Home » Lajme, Opinione » Dialogu i Brukselit duhet të kushtëzohet me përfshierjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës!

Dialogu i Brukselit duhet të kushtëzohet me përfshierjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës!

Shkruan: Nehat Hyseni

Ata që me vetëdije ose jo, i përbuzin, përqeshin dhe nënçmojnë kapacitetet tona kombëtare për të siguruar mbijetesën dhe për t’i bërë ballë stuhive antishqiptare të regjimit serb, kurse vet janë duke ndejtur anash dhe duke bërë sehir, mbase edhe duke u tallur me cinizëm, nuk mund të thuhet se ia dojnë të mirën shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe mbarë Shqiptarisë.

Meqë ne si shqiptarë në Serbi, nuk kemi qasje të mjaftueshme në qarqet diplomatike europiane, lobimi, mbështetja dhe mbrojtja jonë, gjithësesi, domosdoshmërisht duhet bërë nga Shqipëria dhe Kosova.

Aktualisht, ekziston Ambasada e Shqipërisë dhe Zyra ndërmjetësuese e Republikës së Kosovës në Beograd.

Por, problemi është se Beogradi është reth 400 km larg nga Lugina e Preshevës.

Poaq larg nga Presheva është edhe Tirana.

Kurse, Prishtina është vetëm 75 km larg Preshëvës.

Pra, Lugina e Preshevës gjëndet në mes dy kryeqyteteve: Beogradit dhe Tiranës, si dhe shumë afër Prishtinës.

Prandaj, meqë kapacitetet e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës gjenden shumë larg nga Lugina e Preshevës, është e domosdoshme që këtu të hapen:

Konzullata e Shqipërisë dhe Përfaqësia apo Dega e Zyrës së Republikës së Kosovës, që do të merreshin me problemet dhe hallet e kësaj pjese të Shqiptarisë.

Mjerisht, si të shtypur dhe të diskriminuar nga Beogradi dhe “të harruar” nga Tirana dhe Prishtina, shqiptarët e Luginës së Preshevës aktualisht janë komuniteti më i diskriminuar në Europë!

Vallë, edhe sa kohë do të zgjasë kjo gjendje e padrejtë?

Edhe sa kohë do të kaloj deri në shpërnguljen definitive të shqiptarve nga vatrat e tyre stërgjyshore, poqese nuk veprohet menjëherë dhe nuk merren masa urgjente, për të penguar zbrazjen definitive të Luginës së Preshevës?

Mbase, fillimisht, hapja e Konsullatës së Shqipërisë dhe Zyrës së Kosovës në Luginë, kishin me na ndihmuar shumë.

Për arsimin shqip në Luginë, nuk mundemi ta marrim me mend një nivel cilësor, pa tekstet nga Shqipëria dhe Kosova!

Fondi i premtuar për Luginën, gjithashtu do e ndihmonte ekonominë dhe punësimin e shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Poqese nuk kërkojmë ndihmë nga vëllezërit tanë nga Shqipëria dhe Kosova, vallë, nga kush tjetër duhet kërkuar ndihmë dhe mbështetje shqiptarët e Luginës së Preshevës për t’i bërë ballë stuhive dhe presioneve të tmerrëshme pansllaviste të Rusisë dhe armiqësisë, si dhe urrejtjes patologjike nga regjimi antishqiptar i Beogradit?

A mundemi ta marrim

me mend se sa probleme kemi me akcesin tonë tek ambasadat e shteteve mike, pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre materiale dhe politike, vështirë se do t’ia dalim?

Çka kërkojnë aktualisht, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës nga Kosova dhe Shqipëria?

Në rend të parë, nga vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria, kërkojmë sinqeritet, dashuri të mirëfilltë dhe mbështetje vëllazërore: që Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe ajo e 15 gushtit 2015 e nënshkruar nga Isa Mustafa, të anulohen!

Sepse, siç u dëshmua katërcipërisht deri më sot, këto dy marrëveshje, pa përfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, si të barabartë me atë të serbëve të Kosovës, paraqesin akt të tradhëtisë ordinere ndaj kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, por edhe ndaj Kosovës.

Asnjë obligim nga dialogu dhe marrëveshjet e Brukselit nuk po realizohen, meqë të drejtat e serbëve në Kosovë nuk po kushtëzohen me plotësimin e kushteve dhe të drejtave të njejta për shqiptarët në Serbi.

Klasa politike aktuale e Kosovës, me lënien e fatit të shqiptarve të Luginës së Preshevës në duartë e pamëshirëshme të regjimit antishqiptar të Beogradit, paraqet akt tradhëtie dhe vrasjeje politike e kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës, ashtu si bëri dikur Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë me UNÇ të Shqipërisë kah fundi i LDB-së në Kosovë!

Pra, fati i shqiptarve të Luginës së Preshevës, me fajin apo “bekimin” e klasës politike aktuale të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, mbeti në duart e Beogradit!

Prandaj, kjo gjendje duhet ndryshuar sa më parë, duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, me futjen e çështjes së shqiptarve, si minoritet në Serbi, si të barabartë dhe sipas parimit të reciprocitetit me çështjen e statusit dhe të drejtave të serbëve, si minoritet në Republikën e Kosovës.

Vetëm kështu, realisht, do i kontribuohej mirëqenies, paqës dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjërë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch