Home » Intervistë » Disa shkrime të Albin Kurtit

Disa shkrime të Albin Kurtit

Albin Kurti rtkMrekullia e dytë

Në këto gjashtë vite pas shpalljes së pavarësisë, qeveritarët kosovarë ua kanë mbushur mendjen shumë qytetarëve (e mbase edhe vetvetes së tyre) se zhvillimi ekonomik i Kosovës vjen e do të vie përmes investimeve të huaja. Kësisoj, pritja e zhvillimit ekonomik dhe durimi deri tek ai, ishin pritje e durueshme e qytetarëve për investitorët e huaj që do të zbarkonin një ditë në Kosovë me paratë e tyre duke themeluar e aktivizuar ndërmarrje të reja dhe që hapin vende të reja pune për armatën tashmë të vjetër të të rinjëve të papunë.

Natyrisht, imazhi kishte strukturën e gatshme që duhej plotësuar me përmbajtje të re: ashtu sikurse që NATO-ja erdhi nga qielli me avionët e bombat e saj për të na shpëtuar si njerëz (nga vrasja), edhe investitorët e huaj do të vijnë një ditë për të na shpëtuar si qytetarë (nga skamja). Herën e parë kishim një mrekulli që ndodhi para syve tanë dhe tash po bëhemi gati që mrekullia të përsëritet tamam sikurse në fillet e kinemasë para shumë dekadave kur njerëzit qëndronin në errësirën e sallës duke pritur fillimin e projeksionit të filmit në perden e qetë përpara.

Veçse këtu harrohet kolektivisht një detaj shumë i rëndësishëm që e shpërbën këtë analogji por jo duke e pamundësuar tërësisht atë. Intervenimi i NATO-s kundër forcave të Jugosllavisë erdhi vetëm pas luftës së UÇK-së, vetëm pasi që shqiptarët e Kosovës u organizuan për rezistencë të armatosur që me shpejtësi dhe sigurtë po merrte përmasat e një kryengritje gjithëpopullore. Pra, ndërhyrja nga jashtë për të na shpëtuar si njerëz nuk erdhi pse ne e prisnim atë por për shkak se kishim vendosur që të mos prisnim më si qytetarë e si shqiptarë (që nuk lejoheshim të ishim).

Ngjashëm, Kosova do të mund ta përjetojë edhe ‘mrekullinë’ e dytë, pra investimet e huaja në ekonominë tonë e për zhvillimin e saj, vetëm nëse sërish e përsëri angazhohemi vetë dhe nuk presim. Mrekullia vjen pikërisht pse nuk e beson dhe atëherë kur ke vendosur të mos presësh e të mos durosh më, atëherë kur përpiqesh ta bësh vetë atë që do dhe në finish edhe ndihmohesh e përkrahesh nga jashtë. Duke e pritur mrekullinë ajo mbetet e tillë, pra mrekulli, dhe nuk vjen fare (duke t’i djegur kështu sytë e hapur dhe duke t’i tharë duart e mpira).

Sikurse çlirimi politik, edhe zhvillimi ekonomik, janë çështje të brendshme të një kombi e një shteti, të një shoqërie dhe një qytetarie. Kot dikush dëshiron t’i konsiderojë ato punë të jashtme a që vijnë prej jashtë. Nismëtar dhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tonë duhet të bëhemi vetë ne ashtu qysh ishim nismëtar dhe bartës të luftës çlirimtare. Më pastaj, serioziteti dhe sinqeriteti ynë në ndërmarrjen tonë do të shkaktojë edhe mbështetje prej jashtë që ia shton vlerën e shpejtësinë asaj që bëjmë e për atë që duam ta arrijmë dhe realizojmë.

Në fakt, për dallim prej qeverisë kjo është kuptuar bukur mirë prej ndërmarrësve të shumtë të Kosovës. Nga të gjitha bizneset e reja në tremujorin e katërt të vitit 2013, sipas prejardhjes së kapitalit, Agjensioni i Statistikave të Kosovës (ASK) na tregon që 1795 sosh janë nacionale (apo 99,45%) kurse vetëm 10 janë të huaja (apo 0,55%). Ka aq shumë qytetarë të Kosovës që përpiqen në ekonominë kosovare sepse e dinë që pa punë vetanake nuk ka përparim e mirëqenie. Çështja është që këtë gjë nuk e ka kuptuar ende qeveria e Kosovës dhe vështirë ta kuptojë ndonjëherë për shkak të botëkuptimit të saj të gabueshëm mbi atë se si ndodh zhvillimi ekonomik i një vendi.

Investimet e huaja e ndjekin zhvillimin vendor dhe nuk i paraprijnë atij. Në rrafshin botëror, dihet se 90% të Investimeve të Huaja Direkte (IDH) shkojnë në vendet tashmë të zhvilluara. Nuk bëhesh joshës për zhvillim nga jashtë por zhvillimi nga brenda të bën joshës për investime të huaja. Sipas një studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSPJ), IHD në Kosovë kanë rënë nga 440,7 milionë euro (në vitin 2007) në 232 milionë euro (në vitin 2012). Pra, autostradat e shtrenjta të Bechtel & Enka nuk e rrisin nivelin e IHD-së në Kosovë. Ato konsistojnë shumë më tepër te lehtësimi i qarkullimit të kapitalit (në kuadër të rritjes enorme të deficitit tregtar) sesa te akumulimi i kapitalit (që mungon për shkak se nuk ka ekonomi prodhuese).

Gjithnjë sipas statistikave të ASK-së, që prej vitit 2005 e deri në ditët e sotme, numri i kilometrave të rrugëve magjistrale (630,4 km) dhe regjionale (1.294,7 km) në Kosovë ka mbetur identik, ndërkaq është rritur vetëm gjatësia e rrugëve ndërkombëtare nga zero në 80,4 km! Transporti hekurudhor vazhdon të jetë i mjerë: me vetëm 8 lokomotiva Disell dhe 27 vagona gjithsej, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh. Pra, edhe vetë faktet numerike të infrastrukturës rrugore dhe të karakterit të saj – e që përbëjnë mburrjen kryesore të qeverisë së Kosovës – vetëm sa e dëshmojnë modelin e gabuar (jo)ekonomik në Kosovë. Ky model e mban përgjithmonë Kosovën si vend tranzit të zhvillimit të të tjerëve, kurse popullin e saj e ngujon në spektatorë të dinamikave ekonomike gjithnjë të të tjerëve, në spektatorë syhapur e me duar të mpira.

Prishtinë, 1 prill 2014

Albin Kurti

Tatimi progresiv zbut pabarazinë

Në rastin më të mirë, thuhet se qytetarët janë të barabartë para ligjit. Mirëpo, në jetën e tyre ata gjithsesi janë të pabarabartë. Shtetet e ndryshme dallohen për nga përmasa e pabarazisë me njëra-tjetrën dhe brenda vetvetes secila prej tyre. Kështu, pabarazia është realiteti ynë. Aq e zakonshme është pabarazia saqë ajo nuk kontestohet as për së afërmi sa e si do të duhej. Jetojmë të pabarabartë dhe pabarazia jeton midis nesh, me neve dhe përmes nesh.

Megjithatë, kjo nuk duhet të na bëjë të pandjeshëm ndaj shkallës së pabarazisë së qytetarëve në pasuri e paga. Duke konstatuar që pabarazia qenka e pashmangshme nuk guxojmë ta braktisim luftimin e saj. Dallimi themelor e thelbësor midis barazisë dhe pabarazisë, nuk duhet ta shndërrojë në çështje të dorës së tretë për nga rëndësia shkallën e pabarazisë. Pra, ndryshimi cilësor ndërmjet barazisë dhe pabarazisë nuk bën të shndërrohet në maskim cinik kundrejt sasisë së pabarazisë. Me fjalë tjera, gjithmonë është shumë e rëndësishme sa të pabarabartë jemi.

Pabarazia midis qytetarëve nuk mund të luftohet duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë. Kur të pabarabartët trajtohen njësoj atëherë mirëmbahet pabarazia si e tillë madje duke u thelluar, sepse të pabarabartët janë përherë në proces, pjesëmarrës të pabarabartë në dinamikat socio-ekonomike. Pra, qytetarët e pabarabartë duhen trajtuar në mënyrë të pabarabartë për ta luftuar pabarazinë. Tatimi progresiv apo i përshkallëzuar është i domosdoshëm për këtë qëllim.

Skema aktuale tatimore realisht nuk është progresive. Tatimi në të ardhura, përkatësisht fitim, nuk shkon më lartë se 10%. Kështu, për pagat nga 80 deri në 250 euro (ndonëse paga minimale për të paguhen 4% tatim në të ardhura personale; për pagat nga 250 deri në 450 euro, paguhen 8% tatim në të ardhura personale; kurse për pagat mbi 450 euro, paguhen 10% tatim në të ardhura personale. Në anën tjetër, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) është tërësisht i sheshtë pavarësisht llojit të mallit:16%!

Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, së pari, rolin e politikave fiskale nuk e sheh të kufizuar te gjenerimi i të hyrave buxhetore dhe alokimi sektorial i tyre por të zgjeruar edhe te mbështetja e rritjes ekonomike, stabilizimit ekonomik dhe zbutjes së pabarazisë përmes politikave sociale. Në përputhje me këtë, ne propozojmë një skemë krejtësisht tjetërfare tatimore. Ata që kanë të ardhura do të paguajnë tatime; ata që kanë nevoja duhet të përfitojnë nga to, dhe ata që fitojnë më shumë do të kontribuojnë më shumë për të mirën e përgjithshme. Kësisoj, universaliteti dhe solidariteti institucionalizohen në shtet duke u bërë  pjesë të karakterit të tij që aktualizohet në politika praktike dhe konkrete.

Ata që kanë të ardhura ose fitim mujor deri në 170 euro, nuk do të tatohen fare; për pagat nga 170 e deri 500 euro (përafërsisht trefishi i pagës minimale), tatimi në të ardhura duhet të jetë 5%; për pagat nga 500 deri në 850 euro (pesëfishi i pagës minimale), tatimi në të ardhura duhet të jetë 10%; për pagat nga 850 deri në 1700 euro (dhjetëfishi i pagës minimale), tatimi në të ardhura duhet të jetë 20%; kurse për pagat mbi 1700 euro (dhjetëfishi i pagës minimale) tatimi në të ardhura duhet të jetë 30%. Sa për ilustrim, në Gjermani, ata që kanë mbi 250.000 mijë euro të ardhura në vit paguajnë deri në 45% tatim!

Pas përllogaritjeve, del që qytetarët e Kosovës që aktualisht marrin psh. 400 euro pagë bruto, pas tatimeve atyre sot iu mbeten 362,8 euro, ndërsa me tatimin progresiv të VETËVENDOSJE!-s do t’i kishin 369,5 euro. Ata që marrin pagë psh. 2.000 euro bruto, pas tatimeve iu mbeten 1.732,2 euro kurse me skemën e Lëvizjes sonë, do të paguanin më shumë dhe do t’i kishin 1.618,5 euro pagë neto. Pra, ata që kanë pagë bruto 400 euro, do të paguanin afër 7 euro më pak, ndërkaq ata që kanë pagë bruto 2.000 euro do të paguanin afër 114 euro më shumë për të mirën e përgjithshme. Këto përllogaritje janë  bërë  duke mbajtur parasysh të  njëjtin kontribut pensional mbi pagë  që  është  edhe sot.

TVSh-ja për gjërat elementare, përkatësisht nevojat e domosdoshme, do të ishte 0% e jo 16%, ndërkaq për gjërat e luksit, përkatësisht dëshirat jo të domosdoshme, do të jetë 20% e 16%, ashtu siç është në shumë vende të Bashkimit Evropian. Si rezultat, nëse i marrim për bazë çmimet mesatare për muajin shkurt të këtij viti, buka do të lirohej për pesë centë (nga 36 në 31 centë), vaji do të lirohej për 17 centë (nga 1 euro e 23 centë për litër në 1 euro e 6 centë), mielli do të lirohej për pesë centë (nga 38 centë për kilogram në 33 centë), sheqeri do të lirohej për 10 centë (nga 72 centë për kilogram në 62 centë), ndërsa qumështi do të lirohej për 13 centë (nga 91 centë për litër në 78 centë).

Pa zbutje të pabarazisë nuk ka as zbutje të varfërisë e as rritje të kohezionit shoqëror.

Bruksel, 08 prill 2014

Albin Kurti

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës mbajtur më 10 prill 2014 lidhur me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Në debatet e mëhershme, ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jemi deputetë në Kuvend, kemi shpjeguar dhe arsyetuar rolin e Trepçës në të kaluarën, vlerën aktuale të saj dhe rëndësinë jo vetëm socio-ekonomike por edhe politike për të ardhmen. Trepça e ndarë dhe Mitrovica e ndarë nuk janë dy çështje as të ndara e as të ndashme.

Te Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Ndërmarrjet Publike (NP), së pari, e kanë fshirë dispozitën sipas të cilës Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) i njihet e drejta që për cilëndo NP, e cila gjendet në listën e NP, sipas këtij ligji mund të kërkojë që pjesa e cila do t’i takonte AKP-së si administruese e pronës shoqërore të aneksohet nga lista e NP-ve. Po ashtu, dispozita e Nenit 3.4 vinte pengesa juridike që cilado pronë të jetë transferuar në statusin e ndërmarrjes publike. Me këtë dispozitë i pamundësohej qeverisë që në çfarëdo forme të përvetësonte dhe ndërhynte në statusin e pronës shoqërore, dhe atë përshtatshmërisht ta përkthente në pronë publike e cila në çfarëdo kohe do të mund t’i nënshtrohej procedurës së privatizimit të aksioneve. Pra, kjo ishte dispozitë e cila ishte pengesë ligjore për çfarëdo transformimi të Trepçës, duke pasur parasysh se ajo ka status të veçantë të ndërmarrjes shoqërore nën administrimin e AKP-së.

Dispozitat tjera, të cilat do të futen në Nenin 11 me numrin rendor të paragrafit 3 dhe 4, përkufizojnë se me propozim të qeverisë (propozim i cili nuk është saktësuar se në çfarë procedure do të merret, siç është rasti i vendimit për shitje të aksioneve), Kuvendi mundet që me një vendim – i cili merret me shumicë të thjeshtë – të heqë nga kompetenca e administrimit cilëndo ndërmarrje shoqërorë të administruar nga AKP-ja, apo cilëndo njësi të ndërmarrjes së caktuar. Pra, qeveria do të vlerësojë (zakonisht sipas tregut dhe kjo s’ka të bëjë me propozimin të cilin e procedon pranë Kuvendit), ta marrë rrezikun për gjithë ndërmarrjen, por mjafton që këtë ta bëjë edhe për një njësi te vetme. Në rastin e Trepçës kjo mund të ndodhë kështu: Minierat, flotacionin, fabrikën e pajimeve dhe atë të akumulatorëve ta regjistrojë secilën si shoqëri aksionare/ndërmarrje publike të veçantë dhe të njëjtat t’i regjistrojë si shoqëri aksionare. Kjo nënkupton se, lëre që po përgatitet privatizimi i njësive të caktuara të Trepçës, por edhe copëtimi i saj me qëllim  të uljes së vlerës për t’u përgatitur  shitja e aksioneve.

Edhe nëse në parim nuk do të ishte qëllimi i shitjes së aksioneve të këtyre ndërmarrjeve, duke qenë se do të regjistrohen si shoqëri aksionare, ato e fitojnë subjektivitetin e plotë juridik. Si entitete juridike ato pastaj nuk do të detyroheshin që të kenë raporte kontraktuale me njësi të tjera, por si ndërmarrje të veçanta mund të kontraktonin punën e tyre me cilëndo ndërmarrje tjetër. P.sh. fabrika e akumulatorëve nuk do të ishte e detyruar që për prodhimin e produkteve të saj të furnizohet me repro-material nga minierat e Trepçës (edhe kjo njëjtë si ndërmarrje publike), por këtë furnizim mund ta bëjë me cilëndo ndërmarrje tjetër e cila do ta furnizonte me lëndën e parë. Kështu, mund të shtyhen shumë njësi në falimentimin e tyre, dhe në procedurën e falimentimit do t’iu ulej shumë vlera krahasuar me atë në treg.

Sa jam në dijeni, Kombinati Trepça ishte entitet unik legal. Prandaj, në qarkullimin juridik kombinati ishte i centralizuar dhe nuk mund të vepronin njësitë prodhuese në mënyrë të pavarur. Duke qenë kështu, kombinati e ruante zinxhirin prodhues, duke nisur nga nxjerrja e xehes, përpunimi i saj në lëndën e parë, si dhe përpunimi dhe prodhimi i produkteve finale që nxjerreshin në treg. I gjithë ky proces është bërë nën autoritetin e kombinatit Trepça, dhe jo në mënyrë të pavarur nga secila njësi. P.sh.Trepça Komerc, ishte njësia e cila mbante kontabilitetin e gjithë kombinatit.

Ky ligj ka për qëllim dhënien e së drejtës që Qeveria me propozimin e saj dhe vendimin e Kuvendit ta ndryshojë statusin e ndërmarrjes shoqërore në atë publike, prandaj punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve do t’iu mohohet e drejta në 20% të aksioneve. Trepça ka nevojë për një ligj të veçantë për Trepçën që e konsideron atë ndërmarrje publike të interesit strategjik e kombëtar dhe që e lidh me Kuvendin, e jo një ligj që e lë Trepçën në duart e Qeverisë për ta copëtuar e për ta bërë atë publike pak para se të shitet e për ta shitur.

Ju faleminderit!

Padrejtësia me pesë yje

Nuk është kollaj të jesh qytetar i Republikës. Sepse duhet ta mbrosh republikën si shtet dhe veten si qytetar. Mirëpo, pa e bërë fare këtë, në Kosovë mund të bëhesh e të jesh madje edhe i pari i qytetarëve, p.sh. President apo Kryeministër.

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi nuk e mbrojnë Republikën. Ata nuk duan t’ia dinë që pozitat e tyre vijnë nga Republika si rregullim shtetëror i Kosovës. Presidentja Jahjaga e mendon veten më parë si Presidente sesa si Presidente e Republikës. Njësoj edhe Kryeministri Thaçi.

Prandaj, këta të dy shpenzojnë shumë kohë, energji dhe nerva që t’i mbajnë ato pozita të njëjta në kontrast me mungesën e vullnetit dhe interesit për ta mbrojtur Republikën. Pozitat e tyre mbesin të pandryshueshme për dallim prej Republikës së Kosovës që degradohet në çdo aspekt: politiko-institucional, ekonomiko-financiar, dhe socio-kulturor.

S’kemi si ta kuptojmë ndryshe lehtësinë me të cilën këta pranuan që të bëhet ripërtëritja e EULEX-it në Kosovë edhe për dy vite të tjera. Jo vetëm që nuk po shkon EULEX-i, jo vetëm që nuk po transformohet ai, por, edhe fjala e përzgjedhur që për ta përshkruar ndryshimin është: ripërtërije!

Nëse Republikën e marrim seriozisht janë pesë probleme parimore dhe konceptuale që qytetari i Republikës duhet t’i ketë me EULEX-in, aq më tepër nëse ai apo ajo qytetare është bërë Presidente apo Kryeministër.

Së pari, në rrafshin juridik, EULEX-i si Mision i Bashkimit Evropian (BE) nuk na e pranon Republikën dhe nuk na e njeh pavarësinë e vendit. Institucionet e shtetit të Kosovës e njohin dhe e pranojnë EULEX-in duke u vendosur vetë kështu në një pozitë të nënshtruar. EULEX-i bazohet në Dokumentin e Veprimit të Përbashkët të Këshillit Evropian të datës 4 shkurt 2008 e që hyri në fuqi më 16 shkurt 2008, pra vetëm një ditë para shpalljes së pavarësisë. Kësisoj, EULEX-i është një ditë më i moshuar se pavarësia e Kosovës dhe kjo gjë mund të jetë gjithçka përveçse rastësi.

Së dyti, EULEX-i ka fuqi ekzekutive në Kosovë dhe mbi institucionet e saj e të cilat, për më keq, nuk janë të kufizuara as në kohë e as në gamën e tyre sipas nenit 3h) të Dokumentit të Veprimit të Përbashkët. EULEX-i është qeveri mbi qeverinë dhe kuvendin dhe presidenten e të cilat në këtë fjali s’kemi si t’i shkruajmë me shkronjë të madhe. Ndonëse nuk është votuar nga asnjë qytetar i Kosovës, EULEX-i ndodhet mbi të gjithë përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e qytetarëve.

Së treti, EULEX-i nuk i jep llogari asnjëherë për asnjë gjë as Kuvendit të Kosovës dhe asnjë institucioni tjetër shtetëror, shoqëror apo qytetar. Teksa e mban pushtetin pa dhënë përgjegjësi mbi ata sipër të cilëve ndodhet, gjithsesi kemi të bëjmë me pushtetin si sundim e jo si shërbim. Mungesa kategorike dhe normative e llogaridhënies, paradoksalisht, e bën EULEX-in të ketë të drejtë kur është i papërgjegjshëm. Pra, nuk është çështja se kemi një pushtet arbitrar në funksionimin e tij, por të tillë qysh në qenien e tij.

Së katërti, i gjithë personeli i EULEX-it, aktualisht rreth 1.200 sosh, bashkë me anëtarët e familjeve të tyre, janë të pajisur me imunitet të plotë diplomatik duke qenë të paprekshëm në Kosovë nga çfarëdo ndjekje penale. EULEX-i nuk është vetëm shikim e veprim nga lart por mbrojtje nga çfarëdo shikimi e veprimi mbi të nga poshtë. Me EULEX-in ligji nuk paraqet instancën përbashkuese që na bën të barabartë në shoqëri, por prerjen hierarkike që e ndanë shoqërinë në të paprekshëm dhe të pambrojtur.

Së pesti, EULEX-i operon me paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik e jo atë të të drejtave të qytetarëve dhe të drejtësisë për popullin. EULEX-i është shprehje e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së që e definon veten si operacion i menaxhimit të krizës. Pra, qëllimi është evitimi i shpërthimit të krizës e jo eliminimi i shkaqeve që e prodhuan dhe mirëmbajnë krizën. Në këtë mënyrë, kalimi prej OKB-së te BE-ja dhe, njëkohësisht, prej UNMIK-ut te EULEX-i nuk shënon ndryshim paradigme në Kosovë. Prandaj, peshkaqenët e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit vazhduan të darkojnë me burokratët ndërkombëtarë sepse nevojiten për stabilitet, ndërkaq në burg përfundojnë eventualisht e përkohësisht sardelet që shërbejnë për të fryrë ca statistikat.

Para se të diskutojmë mbi dështimet konkrete të EULEX-it, për zhgënjimet popullore me pritjet ndaj tij, për një miliardë e gjysmë euro të taksapaguesve evropianë të shpenzuara për gjashtë vjet, duhet kritikuar dhe kundërshtuar EULEX-i në pesë pikat e mësipërme për të cilat duhet mbajtur qëndrim. Nuk mund të diskutojmë se çka është e mundshme dhe çka është e pamundshme, çka është e dobishme tash e këtu ose pak më vonë e atje, pa diskutuar njëherë se çka është e drejtë dhe çka është e padrejtë. Nëse duam të jemi qytetarë të Republikës, natyrisht.

Prishtinë, 15 prill 2014

Albin Kurti

Extract from Albin Kurti’s presentation at Carnegie Endowment in Washington DC on April 30, 2014

Kosova has two key problems. First key problem is divided town of Mitrovica. Second key problem is huge unemployment. Key problems are not necessarily big problems. But key problems become big problems when you try wrong solutions. This is precisely what has happened in Kosova. The issue of Mitrovica has been addressed in dialogue with Serbia and almost everything got worse. After local elections in November and December last year, ten municipalities in Kosova are now run by the Belgrade newly founded political party which is called Srpska (obviously alluding to Republika Srpska in Bosnia). In 21st century, Serbia is trying to achieve Greater Serbia by the means of many small Serbias that they call Srpska. Unlike the beginning and the end of 20th century when legally and practically possessing territory was the way of hegemony, nowadays the same is rather attempted by controlling practically the territory that legally is not under their possession.

In general, Albanians are a strong nation with weak states. Serbs are not that strong nation with powerful state. Historically we had the conflict between Albanians as a nation and Serbia as a state. In the Balkans, there can be no war without Serbia and no peace without Albanians.

Mitrovica can and should be united by using socio-economic measures and political and security ones. The division is not to be identified as Albanian/Serb and north/south. There are Serbs in Mitrovica who have been living for decades there and who have nothing to do with parallel structures and they would rather stay in good relations with Albanians than with Serbs who went there after 1999. Then there are Serbs who benefit from parallel structures (pensions, social assistance etc.) but do not participate in them. Then there are Serbs who work for parallel structures in education, health care, culture, social issues etc. And then there are 300 to 400 Serbs who work for notorious MUP – security structures commanded by Belgrade. With these there should be no dialogue and no compromise. Instead of dialogue between Kosova and Serbia we should have dialogue with Serbs of Kosova as citizens of our Republic.

On the other hand, in Kosova we have had always dialogue for fulfilling different international standards but never a dialogue for economic development. Just as financial stability was maintained at the expense of development, likewise the political stability was preserved at the expense of justice. Kosova is not poor and with vast unemployment due to culture of the society, history of the people or geology of its land but due to the wrong economic model. This is the neoliberal model which first installed the principle of privatisation and secondly the principle of infrastrusture, both times at the expense of any comprehensive vision for socio-economic development. What we need is the developmental state where the state does not centralise economy but neither remains a spectator. We shall engage in economic development which focuses in manufacture and reindustrialisation of the country. We don’t need just a new generation of politicians to lead the institutions but we also need a new generation of businessmen, outside and beyond these who got rich in periods of transition.

Kosova is not an EU country, but Kosova is a country of EU. The name of our anthem is ‘Europe’ and entire EU is there: we have a strong European Commission Office, a Special Representative of EU, and, the EULEX – a 1200 staff mission which spends one million dollars per day. Travelling around Kosova you could see everywhere so many different flags in the same place together: the kosovar flag, the Albanian flag, the EU flag, the US flag, the German and British flag etc. typically for a Brussels kind of political being.

While we are being told that our future is safe and secure in EU, our past is at risk more than ever. The attempts to criminalise the liberation war of the Albanians led by Kosova Liberation Army have enhanced like never before. After three years of dialogue with Serbia, we didn’t get even visa liberalisation (I have a diplomatic passport with which I can go only to five countries without visa), and we even got a Special International Court for allegedly crimes of KLA members.

Serbia is convinced that it does not have to choose between Kosova and EU because it can have both: advancing toward EU while not recognizing Kosova and at the same time increasing its control inside Kosova through some sort of Republika Srpska light in north of river Ibër and other Serb majority municipalities. Again, Serbia is convinced that it does not have to choose between EU and Russia because it can have both: last year both Nikolic and Dacic met Putin in their visits to Russia and, including Vucic, they have very good cooperation in particular will Russian Minister of Defense, Sergei Shoigy. It was no surprise that Vucic didn’t condemn annexation of Crimea by Russia. In those EU circles that want to see EU closer to Russia and further away from USA, Serbia is having a priviledged position.

Justice, Democracy and Development should be internal and domestic issues of Kosova while Serbia should be an external and foreign issue. Our government did exactly the opposite of this: Serbia is heavily internal issue and justice, democracy and development became external issues, matters of hope for foreign aid. Reversing this wrong order of things is essential to viable solution for Kosova’s sovereignty and statehood.

Pjesë nga prezantimi i Albin Kurtit në Carnegie Endowment në Washington DC mbajtur më 30 prill 2014

Kosova i ka dy problem kyçe. Problemi i parë kyç është qyteti i ndarë i Mitrovicës. Problemi i dytë kyç është papunësia shumë e lartë. Problemet kyçe nuk janë patjetër probleme të mëdha. Mirëpo, problemet kyçe bëhen problem të mëdha kur të provosh zgjidhje të gabueshme për to. Kjo është saktësisht çfarë ka ndodhur në Kosovë. Çështja e Mitrovicës është adresuar në dialog me Serbinë dhe gati gjithçka është bërë më keq. Pas zgjedhjeve lokale, në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, dhjetë komuna në Kosovë udhëhiqen nga partia më e re e formuar nga e Beogradi, e cila quhet “Serbe” (duke aluduar qartë në Republikën Serbe në Bosnje). Në shekullin 21 Serbia dëshiron ta krijojë Serbinë e madhe, duke i krijuar ca Serbi të vogla që ata i quajnë “Serbe”. Për dallim prej në fillim dhe në fund të shekullit 20 kur posedimi legal dhe praktik i territorit ishte mënyra për ushtrimin e hegjemonisë, në ditët tona e njëjta më shumë tentohet duke e kontrolluar praktikisht territorin, i cili nuk është nën posedimin legal të tyre.

Në përgjithësi, shqiptarët janë komb i fortë me shtete të dobëta. Serbët janë jo aq komb i fortë, por me shtet të fuqishëm. Historikisht ne kemi pasur konflikt në mes të shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet. Në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë dhe nuk mund të ketë paqe pa shqiptarët.

Mitrovica mundet dhe duhet të bashkohet duke përdorur masa socio-ekonomike, si dhe aso politike dhe të sigurisë. Ndarja nuk duhet të identifikohet në shqiptare/serbe apo veri/jug. Ka serbë në Mitrovicë që kanë jetuar aty me dekada dhe që nuk kanë të bëjnë asgjë me strukturat paralele dhe ata më parë duan të rrinë në marrëdhënie të mira me shqiptarët, sesa me serbët të cilët shkuan aty pas vitit 1999. Pastaj, ka serbë të cilët përfitojnë nga strukturat paralele (pensione, asistencë sociale, etj.), mirëpo nuk bëjnë pjesë në to. Mandej, ka serbë, të cilët punojnë për strukturat paralele, në arsim, shëndetësi, kulturë, çështje sociale etj. Dhe, janë 300-400 serbë që punojnë për MUP-in famëkeq – struktura të sigurisë të komanduara nga Beogradi. Me këta të fundit nuk duhet të ketë as dialog as kompromis. Në vend të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ne duhet të kemi dialog me serbët e Kosovës, si qytetarë të republikës tonë.

Në anën tjetër, në Kosovë, ne kemi pasur gjithmonë dialog për t’i përmbushur standardet e ndryshme ndërkombëtare, por asnjëherë dialog për zhvillim ekonomik. Ashtu sikur stabiliteti financiar që është mirëmbajtur në llogari të zhvillimit, njëjtë edhe stabiliteti politik është ruajtur në llogari të drejtësisë. Kosova nuk është e varfër dhe me papunësi të madhe për shkak të kulturës në shoqëri, historisë së popullit apo përbërjes së tokës, por për shkak të modelit të gabueshëm ekonomik. Ky është modeli neoliberal, i cili së pari instaloi principin e privatizimit dhe së dyti principin e infrastrukturës, e në të dyja rastet pa ndonjë vision gjithëpërfshirës për zhvillim socio-ekonomik. Çka na duhet është shteti zhvillimor, ku shteti nuk e centralizon ekonominë, por as nuk rri vetëm si spektator. Ne duhet të angazhohemi në zhvillimin ekonomik, i cili do të fokusohej në prodhim dhe riindustrializimin e vendit. Neve nuk na duhet vetëm një gjeneratë e re e politikanëve për t’i udhëhequr institucionet, por na duhet edhe një gjeneratë e re e afaristëve, jashtë këtyre dhe mbi këta që u pasuruan në periudhat e tranzicionit.

Kosova nuk është vend në BE, por Kosova është vend i BE-së. Emri i hymnit tonë është “Evropa” dhe e tërë BE-ja është aty: kemi një zyrë të fuqishme të Komisionit Evropian, përfaqësuesin special të BE-së dhe EULEX-in, një mision në përbërje prej 1200 njerëzve, i cili harxhon 1 milion dollarë në ditë. Duke udhëtuar nëpër Kosovë mund të shohësh flamuj të ndryshëm, të vënë në një vend të përbashkët: Flamurin e Kosovës, Flamurin Shqiptar, Flamurin e BE-së, Flamurin e ShBA-së, Flamurin Gjerman, Flamurin Britanik, etj. tipike kjo për llojin e qenies politike të Brukselit.

Deri sa neve na thuhet se e ardhmja jonë është e sigurtë në BE, e kaluara jonë është në rrezik më shumë se kurrë më parë. Përpjekjet për ta kriminalizuar luftën çlirimtare të shqiptarëve, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë rritur si kurrë më parë. Pas tre vjetëve të dialogut me Serbinë, ne nuk morëm as liberalizim të vizave (unë kam pasaportë diplomatike, me të cilën mund të shkoj vetëm në 5 shtete pa vizë), por e morëm Gjykatën Speciale Ndërkombëtare për gjoja krimet e ushtarëve të UÇK-së.

Serbia është e bindur se nuk do t’i duhet të zgjedhë në mes të Kosovës dhe BE-së, sepse mund t’i ketë të dyja: përparimin drejt BE-së pa e njohur Kosovën dhe në të njëjtën kohë duke e rritur kontrollin e saj brenda Kosovës, nëpërmjet një Republike Serbe “të lehtë”, në veri të lumit Ibër dhe komunave të tjera me shumicë serbe. Dhe, sërish, Serbia është e bindur që nuk i duhet të zgjedhë në mes BE-së dhe Rusisë, sepse përsëri mund t’i ketë të dyja: vitin e kaluar të dy, Nikoliqi dhe Daçiqi e takuan Putinin në vizitën e tyre në Rusi dhe, përfshi edhe Vuçiqin, ata kanë bashkëpunim shumë të mirë, në veçanti me ministrin rus të mbrojtjes, Sergei Shoigy. Nuk ishte befasi që Vuçiqi nuk e dënoi aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë. Në ato qarqe të BE-së që duan ta shohin BE-në më afër Rusisë dhe më larg ShBA-së, Serbia e ka pozitën e privilegjuar.

Drejtësia, Demokracia dhe Zhvillimi duhet të jenë çështje të brendshme dhe vendore të Kosovës, derisa Serbia duhet të jetë çështje e jashtme dhe e huaj. Qeveria jonë e bëri pikërisht të kundërtën e kësaj: Serbia është thellësisht çështje e brendshme, ndërkaq drejtësia, demokracia dhe zhvillimi çështje të jashtme, çështje të shpresës dhe të ndihmës nga jashtë. Kthimi mbarë i këtij rregullimi të mbrapshtë është esencial për një zbatueshmëri të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch