edhe Vetëvendosja, sikur edhe kolegët e tyre politikë, sa duket, është pajisur me “kalkulatorë politikë”.

Madje, me nga dy kalkulatorë secili: njëri personal dhe tjetri partiak dhe “mbetja” apo rezultati i mbetur kalkulohet si “patriotizëm” dhe atdhetarizëm.

Natyrisht, aty hyjnë edhe shtëpitë dhe villat milionëshe, vikendicat, bazenat “si tonë dynjaja”, siç tha para do kohe bashkëshortja e njërit nga “bossat” politikë kosovarë, si dhe një milion privilegjesh e mallverzimesh të tjera që ia ka siguruar vetes kjo klasë politike e Republikës së Pavarur e Sovrane, me sovranitet e pavarësi të nëpërkëmbur e të zezuar, të Kosovës.

Pra, asnjë politikan i Kosovës nuk ka vjedhur dhe nuk është është hajn!

Të tillë mund të ket Kroacia, ku ishkryeministri Ivo Sanader, doli hajn dhe u fut në burg.

Kurse, Kosova nuk ka politikanë të tillë hajna. Mazallah! Kurrësesi, sepse pasuritë e tyre milionëshe që i kanë krijuar këta leckamanë të deridjeshëm dhe milionerë e miliarderë të sotëm i kanë krijuar me “kalkulatorët” e tyre politikë, që kanë prodhuar “patriotizëm” dhe vetëm “patriotizëm” edhe atëherë kur e kanë “devijuar” Buxhetin e shtetit në xhepa privat, sipas llogaritjes së “kalkulatorëve politikë” të tyre, që nuk dijnë për “hajni”, “korrupcion” e keqpërdorime.

Por, ata dijnë vetëm për “patriotizëm”!

Pra, në Kosovë kemi të bëjmë me “gjenialitet” të klasës politike aktuale, që pasuroi leckamanët e deridjeshëm, i bëri milionerë dhe sipas tyre, aspak “nuk e dëmtoi Kosovën”, meqë zbuloi formulën magjike të “patriotizmit kosovar”, që prodhon “patriotizëm dhe vetëm patriotizëm”!

Për “meritat” e këtilla të gjeniale dhe zbulimit të formulës magjike që pasuron politikanët dhe sa më shumë që ata të pasurohen, aq më shumë janë “patriotë”.

Pra, Kosova – janë politikanët!

Kush i kritikon apo nuk i nderon e respekton “politikanët patriotë” , nuk e nderon as Kosovën!

Prandaj, edhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, s’ka si të jetë ndryshe nga filozofia jonë politike, e funksionimit sipas “formulës magjike”, me “dy kalkulatorët” e përmendur politik.

Poqese kalkulatorët e llogarisin interesin personal, plus interesin partiak se rezultojnë kundër Qeverisë dhe për marrjen e pushtetit dhe “mbushjen e akumulatorëve” financiarë të tyre, atëherë rezultati na del se Demarkacioni është i “dëmshëm”, “tradhëti” dhe votuar kundër miratimit të tij.

Dhe e kundërta.

Pra, gjithçka në Kuvendin e Kosovës dhe reth votimit ose jo të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe gjithçka tjetër në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, do të varet nga “kalkulatorët politikë” dhe nga “formula magjike” e këtillë të politikbërjes kosovare, ku “patriotizëm” do të thotë të bëhesh milioner personalisht si politikan dhe ta varfërosh pafundësisht këtë vend të bekuar!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch