Home » Lajme, Ndërkombëtare » DEZA de SECO promovojnë dialogun politik në Evropën Lindore

DEZA de SECO promovojnë dialogun politik në Evropën Lindore

“Ne nuk e bëjmë politikën në vendet ku jemi të stacionuar dhe nuk ia imponojmë atë vendeve në fjalë por ne, përmes aktorëve të atjeshëm gjegjësisht OJQ-ve dhe institucioneve, ndihmojmë në jetësimin e projekteve që janë të nevojshme për ambientin atje”. Kështu është shprehur njëri ndër folësit, i angazhuar në projektet në Ballkan, në prezantimin e raportit vjetor të vitit 2012 dhe planit vjetor për vitin 2013 të DEZA-s dhe SECO, që është mbajtur të mërkurën në Bernë. Dhe një qasje e tillë ka qenë emërues i përbashkët për gjithë rrjedhën e këtij prezantimi.

Ajo çfarë kanë bërë dhe çfarë pritet të bëjnë Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (DEZA) dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike  (SECO) në bashkëpunim me vendet e reja të Evropës Lindore, në asistencën e tranzicionit në Ballkanin Perëndimor si dhe në vendet e ish Bashkimt Sovjetik, kanë qenë tri shtyllat në të cilat është mbështetur prezantimi i raporteve.

Ndërsa ka qenë konstatim i përbashkët i raportuesve dhe i pjesëmarrësve në debat se ndihmat që DEZA dhe SECO i kanë dhënë për këto regjione shkon përtej ndihmës bazike për zhvillim dhe fokusohet në nevojën për ngritjen e nivelit të dialogut politik atje.

Pjesëmarrës të konferencës kanë bërë po ashtu evaluimin e përvojave të tyre në projektet e realizuara vendet e Ballkanit perëndimor, në ato të ish Bashkimit Sovjetik dhe në vendet, anëtare të reja të BE-së. Me këtë rast janë përmendur specifikat që i karakterizojnë këto vende.

Përvojat nga vendet si Bullgaria dhe Rumania, ka thënë dr. Ulrich Stürzeneger, shef në DEZA për sektorin për anëtaret e reja të BE-së, tregojnë se ia ka vlejtur angazhimi zviceran disavjeçar në këto vende. Madje ai ka thënë se, ndryshe nga paragjykimet që mund të kenë njerëzit ndaj këtyre vendeve, “kemi gjetur shpeshherë struktura mjaft të pjekura dhe të përgjegjshme, gjegjësisht partnerë të denjë për bashkëpunim”.

DEZA dhe SECO për projektet e tyre në Bullgari kanë dhënë 181 milionë franga ndërsa në Rumani 76 milionë, që hyjnë në të ashtuquajturin “fond i kohezionit” që ndan Zvicra për vendet e reja të BE-së, ka thënë ai. Stürzeneger ka shtuar se, nëse diçka megjithatë ka qenë jo adekuate punën e deritashme, ka qenë “shpërndarja e energjisë në shumë projekte të vogla. Ndoshta më mirë do të funksiononte qasja me pak projekte por të mëdha”, ka thënë ai veç tjerash,

Ndërsa Kurt Kunz, Nën-drejtor, shef i sektorit të Kooperimit me Evropën lindore,ka vlerësuar ndihmën zvicerane në këto vende si ndihmesë edhe për demokratizimin dhe për dialogun politik atje. Ai, në një rikapitulim që i ka bërë punës së kryer në vendet në fjalë ka përmendur edhe vështirësitë dhe specifikat e punës, nga vendi në vend. Puna me OJQ-të në vendet e përmendura është bazë për suksesin e projekteve atje, prandaj Kunz ashtu sikurse edhe pjesëmarrës tjerë në debat, janë angazhuar për forcimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë civile në vendet respektive.

“Ne duam që atje jo vetëm të jemi prezentë por edhe të japim kontributin tonë në nxitjen e dialogut politik. Ndoshta një kohë të gjatë të huajt janë marrë me ndihmat humanitare e më pak me promovimin e dialogut politik në ato shtete,” është shprehur Kunz.

Ueli Ramsauer nga SECO ka thënë se kompetenca profesionale zvicerane në vendet e Evropës lindore, (përfshirë Ballkanin Perëndimor), është e kërkuar por ka vështirësi me konceptimin e saj. Ai ka përmendur edhe telashet që lindin me ndërrimin e qeverive ose të administratave në vendet përkatëse. Ndodh që ministri i ri nuk e sheh me prioritet një projekt që e kishte lancuar ministri paraardhës i tij ose ngjashëm. Përvoja të tilla kanë prezantuar edhe folës tjerë në takim.

Gjatë debatit është bërë fjalë edhe për një tendencë që në disa vende ku drejtohet ndihma zvicerane, “maksimalizimi i nxitjes për dialog politik të perceptohet si një lloj imperializmi” nga shoqëritë e atjeshme.

Laurent Widmer, Menaxher në SECO ka prezantuar në këtë takim projektin konkret “Water Task Force” të filluar që nga viti 2007 për ujërat në Kosovë. Cak i këtij projekti ka qenë rehabilitimi i stabilimenteve të ujësjellësve në Kosovë dhe në përgjithësi ndihma zvicerane për Kosovën në ekonominë e ujerave. Për këtë qëllim, është formuar një grup punues ku krahas SECO-s janë të përfshira 4 ministri të qeverisë së Kosovës, ka thënë veç tjerash Widmer.

Gjatë rrjedhës së punimeve janë shfaqur edhe sekuenca filmike ku pjesëtarë të OJQ-ve nga Kosova, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia etj. kanë dhënë mendimet e tyre rreth ndihmesës së DEZA-s dhe SECO-s permes projekteve në vendet e tyre. Ata kanë përmendur edhe sfidat me të cilat ballafaqohen vendet e tyre që gjenden kryesisht në fazën e tranzicionit./http://www.albinfo.ch/

Blerim Shabani

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch