Home » Opinione » Demokracia parlamentare alternativë nuk ka!

Demokracia parlamentare alternativë nuk ka!

Nehat HyseniShkruan: Nehat Hyseni

Asnjë marrëveshje politike dhe asnjë presion politik, që mund të vijë nga kushdoqoftë, nuk mundet ta suspendoj vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës, ku vendimet merren sipas parimit të shumicës parlamentare. E vetmja rrugëzgjidhje e ngërçit politik aktual është vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, me ose pa pëlqimin e zonjës Brovina,  zhvillimi i debatit të lirë dhe zgjedhja e kryetarit, nënkryetarëve dhe formimi i institucioneve demokratike me votën e shumicës së deputetëve. Kurse,  Presidentes i mbetet obligimi që ta nominoj mandatarin e qeverisë së re nga radhët e atyre që kanë shumicën në Parlament.

Marrëveshjet politike e dëmtojnë demokracinë

Kërkesat për ndërhyrjen e Presidentes për gjetjen e zgjidhjes nga ngërçi politik aktual janë duke ardhur nga PDK dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Qëllimi i tyre është mbetja me çdo kusht në pushtet dhe qeverisje, edhepse kanë mbetur të vetmuar dhe nuk mund ta krijojnë mazhorancën qeverisëse.
Por, çdo ndërhyrje në rethanat aktuale paraqet kërkesë për gjetje të ndonjë “shtegu jodemokratik” për anashkalimin e votimit normal dhe të papenguar demokratik në Kuvendin e Kosovës, ku do të vendosej me shumicë votash, si parim elementar dhe fundamental i demokracisë parlamentare.
Këmbëngulja e mospranimit të votës së shumicës paraqet formën më të rrezikëshme dhe më komprometuese të mundëshme që mund t’i ndodhë demokracisë parlamentare dhe shtetit të brishtë të Kosovës, që aktualisht i ka shlyer kufijtë e të kuptuarit se kush është aktualisht ndërtues, e kush është rrënues i themeleve të këtij shteti më të ri në Europë.

Mospranimi i parimit të shumicës parlamentare, që u përgatit me hartimin e Kushtetueses më komike, të gjymtë dhe analfabete, që udhëhiqet nga militantë të PDK-së, si dhe nga mbrojtësja dhe garantuesja e Kushtetutës, Presidentja e Republikës së Kosovës, e cila poashtu është militante e kësaj partie dhe me kohë u kujdes që ta krijoj mishmashin politik me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për “sqarim” se kush është grupi më i madh që do t’i takonte e drejta e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë veprim, Presidentja Jahjaga paraqiti (vetë) dorëheqjen politike dhe e shkarkoi (vet) veten, së paku në këtë rast, nga përgjegjësia si shefe e shtetit dhe garantuese e unitetit të popullit të Kosovës.
Pasojat e veprimit të saj të gabuar janë të mëdha dhe katastrofale!
Gjithënjë e më tepër po forcohet bindja dhe po lind dyshimi tmerrues se pikërisht ata që janë më përgjegjësit dhe më kompetentët për garantimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe për funksionimin e demokracisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës, kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në vend që me performansën e tyre ta mundësojnë mbarëvajtjen dhe funksionimin e suksesshëm të Kuvendit të Kosovës, ata, mjerisht, me veprimet e tyre janë paraqitur si bllokues dhe komplotistë kundër parimeve themelore të funksionimit të demokracisë në këtë vend, sipas parimit të shumicës parlamentare.
Si duket, tani kanë dalë në sipërfaqe të gjitha të këqiat në skenën politike aktuale, ku rrena është promovuar në virtyt tek paria politike e fetare e këtij vendi të bekuar, ku politikanët dhe hoxhallarët, brenda natës janë bërë milionerë nga hiçi dhe skamja.
Kurse, populli dhe shteti i saj varfërohet gjithënjë e më tepër, si vendi më i izoluar nga bota demokratike europiane, si në karantinë, pa të drejtë udhëtimi pa viza askund në Europë.

Sherret politike
Ky sherr i madh që e ka ngulfatur funksionimin e këtij shteti, me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,  nga  Hajredin Kuçi dje u “sqarua” triumfalisht se si PDK na e paska përgatitur kurthin institucional e juridik, si në Kushtetutë, ashtu edhe në Kushtetuese dhe se rrugëdalje tjetër nuk paska, pos që të mbetet në qeverisje PDK, pa marrë parasysh shkeljen e parimeve elementare të demokracisë parlamentare në botën demokratike. Si ekspert juridik, z.Kuçi na bëri me dije se nuk kanë rëndësi parimet, por ajo çfarë thonë institucionet, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe verdiktin e saj lidhur me lëmshin politik aktual.
Prandaj, me kalimin e kohës po qartësohen gjërat, meqë nga 18 shtatori, kur u mbajtë vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut 2014, që sigurisht se mund të hyjë në Librin e Ginisit, meqë zgjati jo më shumë se pesë minuta dhe nuk u lejua kurrëfarê debati.
Përkundrazi, zonja Brovina,  si militante fanatike e PDK-së, duke e (keq) përdorur pozitën që ia ka mundësuar pleqëria, dmth si deputetja më e moshuar e Kuvendit, në stilin më diktatorial e mbylli seancën e Kuvendit pas dështimit të kandidatit të PDK-së në votim.
Sa keq është katandisur Kosova, jo vetëm politikisht, por edhe moralisht në momentin aktual?!
Tani është mbështetur për muri opinioni demokratik i Kosovës: ose do të mbrohet demokracia duke u rrespektuar vota e shumicës në Kuvendin e Kosovës, ose do të kthehemi në diktaturë të oligarkisë politike e ekonomike të liderëve të pangopshëm me pushtet, që nuk e kanë dert shtetin dhe demokracinë, meqë atyre pushteti u solli gjithçka: fuqi politike e pasuri të pakufi!

Duhet të këndellemi!
Vetëm një mobilizim i madh dhe këndellje shoqërore mund të na shpëtoj nga gremina e futjes së shtetit në duar të çelikta të një grupi politikanësh, që aktuisht po e përdorin edhe Lista Srpska-n, për ta riinstaluar Beogradin në politikbërjen e Kosovës, pa bekimin e të cilit madje nuk mbahet as mbledhja konstituive e Kuvendit, por u dashtë të shtyhej për një javë për të marrë instruksione politike dhe bekimin e tyre.
Aq shumë janë ngatërruar konceptet aktualisht në Kosovë, sa që nuk dihet më se çka është në interes të Kosovës, e çka kundër, çka është patriotike dhe në të mirë të kombit dhe vendit, e çka është kundër, çka është patriotike e çka tradhëti, çka paraqet veprim të dobishëm të shtetndërtimit, e çka paraqet akt makabër të shtetrrënimit dhe të komprometimit të shtetit tonë para miqëve tanë ndërkombëtarë dhe botës demokratike në përgjithësi.
Megjithatë, mendoj se nuk duhet të dorëzohemi dhe nuk guxojmë kurrësesi t’i humbim shpresat, meqë shihet rrugëdalja, ose “drita në fund të tunelit”, që na vjen nga Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma-Lëvizja Vetëvendosje, që u dëshmua se e ka shumicën parlamentare dhe vullnetin e fuqinë e nevojëshme politike, që me anë të votës demokratike t’i ndryshoj së shpejti gjërat, duke e thirrur javën e ardhëshme mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe me votën e lurë ta zhbllokoj ngërçin politik aktual dhe t’i formojë e zgjedhë institucionet demokratike dhe t’i hap rrugën formimit të qeverisë së re.
Shpresojmë se ky ndryshim do të paraqes kthesë në mentalitetin qeverisës dhe do t’ia kthej Kosovës namin e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjëshme, duke i luftuar dukuritë negative dhe pasojat e keqqeverisjes së deritanishme, si dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas parimit shumicës, si parim fundamental të demokracisë parlamentare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch