Home » Opinione » DISA KUJTIME PËR SHOKUN KADRI ZEKA

DISA KUJTIME PËR SHOKUN KADRI ZEKA

“SHQIPTARËT LUFTUAN  QË TA BËJNË   SHQIPËRINË-SHQIPËRI”

 

 

 

 

 

 

 

Shkruan: Reshat AVDIU

 

DISA KUJTIME PËR SHOKUN KADRI ZEKA

 

(Fjalë e mbajtur në Preshevë më 1992 për dëshmorët e kombit)

          Në tridhjetë vjetorine e  vrasjes së dësmorëve të kombit

Represioni i atëhershëm jugosllav ndaj popullatës shqiptare në trojet e veta etnike s’ishte ndryshuar fare nga ai i para luftës, vazhdonte me të njëjtin intensitet, instruksionet dhe metodat e Aleksandër Rankoviqit dhe kamarillës së tij ishin të pranishme në çdo vend të Kosovës. Titoja këtë e dinte por bëhej, i shurdhët para një së vërtetë që i kishte rrënjët edhe më herët madje-madje edhe vet ai ishte punëtorë i kuzhinave serbe.

Titoja së bashku me klikën e tij besnike nga Kosova me kohë e kishte nuhatur se diçka progresive për shqiptarët në Kosovë po lëvizë. Me kohë i kishte marrë masat preventive, në funksion të tij e kishte vënë KOS-in famëkeq. Një plejadë e tërë agjentësh të dorës së zezë që më parë i kishte dresuar nëpër shkollat e tij speciale për terror dhe zhdukje në masë të popullatës shqiptare në Kosovë, u vunë në shërbim njerëz të tipit fashist të huntës së Pinoçes të Çiles, filloi ndjekja e bijve më besnik të popullit shqiptar nën robërinë jugosllave, burgjet mbusheshin çdo ditë me shqiptarë të pafajshëm. Shkaku ishte shumë i vogël për ne shqiptarët nga regjimi në fuqi. Mjaftonte të të gjendej një libër ku trajtohet drejt çështja e Kosovës e mbetur kështu siç është në robëri, mandej dëgjimi dhe përcjellja e ndonjë emisioni të Radio-Tiranës apo ndokujt i paska rrëshqit nga goja fjala dhe e paska përmend Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. Ja pra me çfarë materialesh të provave dhe faktesh shërbeheshin njerëzit e pushtetit të “parajsës” së Titos, thonin se keni bërë vepra të rëndë penale ndaj shtetit dhe bratsvo-jedinsvos. E mbi ne shqiptarët e ndëshkuar nga aparati represiv i atëhershëm aplikoheshin torturat ndër më çnjerëzoret. Për to mundemi të flasim dhe dëshmojmë vetëm se ne që e përjetuam dhe e kaluam një ferr të tillë golgotjan.

Pushteti represivë i Titos, s’kishte të ndalur dhe kësaj kuçedre dhe këlyshëve të saj duhej dalë një ditë ballë për ballë dhe t’i tregohej popullit dhe botës e vërteta për shqiptarët e Kosovës dhe kjo e vërtetë filloi më 1981 dhe po vazhdon edhe më tutje.

Me Kadri Zekën u njohëm në tetor të vitit 1974, kur edhe ishte marrë iniciativa e këshillit organizativ ilegal i atëhershëm për formimin e celulave ilegale nëpër institucionet të ndryshme. Por me theks të veçantë ishte formimi  celulave nëpër shkolla të mesme, fakultete, fabrika e miniera etj. Duhej bërë organizimi në masë i popullatës nëpër trojet etnike shqiptare, në fillim kishte vështirësi  të mëdha se duheshin gjetur njerëzit besnik e punëtorë.

Kadriu në njërën nga mbledhjet ilegale pat propozuar se ne duhet t’i gjejmë ata njerëz që në masë të kanë një autoritet besnikërie dhe atdhetarizmi, e jo të shkohet nga sasia por nga cilësia e tyre. Duhet tek shokët simpatizant të lëvizjes ilegale të bëhet ngritja e tyre ideore, me njohjen e historisë së vërtetë të popullit shqiptar këtu në Kosovë, madje çka ishte më e rëndësishmja Kadriu e kishte dhënë edhe iniciativën se shokët e rij simpatizantë të organizatës ilegale duheshin dhënë provat e para edhe në praktikë siç ishte shpërndarja e trakteve, afisheve madje grumbullimi i materialeve  për punë ilegale.  Çdo simpatizantë gjatë kryerjes së këtyre aksioneve duhet ta ketë edhe një shok me përvojë që disa herë e kishte kryer një punë të tillë.

Ponë tetor të vitit 1974, nga Kadriu dhe Hidajeti u murr iniciativa për formimin dhe shtrirjen e celulave të reja nëpër të gjitha qytetet e Kosovës së atëhershme krahinore por me theks të veçantë ishte formimi i celulave ilegale nëpër trojet shqiptare si në Maqedoni, Serbinë  Jugut, Mal të Zi madje edhe në diasporën shqiptare. Kadriu në mbledhjen e tetorit të vitit 1974, propozoi që grupe dhe celula të reja të formoheshin sa të është e mundur ndër punëtorët e minierave se aty thoshte ai është potenciali i pashtershëm njerëzor i shtypjes nacionale dhe sociale. Mançesteri anglez dhe Ruri gjerman i Kosovës me tërë atë potencial të të mirave materiale siç thoshte Kadriu shfrytëzohej nga klika e egër shtypëse dhe shfrytëzuese e Beogradit dhe me të drejtë ishte shpërndarë ndër popull sintagma se: “ Trepça prodhon dhe Beogradi ndërton”.

Në shkurt të vitit 1975, një pjesë e shokëve tanë, tash nga grupi marksist-leninist zbulohen dhe bien në burg. Edhe një pjesë e teknikës ilegale sekuestrohet nga UDB-ja. U dhanë fakte të pakontestueshme se në Kosovë diçka po përgatitej. Kadriu u ngarkua nga celula jonë ilegale ta merrte lidhjen përmes kanaleve të ndryshme e t’i propozohej shokëve të arrestuar që deri atëherë u kishin qëndruar torturave stoikisht dhe treguan një pamposhtëmëri revolucionare ashtu siç kërkonin radhët tona të veprimtarisë ilegale, se gjithçka nga lëvizja përsëri ishte koordinuar dhe vënë në binar te rrjedhave ilegale. Pastaj shokëve duhet sugjeruar që seancat gjyqësore t’i shndërronin në tribuna politike kombëtare ku te ketë pastaj ajo një jehonë të madhe ndër popullatën shqiptare të Kosovës së robëruar, ashtu edhe u bë, gjyqtarët dhe prokurorët gjyqësor titist shokët tanë i kishin vënë në lojë. Gazetat beogradase shkruanin atëherë sa më kujtohet titulli ishte kështu: “Gjyqtarët u ulën në vendin e të akuzuarve” dhe kjo bëri një jehonë të madhe në qarqet e atëhershme.

Në vitin 1976, njëri nga shokët e celulës sonë duhej të largohej dhe të kalonte në ilegalitet se ishte synuar nga agjentët e klikës në fuqi. Hydajeti ndiqej çdo hap nga njerëzit e paguar me paratë e shtetit jugosllav të “vëllazërim-bashkimit” . Derisa Kadriu bëhej gati  një mbrëmje të vonë të dilte në takim me një shok si më patë treguar më vonë në derë ia behë  Hyda dhe e lajmëron Kadriun se disa njerëz të dyshimtë i paskan ardhur në zyre se ai atëherë punonte si gazetar i “Rilindjes” dhe e paskan kontrolluar kinse për disa artikuj të gazetës në fjalë, mandej paskan gjet shkas për disa dokumente të tij personale. Te nesërmen prapë vijnë për ta arrestuar por disa njerëz të tjerë të UDB-së dhe e pyesin se a jeni ju Hydajet Hyseni. Më falni u kishte thënë ja tash ishte këtu dhe doli deri në një zyre tjetër për një punë gazetarie, pritni ju lutem këtu tash  shkoj dhe e thërras, falë gjakftohtësisë së shokut dhe arsyes së tij gjithmonë vigjilente i kishte shpëtuar arrestimit të sigurt të tij.

Kadriu atëbotë i kishte marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nga baza e celulës sonë e kishte tërhequr tërë materialin dhe teknikën ilegale qe e posedonim. Ishte shumë vështirë të punohej pas kalimit të shokut në ilegalitet edhe vet Kadriu deri diku ishte synuar nga UDB-ja pasi që ata  shoqëroheshin dhe banonin së bashku në njërën nga lagjet e Prishtinës, duheshin marrë të gjitha masat e nevojshme që puna dhe kontinuiteti i ilegalitetit të vazhdojë. Kadriu atë kohë flinte shumë pak, lypsej punë e madhe duhej bërë përcjellja e zhvillimit të situatës se në deri çfarë mase shoku ishte synuar se mund të vinte prej një pakujdesie shumë të vogël deri tek synimi i tërë grupit.

Kadriut i vinte shumë keq për shokun që pas një kohe të kaluar në ilegalitet duhej ta braktiste Kosovën e të emigronte jashtë. Kushtet dhe rrethanat e atëhershme ishin shumë të vështira për një jetë më të gjatë ilegale ne Kosovë, anëtarët e të ashtuquajtur të LKJ, ku shumica nga ata ishin shërbëtor besnik te shteti revizionist jugosllav për një privilegj nga pushteti nuk i kursenin fare vëllezërit e tyre që e sakrifikonin jetën, rininë dhe familjen e tyre që vetëm e vetë lëvizja të rritej dhe forcohej në Kosovën e robëruar.

Një natë dhjetori të vitit 1977/78, kur duhej bërë një takim i rregullt ilegal Kadriu mungoi dhe nuk erdhi në mbledhjen e rregullt. U befasuam ne shokët e tij se ishim mësuar se në radhët tona të kishte gjithmonë një disiplinë me të vërtetë siç e kërkonin punët tona të përditshme ilegale. Të nesërmen e morëm lajmin se Kadriut udbashët i kishin rënë në gjurmë dhe po e ndiqnin për ta arrestuar se po të vinte Kadriu atë natë në mbledhje njerëzit e regjimit do ta përcillnin deri në bazën tonë ku mund të synoheshim edhe ne shokët e tij të ilegales, kështu që edhe grupi do të pësonte një goditje të rëndë për rrethanat e atëhershme. Kadriu kaloi në ilegalitet të thellë edhe nga ilegaliteti na ndihmonte mjaft sepse kishte një përvojë të madhe të veprimtarisë revolucionare. Në vitin 1978, ne disa nga shokët e tij kërkuam një takim me të se na kishte marrë malli se ishte bërë një kohë e gjatë që nuk e kishim parë shokun. Takimi u organizua në maj 1978, diku në rrethinat e Shkupit në male. Ishte dobësuar shumë nga jeta e vështirë ilegale por me moral qëndronte shumë lart.

Shkëmbyem atë natë përvoja dhe mendime për punën e më tejme ilegale i treguam Kadriut se puna në zgjerimin e radhëve është duke përparuar mjaft dhe se materialet ilegale propaganduese shpërndahen shumë më lehtë tash se më parë. Zhvilluam shumë biseda dhe morëm iniciativa për punë të mëtutjeshme ilegale. Atë natë agimi na zbardhi shumë shpejt, na u duk nata sa një orë dhe në agim vendosëm që në këmbë të niseshim nëpër male. S’mundeshim të ndaheshim, kishim dëshirë që shokun ta kishim edhe ndonjë orë ne mesin tonë, se jetës ilegale nuk i dihej atëbotë. Aty diku te Gryka e Kaçanikut u përqafuam me Kadriun vëllazërisht. Ai me një shok tjetër e mori rrugën për ndonjë bazë ilegale ku do ta kalonte kohën e rëndë ilegale.

Në vitin 1982, deri sa ndodhesha në burgun Qendror të Beogradit CZ, mësova dhe e mora lajmin e hidhur se diku në Gjermani në një fshat afër Shtudgardit Kadriun, Jusufin dhe Bardhoshin e kishin vrarë njerëzit e UDB-së, kriminale të Beogradit me ndihmën dhe përkrahjen e kolaboracionistëve shqipfolësish të KOS-it nga Kosova. Sikurse fashizmi që i ndezi tanket me naftën e Kuçovës së Shqipërisë gjatë Luftës Internacionaliste të Spanjës për t’i vrarë vullnetarët shqiptarë si: Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Musa Fratërin, Teni Kononin etj. Njashtu nga Beogradi dhe Prishtina u nisën vrasësit me plumbin e prodhuar në minierën e Trepçës ton për t’i vrarë djemtë e Kosovës së robëruar.

Atyre dhe të gjithë martirëve tjerë që dhanë jetën për bashkim kombëtar shqiptar u qoftë lavdi e përmotshme!

 

 

PRESHEVË, 22. 01. 1992.                            Reshat AVDIU

 

One Response

  1. shyqyri imeri thotë:

    të përgëzoj për shkrimin Reshat, vërtet Kadri Zaka ka qenë dhe deri më sot është shqiptari më i madh pas Enver Hoxhës, trimëria, vendosmëria, për çlirimin e tokave shqiptare e gjeti në ballë të organizimit vetëdijsimit të masave popullore deri sa ra nga UDB-a serbomadhe
    lavdia është me Të derisa njerzimi do eksistoj

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch