Home » Kulturë » DËSHIRA NË RRITJE TË RINISË PËR GJUHËT E HUAJA

DËSHIRA NË RRITJE TË RINISË PËR GJUHËT E HUAJA

(Çfarë nga tregoi Lindita Titka-Pasholli, në “Prospekt Center”)

Nga:  Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Ç’është  e vërteta, sidomos në kryeqytet, funksionojnë mjaft qendra të posaçme, ku fëmijë e të rinj mësojnë gjuhë të huaja ose  aftësohen më tej, në njohuritë e marra për to në shkollë. Por nuk më kishte takuar rasti, më parë, që ta vizitoja ndonjërën prej tyre. Kur po shkoja për në “Prospekt Center”, që ndodhet në Bulevardin “B.Curri”, pa arritur te ndertesa e Maternitetit “Kiço Gliozheni”, sillja ndërmend kohën para viteve ’90-të. Atëherë, edhe nëse mësoheshin në shkolla gjuhët e huaja, pothuajse, ato vlenin vetëm për shfletimin e asaj literature të paktë, që ekzistonte, vetëm në rusisht.  Ndërsa, për të biseduar në ndonjë gjuhë të huaj, as që bëhej fjalë, nga që Shqipëria ishte plotësisht e vetëizoluar.

Drejtuesen e qendrës së mësimit të gjuhëve të huaja, Lindita Titka-Pashollin e gjeta në zyrë. Kjo sepse e kisha paralajmëruar për vizitën time, por dhe ishte kohë, kur aty vazhdonin kurse disa veta. Së pari, më bënë përshtypje mjediset e bollshme për zhvillimin e kurseve të ndryshme, por dhe baza e pasur materiale e mjaft funksionale. Duke biseduar për historikun e çeljes dhe funksionimit të “Prospekt Center”, ajo më tregoi:

-Së pari, e kemi nisur veprimtarinë e kësaj qendre, për mësimin e gjuhëve të huaja, në vitin 2007. Sigurisht, kjo gjë u bë sipas dispozitave ligjore në fuqi. Kujdesi ynë, që në hapat e parë, ishte të siguronim të gjitha kushtet e duhura për kursantët. Kjo lidhej me dhomat e mësimit dhe pajisjen me bazë materiale bashkekohore. Por, kryesorja e kryesoreve, ishte tërheqja pranë qendrës sonë e profesionistëve të zotë, që do t’i zhvillonin kurset e gjuhëve të huaja. Në vazhdimësi, hap pas hapi, duke i kaluar edhe vështirësitë e fillimit, arritëm ku jemi sot…

Më tej, Lindita më tregon se, gjatë një viti, mesatarisht, aty i vazhdojnë kurset 200 nxënës e studentë. E para, ka qenë dhe është gjuha angleze. Por kanë funksionuar edhe kurse për gjuhët dytësore, pra italisht, gjermanisht, frëngjisht e spanjisht. Tekstet e fjalorët, që përdoren nga kursantët, janë mjaft të mirë. Ata botohen në Londër, por i marrin në Tiranë, ku ka pikë shpërndarjeje edhe për Kosovën e Malin e Zi. Libra vijnë edhe nga “British International Book shop”, metoda të Oxfordit & MacMillan.

Në këtë qendër ka nxënës, që nga klasa e dytë e shkollës 9-vjeçare e studentë, por dhe nëpunës të ndryshëm. Më tepër vijojnë nxënës të shkollave 9-vjeçare, që ndodhen më në afërsi të Qendrës, si:  “Kushtrimi i Lirisë”, “Niket Dardani” e “Kongresi i Lushnjës”. Por vijnë edhe nxënës nga Gjimnazi “Çajupi”,  Shkolla e Mesme e Baletit e tjerë. Për këto kurse janë të interesuar vetë fëmijët e të rinjtë, por edhe prindërit e tyre. Nxënësit e studentët punojnë në grupe të vogla, si edhe në mënyrë vetjake. Kurset e ndryshme zhvillohen sipas niveleve. Për shembull, në nivelin e pare, ata ndjekin 32 seanca mësimore..

Duke vizituar mjediset e kësaj qendre të rëndësishme për mësimin e gjuhëve të huaja dhe kualifikimin e njohurive për to në kryeqytet, ndoqëm pak minuta punën konkrete, që bënte drejtuesja e kursit, Elona Kita, me nxënësen Ardiana Kapaj, maturante në Shkollën e Mesme të Baletit. Ajo kishte tre vjet përvojë pune me kursantët dhe gjithnjë ka vërejtur një kujdes të veçantë të tyre, për ta përvetësuar sa më mirë gjuhën e huaj.

Mund të shkruaja edhe më gjatë për këtë qendër të mësimit dhe kualifikimit në gjuhët e huaja, në Tiranë. Por, ndokush, mund ta merrte këtë gjë si “reklamë”.

Ndërsa qëllimi im është të nënvizoj vlerat e çmuara të këtyre kurseve, kur organizohen mirë dhe profesionalisht. Pra, ato nuk duhet të shihen nga drejtuesit e tyre si “biznes”. Se kështu përfitimet nga ato do të ishin të vogla, por dhe interesi i fëmijëve e të rinjëve do të binte shkallë-shkallë. Në këtë mënyrë, do të humbisnin të dyja palët. Ndërsa, me ato që pashë e dëgjova në “Prospekt Center”, u binda se aty punohet me seriozitet dhe përfitimet e nxënësve e studentëve, për gjuhët e huaja, janë të dukshme dhe të vlefshme për jetën.

Tiranë, 2 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch