Home » Kulturë » Diplomacia e forcës dhe forca e diplomacisë

Diplomacia e forcës dhe forca e diplomacisë

Fragmente

f.77

1.6 Fillimi i luftës në Kosovë

 

Luftërat e zhvilluara në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ishin të tmerrshme, ato treguan, se sa e keqe ishte martesa e tyre me “Jugosllavinë”, dhe sa artificialisht ishte ngritur ngrehina e quajtur “Jugosllavi” dhe natyrshëm, nga kjo, kishin filluar të dilnin shtetet e reja.

Luftërat e tmerrshme ndërmjet vëllezërve të një gjuhe dhe të një gjaku në Bosnjë dhe Hercegovinë ndikuan në vendosjen e forcave paqësore ndërkombëtare nën firmën UNPROFOR.

Gjatë luftimeve do të shohim më vonë se forcat serbe, në një aksion të tyre, do të merrnin peng 300 ushtarë të OKB-së. Të papara ndonjëherë, ishin masakrat në Bosnjë, mbi shtatë mijë myslimanë të masakruar në Srebrenicë i dhanë vulën e turpit Forcës Paqëruajtëse Ndërkombëatre në Bosnje dhe Hercegovinë.

Më 1995 forcat serbe i kishin lidhur paqëruajtësit hollandëzë nëpër shtylla elektrike dhe kishin filluar ekzekutimin e qytetarëve pa dallim moshe e gjinie.

Këtë vit u organizua Konferenca e Dejtonit dhe nën trysninë e SHBA u nënshkrua paqja e shumëpritur në mes serbëve dhe boshnjakëve. Kosova si problem i madh nacional, i pazgjidhur shekuj me radhë në Ballkan, do të mbetej jashtë mureve të Dejtonit.

Shqiptarët, me rrugën e zgjedhur të rezistencës, “me paqe kundër dhunës”, nuk kishin arritur të ndërrojnë kursin politik të Sllobodan Millosheviçit për Kosovën. Ndërsa në qarqet ndërkombëatre dhe opinionin botëror për këtë qëndresë shqiptarët kishin fituar një simpati, por kishte dyshime edhe te politikanët vendas edhe te ata ndërkombëtarë, se nuk mund të çliroheshin me këtë rezistencë nga Serbia, e cila po ushtronte repression shtetëror mbi qytetarët e Kosovës në të gjitha drejtimet dhe fushat e jetës së tyre.

Tashmë shqiptarët ishin objekt i rrahjes, plaçkitjes, përzënies nga shkollat, nga vendet e tyre të punës dhe jeta e tyre përfundonte pa dhënë kurrëfarë lloogarie. Nga shteti serb, në mënyrë arbitrare, shkeleshin të drejtat dhe liritë e njeriut.

Në këtë mënyrë, planet serbe të hartuara nga Akademia serbe e Shkencave (në vitin 1846) për largimin e të gjithë shqiptarëve nga tokat e tyre (Kosova) dhe viset e tjera nën sundimin serb, po bëheshin realitet.

Statistikat e vitit 1995 flisnin për rreth 500 mijë shqiptarë të Kosovës të larguar nga vendi, ku shumica ishin vendosur si azilkërkues në shtetet perëndimore. Situata tashmë ishte e padurueshme, durimit po i vinte fundi, simpatia e perëndimorëve për rezistencën paqësore të shqiptarëve ishte verbale, instrumentet për largimin e represionit serb nga Kosova mungonin.

Pas masakrave të marsit (1998) dhe rezistencës së Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës, Kosova ishte para një shpërthimi dhe fitili i ndezjes së “fuçisë së barutit në Ballkan” po aktivizohej, shprehje politike e dëgjuar në zhargonin politik për Ballkanin nga politikanët ndërkombëtarë.

Në vitin 1998, në një vizitë të bërë Kosovës për së afërmi, i autorizuari amerikan për Ballkanin, diplomati Gelbard, duke vëzhguar këtë “fuçi baruti” që po shpërthente, në takimet me udhëheqësit politikë të Kosovës, kryetarit të LDK-së i kishte thënë se “ne nuk jemi të plotfuqishëm (supermen) dhe nuk mund t’ua sjellim lirinë në pjatë”.

Ishte plotësisht e qartë se liria kishte çmimin e lartë dhe do të paguhej shumë shtrënjtë. Diplomacia e forcës ishte gjuha të cilën e donte ideatori i luftërave në Ballkan, Sllobodan Millosheviçi.

Dalja publike e UÇK-së më 28.11.1997 ishte sinjal i qartë se lufta ishte e pashmangëshme, ndërsa rezistenca heroike e Adem Jasharit, e familjes dhe e shokëve të tij kundër makinerisë vrastare të Millosheviçit, si fenomen botëror i flijimit për liri, kishte dhënë kumtin e fillimit të një lufte.

Do të shohim, më vonë, se i gjithë rruzulli tokësor, për 78 ditë me radhë, do t’i kthente sytë e veshët në drejtim të Kosovës. Për herë të parë Bashkësia Ndërkombëatre, e udhëhequr nga NATO, ishte unike rreth çështjes së Kosovës.

Më në fund do të ndodhin ngjarje të rralla të cilat nuk kishin ndodhur më parë në historinë e njerëzimit. Në të gjitha konfliktet etnike, ndër shekuj, përfundimisht do të dalin në dukje masakrat dhe tmerret serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës, të ushtruara gjatë gjithë historisë, “me taktikat e tokës së djegur dhe dëbimit masiv të tërë popullit nga tokat e tyre”, dhe këto skena do ta tronditnin tërë opinionin botëror.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të ishte një organizatë ushtarake-politike e pashoqe në botë, që për nga shpejtësia e organizimit, e pastërtisë së luftës, me një mobilizim krejtësisht vullnetar, do të ishte krejtësisht e gatshme, që lirinë ta paguajë me çmimin e jetës.

Për herë të parë NATO mbështetet nga të gjitha shtetet anëtare njëzëri dhe intervenimi ndërkombëtar do të bazohej në Kreun e Shtatë të Kartës së OKB-së me rezolutën 1199, si Luftë Humanitare. Goditja u bë e vendosur dhe pa kompromis 78 ditë me radhë nga ajri.

Për herë të parë NATO nuk e pyeti sovranitetin e shtetit si parim i të Drejtës në Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të Këshillit të Sigurimit për mos intervenim brenda shteteve sovrane, pa lejen e tyre.

Tani bota kishte avancuar në pikëpamje të demokracisë, vlerave universale të njeriut dhe të drejtave të njeriut, aty ku shkeleshin ato, si në arstin e Jugosllavisë, nuk ishte pyetur as Këshilli i Sigurimit nga NATO, si forca e vetme e garantimit të sigurise kolektive botërore, ishte marrë vendimi pa kompromis për intervenim ushtarak.

Wesely C. Klark këtë luftë e cilëson: “si një luftë moderne në funksion të historisë dhe kulturës, si rezultat i NATO-s, mediave dhe teknologjisë”.

Ruzhdi Jashari

Prishtinë 2011

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch