Home » Intervistë » Dipllomatja shqiptaro-amerikane që synon Shtëpinë e Bardhë

Dipllomatja shqiptaro-amerikane që synon Shtëpinë e Bardhë

Intervistë me Ermira Babamusta, Ph.D.

Bisedoi: Sokol Demaku

Suedi – New York

Keni ndjekur anglisht në shkollën e mesme profesionale e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Çfarë mundë të na thoni për këtë kohë të rinisë suaj?

 

Ermira Babamusta: Rinia shqiptare ndryshon nga ajo e shteteve të tjera me atë që kam vërejtur unë. Të rinjë shqiptar janë më të angazhuar në çështje sociale dhe politike, më ambicioz për jetën, mësojnë gjuhë të huaja deri në shtatë, kanë përgaditje të mirë akademike dhe kanë kulturën e tyre. Këtu luan rol dhe familja si shtylla kryesore në formimin e një adoleshenti/e, gjë që reflekon dhe vlerat dhe traditat e forta shqiptare.

 

Gjuhët e Huaja kanë qenë vitet më të mira për mua, si profesorët e përkryer të mi, drejtori i shkollës (në atë kohë 1995-97) dhe shokët e klasës. Kanë qenë momente të paharruara për mua. Edhe sot mbaj lidhje me miqësinë e shkollës së mesme. Gjatë kësaj kohe kam jetuar në Tiranë dhe qenë nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të xhaxhait të babait tim, Ibrahim Babamusta dhe nënë Sadetja, si dhe djali i tyre Neritan Babamusta dhe bashkëshortja e tij, Myhrije Babamusta. Në këto vite më ka pëlqyer shumë matematika dhe kam marrë pjesë në shumë konkurse në shkallë kombëtare për të përfaqësuar shkollën që në tetëvjeçare.  

 

Tre ngjarje të fëmijërisë time janë të paharrueshme për mua edhe sot: E para, demonstratat e para antikomuniste që u bënë në Kavajë me 26 mars 1990, ku mora pjesë me babain, Neki Babamusta. Mbaj mend që babai më shtërngonte fort dorën (isha vetëm 10 vjeç atëherë) dhe mami më përgaditi ujë të ngrohtë me sheqer kur u kthyem në shtëpi natën vonë sepse isha e tronditur nga ngjarja dhe turma e njerëzve.

 

E dyta, në 1997 u bënë protestat në  Tiranë kundër luftës në Kosovë. Lashë orën e mësimit pa leje nga Gjuhët e Huaja, me disa shoqet e mia dhe shkuam në protestë para universitetit Politeknik për të kundërshtuar padrejtësitë ndaj vëllezërve dhe motrave shqiptare në Kosovë. Në këto kohë po lexoja historinë e pushtimit të Rusisë nga Napoleoni i Francës në librat me 4 vëllime të  Tolstoit ‘Lufta dhe Paqja”. Kur mora mora vesh fillimin e genocidit në Kosovë (isha 14-15 vjeç), jam strukur në dhomën e miqve të shtëpisë time dhe kam qarë me naivitetin dhe çiltërsinë e një fëmije, sepse nuk kuptoja pse serbët po vrisnin shqiptarët, ose pse njerëzit po vriteshin me njëri tjetrin. I jam lutur Zotit për mbrojtje të shqiptarëve dhe për paqe midis serbëve dhe Kosovës dhe mençuri për liderërt e dy vendeve. Sot që i kujtoj këto momente më bën përshtypje konceptimi im për humanizmin dhe botën në këtë moshë kaq të re.

 

E treta, po në 1997 kur u bënë grevat e urisë në Tiranë kundra Skemës Piramidale, kam punuar dhe përkthyer për të vetmën radio/TV të huaj lejuar në Shqipëri, nga Hollanda që transmetonte lajme për luftën në Kosovë dhe gjëndjen në Shqipëri. Mbas intervistës me grevistët, gazetarin hollandez e gjuajtën rojet me fundin e armës që kishin me vete dhe mua më pyetën për mbiemrin dhe më morën dokumentat. Kur u larguam nga ndërtesa, na qëlluan me plumba te makina jonë. Nuk e di si kemi shpëtuar. Gazetarin hollandez, miku im Heraldi, e kam takuar sërish pas shtatë vitesh në 2004 në Washington DC, dhe shpeshherë kujtojmë historitë e Shqipërisë.    

 

Çka ju shtyri të migroni nga Shqipëria?

 

Ermira Babamusta: Kam qenë 16 vjeç kur u largova nga Shqipëria dhe nuk u largova me dëshirë. Atëherë nuk e kuptoja pse familja më largoi nga vendlindja. Tani që jam e pjekur i kuptoj arsyet më mirë. E kam bërë kornizë në mendje momentin kur u nisa në aeroplan dhe familja më bënte me dorë te Rinasi, dhe mami kishte lot në sy. Shumica ishin të lumtur që unë po ikja në Amerikë, unë vetë nuk doja dhe isha e hidhëruar por pranova dhe respektova vendimin e familjes. Disa kishin kritikë që vetë si femër po ikja në një vend të huaj, dhe më përmendnin mundësitë më të këqijat ku do përfundoja. Por ky largim nga vendlindja ishte fillimi i hapjes së mendjes time dhe kuptimi të një bote krejt tjetër, si nga kultura, jetesa dhe vetëdija. 

 

Për cilat arsye u larguat nga vendlindja dhe çfarë  njohurish kishit për SHBA ju atë kohë?

 

Ermira Babamusta: Familja ime ka qenë e persekutuar nga diktatura për veprimtaritë demokratike-patriotike dhe për arsye sigurimi më larguan nga vendlindja. Babai e kishte bërë plan me kohë që unë të shpërngulesha në Amerikë dhe më këshillonte të mësoja dhe të dilja mirë me mësime. Gjatë 40 viteve që ka punuar si mësues ka ruajtuar atë rrogën e tij si dhe pensionin afro $30 që merrte në muaj për edukimin tim jashtë shtetit. Edukimi brenda dhe jashtë vendit është traditë familjare e fisit tim. Xha Ibrahim Babamusta ka mbaruar shkëlqyeshëm me medalje të artë të Perandorit të Austrisë Franc Ferdinandi nga viti 1920-27. Meqë isha larg babait dhe familjes time të dashur,  xha Ibrahimi që u përkujdes për mua e konsideroja si gjysh dhe më mahniste me karakterin e tij të dashur, paqësor, intelektual dhe diplomat. Kam mësuar shumë prej tij dhe familjes së tij gjatë fëmijërisë time në Tiranë. Një figurë tjetër e dashur e fëmijërisë time është gjyshi (babi i mamit) Kastriot Cani, me të cilin kam kujtime të dashura në Peqin, i cili ka ndërruar jetë.

 

Aplikova për programin ‘Exchange Student Program” si studentja më e mirë dhe me notat më të larta te Gjutë e Huaja dhe më doli në Oklahoma, Sh.B.A. Unë dhe babi nuk e kishim ndëgjuar ndonjëherë këtë emër, dhe po shpresonim ose Florida ose New Yorku. Hapëm hartën dhe zbuluam Oklahomën afër Teksasit. Shkollën e mesme e përfundova me pikët më të larga (g.p.a. 4.00) dhe kam bërë konkurse matematike dhe në spanjisht në shkallë kombëtare në Sh.B.A., ku kam fituar dhe shumë çmime.

 

Keni mbaruar universitetin e lartë me dy mastera, Shkenca Politike dhe Public Administration si dhe programin e tretë të avancuar “UN Diplomacy / Diplomacia e Kombeve të Bashkuara” si e ndien vetën Ermira?

 

Ermira Babamusta: Unë e konsideroj veten si njeri të thjeshtë dhe kujtoj një shprehje të babait që “pasuritë dhe gradat njeriu nuk i mer me vete në varr”. Mendoj se nëse një njeri i dedikohet zanatit, punon shumë dhe i bën gjërat me drejtësi dhe pastërti në zemër, mund të arrijë majat, sidomos në Amerikë dhe në Perëndim. Gjithmonë kam synime në jetë, i vej vetes qëllime, dhe planifikoj për të ardhmen ku e shikoj veten 10-15 vite më larg. Shikoj realitetin, mësoj nga përvoja, përmirësoj veten dhe veprimet e mija dhe jam largpamëse.

 

Vlerësoj profesorët dhe mentorët e mi të universitetit Waldorf College (BA: Political Science, History, Humanities), Minnesota State University (MA: Public Administration), Long Island University (MA: Political Science; Post-Grad: UN Diplomacy) dhe West Virginia University (Ph.D.: Political Science: Foreign Relations/EU Law/National Security/PA).

 

Arsimimi është i nevojshëm për të arritur diku në jetë dhe për informim, por shkolla nuk të jep edukatën, llogjikën dhe kulturën që i duhet njeriut. Që një shoqëri të eci përpara, duhet të jetë edukimi për qytetarët si dhe është e nevojshme kultura dhe dashuria për mirëqënien e njerëzimit (shoqëria), të vendbanimit (mjedisi) dhe të individit (vetja). Nëse këto principe nuk janë në harmoni ka prapambetje në të treja aspektet e përmendura në shoqëri dhe politikë.    

 

Jeni kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike dhe Mardhënie Ndërkombëtare, çka don të thot kjo për ju si një e re?

 

Ermira Babamusta: I kam mbaruar studimet në kohë rekord, shkollën e lartë katër vjeçare e kreva për 3 vjet, dy masterat dy-vjeçare i kreva brenda një viti secilin, dhe doktoraturën 5-vjeçare brenda 4 viteve. Planifikoj të marr diplomën në verë 2013. Doktoratura ka qenë një shtyrje nga vetja dhe babai. Babait i mohuan të drejtën e arsimit të lartë. Dhe me këmbënguljen dhe ambicien e tij ka përfunduar universitetin me korrespondencë, ku ka mësuar dhe është edukuar vetë dhe ka dhënë provimet vjetore për të marrë shkollën e lartë. Më pas babin e internuan nëpër fshatëra dhe në Veri të Shqipërisë ku dha mësim. Babai në atë kohë synonte të mësonte italisht, por diktatura e konsideronte atë si ‘tradhtar’ vetëm se ai kishte dëshirë të mësonte një gjuhë të dytë, dhe të mësonte për kulturën e vendeve fqinje. Këto janë taktika të qeverisjeve të vendeve të ndryshme në botë, ku nëpërmjet frikës së popullatës, mohimit të dijes, dhe propagandës mbajnë popullin nën kontroll, injorim dhe izolim.

 

Më alarmon fakti që në vitin 2013 për të hyrë në program doktorature në Kosovë provimi jepet një herë e 5 vjet. Dhe nëse nuk e fiton duhet të presësh pesë vjet të tjera që ta provosh sërish shansin. Ky rregull duhet ndryshuar patjetër, të bëhet çdo vit konkursi dhe më shumë universitete të ofrojnë programe të doktoraturës jo vetëm në Prishtinë. Kjo detyron rininë dhe inteligjencën shqiptare të largohen nga vendi, shumica kanë më shumë shanc në vendet fqinjë ku nuk kanë përkrahje, përfshi Serbi, Rusi, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri. Qeveria vendore duhet të investojë në gjeneratën e re që po rritet në Kosovë për t’i dhënë edukimin dhe njohuritë e duhura që të jenë më të pregaditura për funksionin që do kryejnë. Një gjeneratë e edukuar prodhon ekspertë në fusha të ndryshme, që nënkupon një Kosovë të mirëqenur dhe më të avancuar.  

 

Në vitin 2007 keni krye hulumtimet nëpërmjet UNMIK-ut për metodat diplomatike përdorura gjatë bisedimeve zyrtarëve për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, çfarë ka qenë roli juaj këtu?

 

Ermira Babamusta: Në 2006 kam punuar në Departamentin e Paqes tek Kombet e Bashkura në New York. Kam ndjekur nga afër seancat në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës si dhe bisedimet multilaterale Serbi-Kosovë-USA në OKB. Në 2003 dhe 2004 kam punuar si eksperte e punëve të jashtme në Washington DC në Kongresin Amerikan, në të dyja dhomat, për Senatin (Senator Harkin, anëtar i Foreign Affairs Committee) dhe në Dhomën e Përfaqësuesve (Congressman Kennedy). Gjatë punës time në qeverinë amerikane kam dhënë kontributin tim për çështjen e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve Sh.B.A-Kosovë-Shqipëri. Çështjen e Kosovës e ngrita dhe para senatorëve dhe kongresmenëve amerikan në seancën zhvilluar në Kongres në verë 2004, në takimin  me z. Colin Powell (sekretar shteti gjatë administratës të Presidentit Bush). Pasi e falenderova në emër të Shqipërisë dhe Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme të Amerikës ndaj shqiptarëve, salla e Kongresit Amerikan u mbush me duartrokitje. Dhe z. Powell më kërkoi ta përfaqësoj dhe tregoi respektin për familjen dhe babain tim, Neki Babamusta para senatorëve.

 

Në 2007 kreva misionin e parë diplomatik për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe hulumtimin tim shkencor të masterit në Kosovë nën kujdesin e UNMIK-ut, UNHRC dhe Long Island University. Monitorova bisedimet diplomatike shumëpalëshe New York-Prishtinë dhe dhashë rekomandimet e mija në punimin tim shkencor me titull “Kosovo Status Talks:

A Case Study on International Negotiations”. Punimi im shkencor publikuar një javë para ngjarjes historike në shkurt 2008 parashikon shpalljen e pavarësisë si alternativë e vetme e Kosovës. Po në 2008 hapa gazetën time Prishtina Press (www.prishtinapress.info) me botim në Prishtinë (2008-10), si mjet i diplomacisë digjitale dhe përkrahje për diasporën dhe kulturën shqiptare.

 

Në 2012-13 kreva misionin e dytë diplomatik nëpërmjet ministrisë së Diasporës dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, dhe West Virginia University, Sh.B.A. Qëllimi i misionit është njohja e pavarësisë së Kosovës, sukseset në vend dhe rekomandimet e mia. Punimi shkencor do botohet si libër në anglisht dhe shqip.   

 

Si shqiptaro-amerikane si e ndjeni veten?

 

Ermira Babamusta: Jam krenare të jem shqiptaro-amerikane, përfaqësuese e dy shteteve më historik në botë. Amerika është  ëndërra e botës dhe vendi i demokracisë, ndërsa Shqipëria është pika strategjike e Ballkanit me histori dhe kulturë të lashtë. Kam jetuar në Amerikë që në vitin 1998.

 

Në Shqipëri u ktheva pas 15 vitesh për herë të parë me rastin historik madhështor të 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në nëntor 2012,  me ftesë të z. Artan Minarollit, Ministrisë të Kulturës dhe Kryeministrit z. Sali Berisha. Mora pjesë në organizimin e përkryer të festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar me rastin e 100 vjetorin, nën drejtimin e vizionarit të madh, Artan Minarolli dhe të nderuarën znj. Majlinda Tafa. Na nevojiten më shumë njerëz të mëdhenj si z. Minarolli dhe znj. Tafa sepse janë ambasadorë të denjë të kulturës dhe artit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Duke promovuar talentet e kulturës shqiptare në Shqipëri, Europë dhe Amerikë, bota njeh dhe më mirë vlerat dhe traditat shqiptare. Duhet më shumë përkrahje dhe financim i programeve të tilla si metodë diplomatike dhe kulturore për të forcuar imazhin pozitiv shqiptar. 100 vjetorin e Shqipërisë e kam festuar në New York (me Vatrën), Tiranë (me festivalin e 13të të Filmit dhe Ministrinë e Kulturës), në Shkup dhe në Prishtinë.

 

Qëndrova një ditë në Tiranë dhe u largova për në Prishtinë të nesërmen ku jetova mbi 2 muaj për misionin tim zyrtar diplomatik për njohjen e pavarësisë të Kosovës dhe hulumtimin tim shkencor të doktoraturës. Gjithmonë them që zemra ime është në Kosovë dhe ka për të mbetur kështu ky fakt. Populli kosovar më  ka bërë  një  pritje madhështore në  vitin 2007 dhe në  2012-13. Vlerësoj mikpritjen e jashtëzakonshme të familjeve “Gashi”, “Kunoviku” dhe “Hajredini”.

 

“Home’ për mua konsideroj Amerikën ku kam kaluar gjysmën e jetës time të pjekurisë. Familjen e kam në Angli dhe verën dhe festat e fundvitit i kaloj bashkë me prindërit e mi të dashur. Është vështirë të them ku është vendi im meqë kurbeti na ndau në kontinente të ndryshme dhe larg familjes. Po kudo që jeta të më çojë, nuk e harroj prejardhjen time, historinë dhe origjinën e vendit tim – Shqipërinë, si dhe prejardhjen e gjyshërve të mi – Kosovën. Gjithashtu vlerësoj jashtëzakonisht SH.B.A.-në që u bë vendi dhe shtëpia ime e dytë dhe më dha kulturën e duhur, edukimin dhe një jetë që nuk do e kisha imagjinuar dot diku tjetër. Arritjet që kam patur në Amerikë i kam bërë vetë, me forcat dhe përpjekjet e mia pa përkrahjen e ndonjë njeriut dhe nuk do e doja ndryshe.

 

Mbi të gjitha e konsideroj veten njërëzore dhe humane, ku kam qëllim parësor përmirësimin e njerëzimit dhe civilizimit të sotëm dhe paqe. Si një individ, si një zë, si një e ardhme ku mund të jap unë kontribut për të patur ndryshim për më mirë – kjo është një pyetje që e kam në mendje në çdo aspekt dhe nivel të jetës time. Për mua çdo gjë fillon me individin. Një individ i kulturuar dhe me ambicie për zhvillim, sjell një shoqëri të mirë, një qytet, një shtet të fortë. Kjo influencon shtetin fqinjë dhe mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin në aspektin global. Një veprim i thjeshtë i një individi të vetëm lidh si zinxhir të ardhmen e njerëzimit jo vetëm për veten e vet por dhe për vendin ku jeton dhe tërë botën. Prandaj duhet të synojmë si ta çojmë përpara kulturën tonë për të mirën e tërë botës. Duke vepruar kështu, njeriu heq atë Ego-n dhe Superego-n (filozofia Frojdiane) e vetes dhe jep mund për tërësinë. Pra duke u nisuar në aspektin vetiak, me një princip të një personi, rezultati nuk është më vetjak, kjo humbet kur synimi është human për të mirën e grupit,shoqërisë, botës.

 

 

Krenoheni  me prejardhjen shqiptare dhe synoni ngritjen e vlerave shqiptare kudo në botë. Çfarë nënkupton prejardhja juaj shqiptare dhe vlerësimi nga kongresi amerikan ndaj punës tuaj dhe familjes tuaj?

 

Ermira Babamusta: Të parët e mi Babamusta dhe Cani kanë luftuar për lirinë, tokat,  të drejtat e shqiptarëve dhe përhapjen e gjuhës shqipe në momentet më kulminante të historisë Shqiptare, duke ruajtur një lidhje të fortë diplomatike 100 vjeçare midis Shqipëri-SHBA-Angli. Dhe unë synoj të vazhdoj në hapat e tyre dhe misionin e tyre patriotik. Të dy fiset për 100 vite kanë luftuar që nga lufta e Shkodrës në tetor 1912 krahas vëllezërve të tjerë shqiptarë, dhe vazhdojnë të kontributojnë dhe sot në bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera. Falenderoj respektin dhe vlerësimin që i dha Senati Amerikan gjyshit tim me vdekjen e tij në 2003, ku senatorët u ngritën në këmbë dhe mbajtën një minutë zi. Gjithashtu vlerësoj nderin nga Kongresi Amerikan në 2004 ndaj familjes Cani, Babamusta dhe punës time me tre dekorimet e veçanta dhe ngritjen e flamurit amerikan në shenjë respekti në Capitol Hill, Washington DC.

 

Aktitivtei patriotik i fisit Cani dhe Babamusta fillon në tetor 1912 kundër pushtueseve serb, me Luftën e Shkodrës, ku krahas 200 të vrarëve nga Kavaja dhe Peqini ishin dhe të afërmit e fisit Cani dhe Babamusta. Ndërsa gjyshi im Beqir Babamusta u plagos në luftën e Shkodrës.

 

Në familjen Babamusta në Kavajë u mirëprit me 25 nëntor 1912 diplomati i madh Ismail Qemali nga gjyshi, Beqir Babamusta, dhe vëllezerit e tij Osmani, Murati dhe kushërinj të tjerë. Kurse Ramazan Cani (gjyshi i mamit) me 26 nëntor 1912 me çetën e tij së bashku me çetën e patriotit Bajram Xhani nga Kavaja shoqëruan me çetat e tyre të armatosura Ismail Qemalin në Vlorë, duke iu kundërvënë forcave pro-turke dhe bejlerve agallarëve të Myzeqesë.

 

Ramazan Cani (gjyshi i mamit tim, Suzana Cani Babamusta), është me prejardhje nga Kosova nga Canët e Dibrës së Kosovës, me lidhje fisnore me fisin Gashi. Gjatë viteve 1910-22 Ramazan Cani (Patriot i Madh, dekoruar 7 herë për vlera patriotike, Dëshmor i Kombit) ka krijuar çetë luftarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga shovenistët serb dhe grek. Ramazan Cani u vra nga reaksioni feudal në Shqipëri në vitin 1922.

 

Ramazan Cani, në bashkëpunim me forcat patriotike të Shqipërisë dërguan në Paris Avni Rustemin i cili vrau tradhtarin e kombit Esat Pashë Toptanin (e egzekutoi në Paris në 1916). Ndërsa vetë Ramazan Cani po në vitin 1916 egzekutoi kandidatin për mbret në qeverinë tradhtare të Durresit Kadri Beun (qeveria tradhtare e Durrësit kërkonte që Shqipëria t’i kalonte Italisë 1918-19). 

 

Në Kongresin e Lushnjes, shkurt 1920, çeta patriotike e Ramazan Canit siguroi punimet e Kongresit të Lushnjes, me detyrë ruajten e kongresmeneve dhe marrvajtjen e Kongresit, me veprimtari në Shqipërinë e Mesme. Ramazan Cani ishte krahu i djathtë i patriot Aqif Pashë Elbasanit dhe Bajram Currit, dhe i vëllezërve Myslim dhe Shqyri Peza. Ramazani vinte me porosi të Aqif Pashe Elbasanit, delegues nga Peqini, përfaqësues në Kongresin e Lushnjes për zonën e Peqinit dhe Elbasanit. Ramazani dhe i ati, Mustafa Cani, u vranë atë e bir nga reaksioni feudal në Shqipëri.

 

Kastriot Cani, (Veteran, biri i Heroit Popullar Ramazan Cani dhe gjyshi im) ka patur pseudonimin ‘Furtuna’ gjatë luftës antifashiste 1941-45. Në vitin 1945 ka marrë pjesë përkrah partizanëve për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera të ish Jugosllavisë. Gjatë viteve 1944-46 Kastriot Cani, bashkë me djalin e xhaxhait, Mehmet Babamusta (Dëshmor Kombi), u lidhën me organizatën antikomuniste ‘Fronti i Rezistencës’ dhe  bashkëpunuan me zbulimin anglo-amerikan për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Kreu i organizatës “Fronti i Rezistencës” Hamdi Frashëri u zbulua nga sigurimi i shtetit shqiptar dhe pushkatua. Djali i xhaxhit të gjyshit tim, Dill Cani, nënkryetar i organizatës u dënua me 101 vjet burgim të përjetshëm, dhe të tjerët u persekutuan dhe pushkatuan.

 

Xhaxhai im Qemal Babamusta duke  bashkëpunuar me djalin e xhaxhait Mehmet Babamusta (dëshmor i kombit) dhe vëllain e tij Isuf Babamusta, nëpërmjet Mustafa Gjinishit (djali i tezes së tyre) qenë pranë oficerave të shtabit anglez. Gjatë vititi 1943-44 Anglia dërgoi oficerë anglez pranë Shtabit të Përgjithshëm për të ndihmuar Shqipërinë gjatë Luftës së II Botërore. Në këtë kohë Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe më pas nga Gjermania naziste. Qemal Babamusta (nacionalist, veteran lufte) u arrestua në kohën e komunist, dhe u burgos në vitin 1947.

 

Ndërsa babai im, Neki Babamusta (Mësues i Merituar) nuk pranoi t’i shërbente sigurimit të shtetit gjatë komunizmit për të cilët nga tronditja psiqike që iu shkaktua u shtrua në spital në Elbasan. Prindërit e mi u panë me sy të keq nga diktatura dhe u lanë pa punë disa herë. Në kohën e diktaturës mamin (Suzana) e quanin mbesa e spiunit të Cias amerikane. Ndërsa mua më refuzuan hyrjen në shkollën e mesme.

 

Me fillimin e proçeseve demokratike babai me shokë të tjerë krijoi Shoqatën Patriotike Kombetare me parudhën “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Shoqata kishte për mision: rivlerësimin e figurave patriotike dhe të persekutuarve, hulumutimin për Kosovën martire, përkrahjen e familjeve kosovare dhe forcimin e miqësisë SHBA-Angli-Shqipëri.

 

Familja Babamusta dhe Shoqata Patriotike me 15 mars 1992  pritën ambasadorin e parë amerikan, Reilson, në Kavajë. Ambasadori u shoqërua nga ish-lideri i opozitës z. Sali Berisha. Me propozim të babait qendrës së qytetit të Kavajës iu vu emri ‘Sheshi Amerika’.  Në Amerikë (1999-2004) prindërit punuan për forcimin e miqësisë Shqipëri-Amerikë dhe bashkëpunuan me radion Alba në Detroit, Michigan, për sensibilizimin e opinionit për çështjen e Kosovës (1999). Babai, Neki Babamusta është dekoruar tre herë, si mësues i merituar, për vlera patriotike dhe nga Kongresi amerikan.

 

Babai më tregon se në shtëpinë tonë në Kavajë, kemi strehur familje izraelite gjatë luftës në nëntor 1943 për 6 muaj nën lidhjen e besës. Po ashtu familja Babamusta ka strehuar edhe gjashtë ushtarë italian dezertor (tetor 1943) në kohën kur pushteti i Musolit u rrëzua në Italinë fashiste.

 

Keni  punuar për zgjedhjet presidenciale të Obamës  në 2008 dhe 2012 si drejtoreshë e fushatës në shtete të ndryshme në SHBA. Presidenti Obama ju nderoi dhe me një ftesë zyrtare për ceremoninë e inagurimit në Janar 2013 në Washington DC. Si ishte përvoja e juaj nga këtu?

 

Ermira Babamusta: Pasi përfundova trajnimin për fushatën, fillova punë në Florida si ‘field organiser’ organizuese në terren, më pas u zgjodha drejtuese e skuadrës (team leader) dhe më pas drejtoreshë “GOTV director” (GOTV – Get out the vote), ku kisha nën mbikqyrje 4-5 qytete në Florida. Po në 2008 më zgjodhën organizuese për 2008 Democratic National Convention, në Denver, Kolorado, me 75,000 pjesëmarrës, ku senator Barack Obama pranoi nominimin e partisë Demokratike.

 

Në 2012 administrata e Obamës më telefonoi dhe kërkoi të punoj për ta sërish në W Virginia, Ohio dhe Philadelphia, PA në rolin e drejtueses për monitorimin dhe trajnimin e vullnetarëve gjatë përgaditjes për proçesin e votimit. Me ftesë nga Presidenti mora pjesë në ceremoninë e inagurimit dhe darkën zhvilluar me 21 Janar 2013 në Washington DC. Ishte një manifestim historik dhe madhështor, të cilin e përjetova edhe në Janar 2009.  

 

Çfarë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

 

Nocioni i suksesit ndryshon me konceptimin e njeriut dhe nocioni i rëndësive ose prioriteteve në jetën e secilit. Të tjerët konsiderojnë sukseset tek unë: puna në administratën e President Barack Obama, në OKB dhe Kongresin Amerikan, edukimin e lartë, Prishtina Press, vlerësimi nga Kongresi dhe senatorët amerikan, titulli “Gruaja e Kurajos” nga Instituti i Paqes “Kessel Peace Institute”, etj.  Unë besoj se nuk e kam arritur akoma suksesin që dua. Kur të jetë Shqipëria dhe Kosova mirë dhe të bashkuar atëherë do jem dhe unë mirë. Kur njerëzimi do mendojë për zhvillimin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të mos ketë më luftëra atëherë do kem dhe unë paqe shpirtërore. 

 

Në nivelin personal vlerësoj maturinë, durimin, karizmatikën, inteligjencën, tolerancën, etjen për dije dhe zhvillim/përmirësim vetiak. Në aspektin shtetëror luftoj për të drejtat e njeriut dhe gruas, për paqe, zhvillim ekonomik dhe progres sidomos në Kosovë, forcimin e lidhjeve ShBA-Kosovë-Shqipëri dhe mbrojten e vlerave demokratike.

 

Kam jetuar në Francë (në 2010) ku dhe kam studiuar nëpërmjet EU (BE-së) dhe Universitetit të Strasbourg (Francë) dhe WVU në SHBA, me fokus “BE-ja dhe Sistemi Ligjor Evropian”. 

Pasi të mbaroj doktoraturën synoj të jem në departamentin e shtetit në ShBA ose në Shtëpinë e Bardhë. Në të ardhme e shikoj veten si ambasadore ose si politikane  me kandidaturë në Sh.B.A.

 

Një diplomat kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Si është nga natyra Ermira?

 

Ermira Babamusta: Mendoj se natyra e vërtetë e njeriut tregohet në momentet më kritike dhe vështira në jetë, të cilat unë mundohem të tregohem e qetë, e durueshme, karizmatike, e ndëgjueshme, inteligjente dhe e drejtë. Në synimet e mia jam kurioze, këmbëngulëse, idealiste në motivim por realiste në praktikë, e pandalur, largpamëse, ambicioze dhe humaniste. Çmoj kultura të vendeve të ndryshme dhe respektoj historinë e secilit vend. Në larminë globale vlerësoj mirëkuptimin midis shoqërive dhe taktikat diplomatike bazuar në përpjekje pozitive midis vendeve.


  

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch