Home » Lajme, Opinione » Dështimet “patriotike” të Republikës së Kosovës

Dështimet “patriotike” të Republikës së Kosovës

Shkruan: Nehat Hyseni
Dialogu i dështuar i Brukselit për “normalizimin” e raporteve midis Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin problematik e skajshmërisht të diskutueshëm të BE-së, sipas të gjitha gjasave, do të përfundoj me ndarjen e Kosovës, apo me “shkëmbimin e territoreve” midis Kosovës dhe Serbisë.
Duke e parë se Kosova nuk ka mundur që t’i integroj serbët e vet në sistemin e vet kushtetues dhe nën respektimin kuptimotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, Presidenti aktual i saj, Hashim Thaçi, realisht kapituloi para Serbisë, me aktin “patriotik” të tij për “bashkimin” e Luginës së Preshevës me Kosovën”.
Kuptohet, sipas thënies filosofike se, “poqese nuk ke mundësi ta mposhtësh, atëherë bashkoju armikut”! Pra, duke parë se gjithçka që është bërë deri më sot për integrimin e serbëve, që nga Plani i Ahtisarit, Marrëveshjet e 19 prillit 2013 dhe të 25 gushtit 2015, etj. ishin të dështuara edhe për faktin se klasa politike e Kosovës, mbase u “çmend”, ashtu si qeveria e Shqipërisë me “kursimet piramidale” në vitin 1997!
Ku konsiston “çmenduria” apo gabimi i pafalshëm i politikbërjes kosovare dhe dështimeve katastrofale të saj?
Gabimi i pafalshëm i Hashim Thaçit dhe politikbërjes kosovare konsiston pikërisht në idiotizmin dhe mosditurinë ekstreme se nuk munden që “të rehatohen” serbët e Kosovës, duke i harruar dhe injoruar plotësisht shqiptarët e Luginës së Preshevës!
Pra, këta mjeranë e “xhahilë”, që përveç vjedhjes, hajnisë, korrupsionit, krimeve dhe njëmijë të zezave të tjera, asgjë të hajrit nuk i sollën Kosovës, u instaluan në krye të këtij shteti të brishtë dhe i “përvolën” krahët ( shiko fushatat parazgjedhore) jo për ta qeverisur Kosovën, sepse si analfabetë e banditë që ishin, kuptohet se nuk kishin haber për mirëqeverisje e shtetndërtim.
Prandaj, ata bënë atë që munden dhe dinë më së miri: zhvatjen e pasurisë dhe zhbërjen “patriotike” të shtetësisë së Republikës së Kosovës, duke e izoluar skajshmërisht nga bota dhe duke u katandisur në argatë implicitë të interesave serbo-ruse në Kosovë.
Rrjedhimisht, për të dalur nga ky vorbull i katandisje për faqe të zezë, vendosja e taksës 100% nga Qeveria Haradinaj për mallrat e Serbisë, paraqet një akt “shpëtimtar” të kësaj minorance (pakice qeverisëse), që është duke e qeverisur aktualisht Republikën e Kosovës.
Në stilin: “kush nuk është për këtë taksë, është me Serbinë”, realisht, me një lëvizje apo akt “patriotik”, pothuajse me automatizëm u arrit “uniteti” politik në tërë Kosovën. Madje edhe jashtë Kosovës: tek shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë, Luginës së Preshevës dhe të diasporës.
Prandaj, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj & company, realisht paraqesin dy anë të medales së njejtë, të dështimeve dhe të realitetit shtetrrënues të Republikës së Kosovës, me parullat e tyre “patriotike” që nuk kanë se si të përfundojnë ndryshe, përveç se me ndarje të Kosovës, duke e zhbërë shtetësinë dhe sovranitetin, si dhe duke e copëzuar integritetin territorial të saj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch