Home » Lajme, Rajonale » Diaspora Shqiptare në Austri ka shprehur reagime të ashpra lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës

Diaspora Shqiptare në Austri ka shprehur reagime të ashpra lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës

Në një reagim të përbashkët të dhjetëra shoqatave thuhet se Diaspora Shqiptare në Austri, në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, shpreh reagimin dhe indinjatën e sajë ndaj klimës së paragjykimit kolektiv dhe terorit që ushtron sistematikisht, Ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë në krye me Ministren Jankullovska, si dhe ajo e Serbisë në krye me Ministrin Daçiç, ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, ku në kontinuitet po shkelet shteti i së drejtës nga organet shtetërore maqedonase dhe ato serbe, kur janë në pyetje akuzat ndaj shqiptarëve.

Reagimi i tyre në gjermanisht dhe anglisht i është dërguar edhe institucioneve austriake, Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera ndërkombëtare

“Në IRJM, Ministria e Punëve të Brendshme në kontinuitet po përdor forcën e sajë kundër qytetarëve të sajë shqiptarë, dhe dëshmon se vepron kundër principeve për të drejtat dhe liritë e njeriut. Krimi është krim në çdo gjuhë, në çdo etni dhe në çdo shoqëri. Ndaj, nuk ka krim kolektiv dhe nuk ka ndëshkim kolektiv. Institucionalizimi i krimit kolektiv, vë në rezik, jo fatin e shqiptarëve por përkundrazi të ardhmen e vetë Maqedonisë. Skenat e arrestimit të motrave dhe vëllezërve tanë, ku më shumë se gjysma e të arrestuarve dalin të pa fajshëm nga gjykatat e politizuara maqedonase, janë për ne të papranueshme”, theksohet në reagimin e Diasporës në Austri.

Më tej nënvizohet se shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre, nuk kanë treguar nacionalizëm agresiv bazuar mbi etninë dhe fenë e maqedonasëve.

Ne si Shqiptarë kemi dëshmuar tolerancë dhe e kemi pranuar bashkjetesën me bashkëqytetarët tanë sllavomaqedonë, mirëpo ngjarjet që ju paraprinë ky kualicion qeveritar në IRJM po tregojnë sa e brishtë është situata në Maqedoni. Refuzimi për të dëgjuar dhe komunikuar me shqiptarët dhe me përpjekjet e tyre për të dëmtuar imazhin tonë janë të kota. Shqiptarët kudo në rajon e kanë dëshmuar veten e tyre se janë tolerant dhe me aspiratë perëndimore. Palën maqedonase nuk duhet ta gënjejë mëndja se vëndi mundet të ecë përpara në kurriz të shqiptarëve, apo edhe më keq duke nëpërkëmbur të drejtat e tyre legjitime. Ky mentalitet antishqiptar me të cilin kërkon të qëndrojë në pushtet qeveria e gruevskit në Shkup, tregon se kriza politike dhe ekonomike po thellohet për çdo ditë e më shumë në kurriz të shqipëtarëve”, thekson Diaspora Shqiptare.

Shoqatat shqiptare kërkojnë nga partia politike shqiptare që participon në qeverinë aktuale të Maqedonisë të jetë në vigjile të ngjarjeve dhe të distancohet nga politika sunduese e Gruevskit, ndërsa nga faktori ndërkombëtar të reagojë ndaj dhunës, dhe mënyrës së arestimeve të bazuara në bazë selektive të cilat ushtrohen ndaj shqipëtarëve të pafajshëm, të cilat janë të orkestruara mes Shkupit dhe Beogradit. (INA)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch