Home » Kulturë, Lajme » DISA PROPOZIME KONKRETE NË DREJTIM TË MBROJTJES DHE RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE

DISA PROPOZIME KONKRETE NË DREJTIM TË MBROJTJES DHE RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE

SHTKKLP logo

DISA PROPOZIME KONKRETE NË DREJTIM TË MBROJTJES DHE RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE DHE NATYRORE DHE ZHVILLIMIT TË KRIJIMTARISË KULTURORE, PËR TË CILAT KA NEVOJË TË NGUTSHME LUGINA E PRESHEVËS:

 

Luginën e Preshevës e përbejnë komuna e Preshevës, e Bujanocit, të cilat edhe teritorialisht janë të lidhura dhe komuna e Medvegjës, të cilat janë komuna autoktone shqiptare me shumicë të popullatës shqiptare.

Këto, edhe pse territorialisht nuk janë të lidhura/ajo e Medvegjës/, paraqesin etnikum të përbashkët shqiptar dhe tërësi etnike, kulturore, gjuhësore, etnomuzikologjike, të traditës, adeteve e zakoneve shqiptare, në kuadër të etnikumit gjithë-shqiptar.

Presheva, Bujanoci dhe Medevegja aktualisht i takojnë Republikës së Serbisë, janë komunat më të varfra në Serbi si dhe i kanë specifikat dhe karakteristikat e veçanta në kuadër të kësaj Republike.

Ajo që i bënë të veçanta dhe specifike këto komuna është gjuha, simbolet dhe kultura e Shqiptarëve, të cilët jetojnë me shumicë në këtë krahinë.

Kohëve të fundit, krahas themelimit të institucioneve rajonale në mjekësi, Materniteti, e më vonë Spitali rajonal, pastaj në informim, themelimi i një RTV Rajonal për informim në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës, ndihet nevojë e madhe që të themelohen edhe Institucione Rajonale Kulturore në Luginë të Preshevës.

Për të cilët Institucione Rajonale Kulturore ka nevojë Lugina e Preshevës, gjegjësisht komuna e Preshevës, e Bujanocit dhe Medvegjës në veprimtarinë kulturore, po cekim më poshtë:

1. Themelimi i Qendrës apo Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Krijimtarisë Kulturore të Shqiptarëve, i cili do të merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kultivimin e krijimtarisë kulturore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Instituti do të punësonte arkeologë, arkitektë, inxhinierë të ndërtimtarisë, historianë, etnomuzikologë, kulturogë, folkloristë e tjerë.

2. Themelimi i Muzeut Rajonal, i cili do të merret me ruajtjen e eksponateve dhe gjithë trashëgimisë kulturore, historike, etnologjike e tjerë të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në Muze do të angazhoheshin kuadro profesionale: kuostosë, historianë e tjerë.

 

3. Themelimi i Arkivit Rajonal, i cili do të merret me ruajtjen e dokumentacionit arkivor të të gjitha llojeve dhe fushave: politikë, arsim, shkencë, kulturë, mjekësi e tjerë. Në Arkivë do të angazhohen kuadro të mirëfillta që me kohë do të profesionalizohen gjatë përsosjes shumëvjeçare.

 

4. Themelimi i Teatrit Rajonal i Luginës së Preshevës, i cili do të punësonte kuadrin aktual të aktorëve dhe regjisorëve .Teatri do të zhvillonte veprimtarinë teatrale, sidomos ajo që krijohet në Luginë të Preshevës.

 

5. Themelimi i Bibliotekës Rajonale, e cila do të merrte përsipër të zhvilloj veprimtarinë bibliotekare në Luginë të Preshevës, do të merrte punët e Amsisë nga Biblioteka e Vranjës, për shkak të specifikave të bibliotekarisë në gjuhën shqipe dhe do të merrte detyrën e bërjes së katalogimit të publikimeve si dhe do të shpërndante ISBN, numrin ndërkombëtar të pubikimeve që botohen në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës.

Detyrën e katalogimit dhe shpërndarjes së numrave e bënë Biblioteka Popullore e Serbisë, e cila me një vendim të veçantë mund t’i huazojë këto kompetenca, të pjesërishme vetëm për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përshkak të specifikave të gjuhës shqipe dhe vonesave që po lindin me rastin e katalogimit dhe shpërndarjes së numrave të publikimeve në gjuhën shqipe. Apo shumica e autorëve që botojnë publikime, shumica e përmbledheve të poezive dalin pa katalogim dhe numër të ISBN, çka jo vetëm që është në kundërshti me Ligjin për veprimtarinë botuese, por edhe janë publikime të egra që bibliotekat kombëtare mund të mos i pranojnë për fondet e tyre,

 

6. Shkolla e Ulët Muzikore, e cila do të shkollojë kuadro muzikore, të mirëfillta.

Për themelimin e këtyre Institucioneve Rajonale nevojitet pajtim i klasës politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, apo marrëveshje në mes të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pushteteve lokale të këtyre komunave si dhe faktorëve të tjerë relevant në Luginë të Preshevës.

Themelues i Institucioneve Rajonale do të ishte Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndërsa financimin do ta bënin Këshilli Kombëtar Shqiptar nga buxheti i transferuar republikan dhe nga buxhetet e pushteteve lokale.

Selia e Institucioneve Rajonale në komunat e Luginës së Preshevës, do të ishte me marrëveshje të këtyre subjekteve, kurrsesi nuk do të ishte mirë grumbullimi i tyre në një komunë  apo sipas kuadrit që posedon komuna, aty do të themelohej edhe Institucioni Rajonal.

Në shikim të parë këto institucione duken sikur megalomane, të panevojshme, por është koha e fundit që të mendojmë edhe për gjuhën, simbolet, dokumentacionin, trashëgiminë, kulturën, historinë tonë shqiptare më denjësisht dhe ato t’i institucionalizojmë, sikur veprojnë të gjithë popujt e Evropës Perëndimore.

Financimi i këtyre institucionale nuk do t’ishte barrë e madhe për buxhetet komunale të Preshevë, Bujanocit dhe Medvegjës.

 

Themelimi i instituconale në nivel komunal do të dështoj, sepse buxhetet komunale jane të varfëra për t’i bartur veprimtaritë e përmendura, ndoshta edhe mungesa e kuadrit profesional, sikur që po dështojnë Teatrot profesionale në disa qendra të Kosovës.

 

Më 21 shkurt 2017                  Shoqata pë trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë

                                                 Kryetari, Xhemaledin Salihu

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch