Home » Lajme, Opinione » Dhjetë vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe rreziku i zhbërjes së Republikës

Dhjetë vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe rreziku i zhbërjes së Republikës

Shkruan: Nehat Hyseni
Jubileun e dhjetvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës po e presim në atmosferë të zymtë dhe me shumë sfida: Gjykatën Speciale, Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Asociacionin e Komunave më shumicë serbe, shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, etj.
Pra, kaluan dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në ato ditë të acarrëta të 17 shkurtit 2008, si dhe dymbëdhjetë vjet nga vdekja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugovës dhe mungesa e Tij në politikbërjen kosovare, po bëhet gjithënjë e më e madhe.
Kurse, Republika e Kosovës është duke u katandisur gjithënjë e më tepër, duke rrezikuar shtetësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj të brishtë, duke u komprometuar gjithënjë e më tepër në arenën e politikbërjes ndërkombëtare, si dhe ndaj aleatëve, miqëve e partnerëve tanë, që na sollën, por dhe po na e mbrojnë lirinë dhe pavarësinë.
Në vend se të vetëdijësohet në performansën shtetndërtuese, klasa e degjeneruar politike kosovare po shkon gjithënjë e më tepër kah gërryerja dhe shkarërrimi i shtetësisë së kësaj Republike dhe këtij shteti të brishtë, që edhepse kaluan dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë, në vend që të forcohet e rritet, po ndodhë e kundërta!
Pra, që nga vdekja e Presidentit Rugova, si baba i shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, i cili me gandizmin e tij të politikbërjes së vendosur, me sukses të admirueshëm, madje proverbial, arriti që ta fusë intelektualizmin në politikbërjen provinciale, primitive e të vrazhdë ballkanike, që e karakterizonte këtë nënqiell fatkeq, që pëveç vuajtjeve, sakrificave e masakrave të përmasave të paimagjinueshme, nuk kishte njohur e shijuar, jo se jo, një histori e përvojë më ndryshe, të civilizuar dhe të denjë për shekullin dhe epokën që i përkasim.
E tërë historia jonë e shumëvuajtur kombëtare kishte prodhuar folklorin popullor, që i këndon vuajtjes, sakrificës dhe masakrimeve e vajtimit të pafund për fatkeqësitë, por jo edhe për sukseseset, të arriturat dhe përparimet krahëpërkrah dhe në hap me botën e civilizuar, demokratike dhe të përparuar.
Historinë kombëtare shqiptare e karakterizojnë vuajtjet dhe na duket se vetëm vuajtjet dhe vajtimi ynë kolektiv epik, paraqesin histori të vërtetë, të denjë dhe të mirëfilltë për ta jetuar.
Pastaj, me lahutë, qifteli e sharki, i këndonim, apo më mirë të themi, i vajtonim historisë sonë të shumëvuajtur kombëtare.
Prandaj, kishim krijuar stereotipin e shqiptarit patriot, si cub malesh, që vret e pret ngado që sillet dhe në fund përfundon i nënshtruar dhe i poshtruar.
Por që megjithatë na bënte “krenarë”!
Duke i falemnderuar armiqëve tanë shekullorë, të cilët i kemi ngado që sillemi, me bollëk dhe tepri, ata pëveç që na vrisnin dhe masakronin, gjithashtu kishin arritur që ta ushqenin botën me mitin e rremë, apo pseudomitin për shqiptarin e egër, që “të vret pas lisit”, dhe se armiqëve tanë sllavë u ishte caktuar detyra që ta mbronin civilizimin, por edhe krishterizmin europian nga barbaria dhe egërsia jocivilizuese dhe nga “islamizmi” i shqiptarve.
Vitin e ardhshëm (2019) bëhet njëzet vjet nga intervenimi i Aleancës ushtarako-politike të shteteve demokratike europiane, NATO-s, në krye me SHBA-të, që bombarduan Serbinë e krishtere, të ritit ortodoks, për t’i shpëtuar kosovarët, pra shqiptarët myslimanë.
Pra, ndodhi e kundërta! Kësaj radhe, Europa në krye me SHBA-të, në Kosovë i mbrojtën vlerat civilizuese nga barbaria anticivilizuese dhe çnjerëzore e Serbisë!
Dmth, shqiptarët u shndërruan nga elementi “jocivilizues”, që bota na konsideronte falë propagandës serbe, në simbol të vlerave civilizuese e njerëzore, për mbrojtjen dhe çlirimin e tyre nga barbaria shfarosëse serbe.
Por, sapo përfunduan bombardimet e NATO-s, në Kosovë barbaria shoviniste serbe u zëvendësua me egërsinë, barbarinë dhe hajninë anticivilizuese të banditëve, që kryen krime, uzurpuan prona dhe na e kompromituan lirinë, akoma pa e shijuar si duhet.
Pra, që në fillimet e saj, pas qershorit 1999, liria e Kosovës pësoi një grusht të pamëshirshëm të bandave kriminale, nën firmën:
“UÇK -mos prek!”
Kjo firmë hasej kudo mbi pronat gjithandej në Kosovë.
Kurse, këta uzurpatorë e kriminelë e vetëquajtën veten “çlirimtarë”!
Kështu, ata e komprometuan edhe ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së, duke i rrezikuar vlerat civilizuese të afirmuara nga rrezistenca gandiste paqësore e shqiptarve dhjetëvjeçare ndaj dhunës serbe, që ishte arritur me organizimin të pavarur të arsimit, sportit, kulturës, etj. nën udhëheqjen e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Paradoksalisht, edhe tani, në vitin 2018, dmth 19 vjet nga bombardimet e NATO-s dhe çlirimi nga Serbia, Republikën e Kosovës e kanë uzurpuar forcat e errëta, të cilat gjatë vitit 1999 ishin deklaruar si “çlirimtarë”. Por, tani jo më me parulla: “UÇK-mos prek!”, por me pushtet, duke rrezikuar jo vetëm imazhin e Republikës, por edhe çmontimin e shtetësisë dhe pavarësisë e sovranitetit territorial të saj.
Sepse, këta i kanë shpallur luftë të hapur të gjithë miqëve tanë ndërkombëtarë, me refuzimin e Gjykatës Speciale për krimet e përmendura gjatë viteve 1999-2000, që e kompromituan rëndë imazhin e luftës së UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.
Gjatë viteve 1999-2000 këta u vetëdeklaruan si “çlirimtarë që rrezikuan jetën për Kosovën”.
Kurse, tani në vitin 2018 këta, sa duket, dojnë që ta sakrifikojnë Republikën e Kosovës për interesa të veta personale dhe grupore, për të shpëtuar nga dënimet e merituara për krimet e kryera ndaj qytetarëve, jetës, pronës dhe lirisë së tyre në Kosovë gjatë dhe sidomos pas luftës.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch