Home » Opinione » Dënimet me vdekje në Egjipt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Dënimet me vdekje në Egjipt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

XHAVIT ÇITAKUNjë numër kaq i madh i të dënuarve me vdekje nuk është parë e as që ka ngjarë në këtë kohë moderne të funksionimit dhe aplikimit të së drejtës, theksojnë shumë organizata shtetërore e ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut

Nga XHAVIT ÇITAKU

Procese të shumta gjyqësore dhe dënimi me vdekje i qindra pjesëtarëve të vëllazërisë myslimane nga gjyqësori në Egjipt pa dyshim se është në kundërshtim të plotë me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të të gjitha shteteve, por edhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Dënimi i një numri kaq të madh të këtij grupacioni politik nuk është parë e as që ka ngjarë  në këtë kohë moderne të funksionimit dhe aplikimit të së drejtës. Në këto procese gjyqësore u dënuan me vdekje edhe lider të lartë të vëllazërisë myslimane, të cilët më së shumti i ngarkonte  akuza për vrasje.

Dënimet kapitale që janë dhënë nga “ drejtësia egjiptiane”  nga të gjitha shtetet demokratike, ndër to edhe SHBA-të, pastaj nga organizatat e ndryshme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, janë kundërshtuar me gjithë forcën dhe kanë kërkuar nga autoritet e këtij shteti që të ndërprejnë këtë valë të represionit të ashpër politik. Indinjata dhe mllefi i këtyre shteteve dhe organizatave është aq më i madh, në rend të parë, që të akuzuarve, tash të dënuarve, nuk iu dha mundësia për ta mbrojtur vetën, që flet edhe njëherë se këtu nuk bëhet fjalë për drejtësi, por për një fushatë të egër të këtij regjimi kundër pjesëtarëve të vëllazërisë myslimane. Nga të gjitha informacionet, reagimet dhe kundërshtimet e bëra deri me tani, proceset gjyqësore në këtë shtet shihen si një shkallëzim i qeverisë e mbështetur fuqishëm nga ushtria. Apo thënë më mirë, nga rrëzimi i presidentit Muhamad Mursi në korrikun e vitit të shkuar ushtria e këtij vendi shumë ashpër ka ndërhy për shpartallimin e kësaj lëvizjeje myslimane, e cila thellësisht është konzervative e jo revolucionare.

Të ballafaquar me ndjekje të vazhdueshme të policisë e ushtrisë egjiptiane liderët kryesor të kësaj lëvizjeje ose kanë ikur në ekzil ose janë të dënuar. Deri me tash janë vrarë mbi 1400 persona nga fillimi i dhunës  të vitit të kaluar, shifra këto të publikuara nga Amnesty International. Vëllazëria myslimane konsiderohet si një organizatë terroriste, e cila sipas autoriteteve egjiptiane qëndron prapa një sërë sulmesh terroriste që po ndodhin në këtë vend. Megjithatë, siç duket, fryma e vëllazërisë myslimane nuk mund të shuhet edhe me metoda më të vrazhda që po përdorë regjimi i këtij shteti. Në të vërtetë, tash për tash është i pranishëm një grup i madh i të rinjve të cilët dëshirojnë të fillojnë një metodë tjetër të funksionimit dhe punës të kësaj lëvizjeje. Sa e sa herë është argumentuar se dhuna prodhon dhunë, por shembulli i këtyre të rinjve hedh në pah mençurinë e tyre se duhet përdorë metoda tjera për t’i ikur derdhjes së mëtejme të gjakut, dhunës, burgimit, dënimit etj.

Në fund vlen të theksohet se reagimin më të ashpër deri me tash e kanë bërë SHBA-të, organizata Human Watch Right, Amnesty International, Komisioni për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara me seli në Gjenevë dhe shumë shtete e organizata tjera anëkënd rruzullit tokësor.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch