Home » Kulturë » Ditari i ekonomistit

Ditari i ekonomistit

Mitrush Kuteli

Tiranë 2012

Mitrush Kuteli - libri-2

 

f.207

Dikur (1943) e vizitova Kosovën, këtë kopësht të lulëzuar të Shqipërisë së Jashtëme, dhe shpirti m’u mbush me gaz: në qytet flitej shqip, në katund flitej e këndohej vetëm shqip. A ka gaz më të madh për një njeri, që ka ngrënë njëzet e kusur vjet bukën e mërgimit se sa të “zbulojë” se me të vërtetë ekziston një Shqipëri e jashtëme?

Dhe atëhere, që të mos kthehem me duar bosh nga ky udhëtim, shkrojta një vepërzë: Poemin kosovar. Tani kur m’u thanë pikëzat e lotit të gazit të atëhershëm, e kuptoj  se kjo vepër ka qenë tepër e ashpër kundër jugosllavëve, bile shoviniste, por atëhere unë thosha se e kam për detyrë ta dua popullin që flet gjuhën e nënës sime më shumë se çdo tjetër.

M’u kujtuan çiliminjtë kosovarë, muhaxhirë, të zbathur, të rreckosur, të verdhë që kisha parë më 1925, në Stamboll, nëpër vagonë kafshësh e baranga, që ku do t’i degdisnin për të kolonizuar shkretëtirat e Anadollit, m’u kujtuan sharrxhinjtë kosovarë, njerëz pa tokë, që brithnin “me kryet përdhe- me sharrën në krah- jaban e beter- derë më derë- për një kotherë bukë” nëpër rrugët e rrugicat e Belgradit të kralit, m’u kujtua e ashtuquajtura reformë agrare e Jugosllavisë së vjetër qene, që ua rrëmbeu tokat bujqve të vegjël shqiptarë dhe ua dha t’i bëjnë ferma dhe çifligje fajdexhinjëve, ushtarakëve dhe të tjerëve (‘agrarët, xhandarët, tyxharët- të gjithë tok- u bënë shokë- si sorrat- për kërmë!’) dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’.

E pohoj hapur se kjo vepër është e ashpër, ka shumë të meta, por ka edhe një thelb të vërtetë.

Edhe qymyrguri që nxirret nga toka ka shumë lëndë të huaj, të pavlefshme, por kjo nuk e ndalon të jetë i dobishëm…

 

 

Mitrush Kuteli - libriLibër tjetër

Mitrush Kuteli

Poem Kosovar dhe Poemi i Shëndaumit

Tiranë 2009

 

 

Disa poezi

Kënga e parë

Qendrimi

 

Jam kosovar

pra jam shqiptar:

Zot e krenar,

– Zot e bujar

mbi këtë Dhe

q’e e kam si fe;

 

E kam Vatan!

e kam Atdhe!

Që gjysh stërgjysh,

që brez pas brezi,

që gjithëmon!

 

Ti shkja thërret,

ti shkja bërtet,-

gjer lart në retë;

se jam barbar.

 

Jo, s’jam!

si bërtet ti,

si buçet ti,

ti Mal i Zi.

 

Po Vendin tim e dua,

lirinë e dua,-

e s’dua

zot

mbi mua.

 

Se jam këtu kur s’kish njeri,

kur s’kish kufi

as fqinjëri,

as shkja të zi.

 

Se jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri;

Kur nga një det në tjatrin det

Isha zot vet!

 

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën fushë

e malin mal.

 

Unë jam këtu e do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri!

————————————–

Kënga e dytë

Durimi

 

Ma thonë emrin Asim Qerim

mbetur jetim

që vogëli.

 

Jam si më sheh

e si më njeh;

kësulë-bardh e krye-lidh,

krye-lidh me një shami,

me tri shami;

për trimëri!

 

Jam eshtër-madh,

i vrazhdë jam

e bojalli-

jam’ plot shkëndi,

si batërdi.

Dhe kam uri

-Si s’ka njeri-

Për drejtësi

e për Liri!

 

Si gjithë Asimët

e gjith Qerimët

e Vendit tim.

 

Ma thonë emrin Asim Qerim,

mbetur jetim

që vogëli;

Se babën tim ma vranë

naçallnikët,

podporuçnikët

dhe gllavnikët.

 

ma vranë,

Se urdhër dha Vojvodi

e Krali- vetë;

Të vritet.

Se ishte Kosovar!

Dhe se ish zot

mbi këtë Dhe!

 

Dhe tokën që kisha nga Baba

nga Gjyshi

– rrënjë pas rrënje-

prej qindra vjet,

prej mijra vjet!

ma muarr. Ah!

ma muarr Vatanin

q’e desha si xhanin!

 

Ma muarr

me armë në duar,

– me gjak nëpër duar-

Agrarët!

Xhandarët!

Tyxharët!

Të gjithë tok,

u bënë shokë;

si sorrat!

për kërmë!

 

Oborrin ma muarr

gjer në shtëpi

dhe ngrehnë për vete shtëpi

në sytë e mi!

 

Dhe unë,

ja, unë!

që isha zot

që qëmot;

mbeta pa dhe,

– bujk pa dhe,

bari pa kope-

këtu,

në dherin tim.

 

Dhe plori m’u ndryshk,

Hambari m’u myshk…

……………………………

Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,

durova,-

Sa nuk duron njeri,

as perëndi!

 

Më thanë të shkruhem vojnik

e mynafik

i Kombit tim.

 

Më dhanë armë të vras

vëllanë

sipas kanunit

të gjakut…,

Po s’desha!

Dhe në e bëra,

ma falni;

Se jam gjaknxehtë.

 

Më thanë të ngrihem të ik

ku qielli puthet me dhenë;

Stamboll,

Anadoll,

e më tej!

Se vetëm andej

paska për ne

-Popull pa zot-

vend boll…

 

Po malli i Tokës s’më la,

po malli i Fushës s’më la,

as gjaku i babës s’më la.

 

Dhe mbeta këtu,

i huaj,

– si qen!-

në vendin tim,

të Babës tim…

 

Mbeta raja,

ndënë raja

si për hata;

 

në uri

në qesëndi,

në skllavëri

të shkjaut të zi.

 

Më thanë të ik n’Allbani,

– Vatan i ri

i Kombit tim-

si shkoi Selmani,

Hasani

e Dani.

 

Po dot nga toka s’u ndava,

Dhe mbeta të jem,

ku jam

e ku do të jem!

 

Më thanë të shkoj në sheher

të shkjaut të madh

me sharrën më krah,

me kryet përdhe,

jaban

e beter;

portë më portë

derë më derë

i mjerë

e zemër- sterrë;

për një kotherrë

bukë,

 

Po malli i Vendit s’më la

e mbeta këtu,

raja

ndënë raja

të ha

një bukë- zeher

lagur me lot,

njomur me vrer

dhe të pres!

një tjatër mëngjes.

 

E dit për dit,

e net pas net,

e vjet pas vjet

rrojta

e vojta

kaba

ndënë shkjash;

raja

ndënë raja,

si në hata

si tjatër s’ka!

 

Po prita

dhe prita

të vijë dhe për mua

dita!

 

Tani,

tani,

Liri!

———————————-

Kënga e tretë

Sulmi

 

Ta shemba shkjah kufinë

që ngrite ti

në Vendin tim

e përmbi varr

të Babës tim.

 

Ta shemba

ta dogja;

me zjarrin e shpirtit

të vojtjes

dhe të urrejtjes.

 

Me zemërim

me vrull të madh,

e bubullim

që s’ka mbarim.

 

Se vjete ti më çave

më ndave

më vrave!

armik- lugat!

armik- xhelat!

 

Ti bëre azape:- s’u tremba,

Ti ngrite kufire me gjemba

fortesa ti ngrite;

t’i shemba!

 

Tani,

tani!

atje ku ti

o Mal i Zi!

ngrite kufi

që ndanin

e çanin

vëllazëri;

Hej!

 

sot!

shkon,

e valon

parmenda!

 

T’i bëra të gjitha rrëmujë

dhe ty

gjurma t’u zhduk

si në ujë.

 

Ta shemba armik kufinë

-derë burgu-

dhe është tani

si ish!

-si do të jetë;-

përjetë;

Lëndinë!

————————————

Kënga e katërt

Ndërtimi

 

I bje arës mes për mes

e gjer në brez,

e përmbi brez

humbas

me gas

në grurin tim,

të Dheut tim,

të Babës tim,

të Birit tim;

sot e përpjet,

jetë pas jet!

 

Dhe ndje qysh flet

me zë të qet

im Atë vet

nga balta posht;

 

Të mbroni Dhenë

ku eshtrat kam,

ku hi e tokë

e pluhur jam…

 

Të mbroni Dhenë

që e ushqe’

dhe sot si dje;

me kurmin tim…

 

Ta mbroni Dhenë,

me zjarr ta mbroni,

me gjak ta mbroni.

Të derdhni gjakun

me grushte plot-

po kurrë lot!

as sot, as mot!….

 

Se loti është robëri,

Gjaku: Liri!

 

Jam eshtër-madh

e bojalli

e me japi,

si më sheh ti,

si më njeh ti.

 

Po kam një zemër

në gjoksin tim

që pa pushim

më rreh

si Drim.

Dhe Babën tim kur e kujtoj

Lotoj….

Të pash të vrarë, or Baba,

e pa qefin si për hata,

rreth e përqark me xhandërma.

 

Desha të qaj e s’qava dot,

e të bërtas, s’bërtita dot.

pa asnjë lot, pa asnjë lot.

 

Dhe prita sot të derdh një lot.

————————-

Kënga e pestë

Qendrimi

 

Tani,

tani,

unë jam gati!

të vdes që sot-

se rroj përmot;

mbytyr me gjak

por jo me lot,

për këtë Dhe

që e kam si fe

e përmbi fe.

E kam Vatan!

E kam Atdhe!

 

Hej!

po buças me zë kaba

sa të dëgjohet në qiell la

sa të dëgjojë fund e krej

kush gjak shqiptari ka në dej.

 

Shaban- vëlla!

Destan- baba!

Hej!

 

Komb i lirë kosovar,

ti komb shqiptar,

ti Zot krenar

ti djalëri- ti pleqëri

bëju gati!

Bëhu gati

për vrull të ri;

ta djegësh botën

ta bësh hi;

për Liri!

Për Shqipëri!

 

Tani

tani!

-O Mal i Zi-

ja un,

ja ti!

Po un- jo ti,

se jam këtu kur s’kish njeri

dhe as kufi

as fqinjëri…

 

Un jam këtu kur Mal i Zi

Me Shumadi,

Me Dallmati-

Sa mban e gjitha Shqehëri,

Ish Iliri!

Kur nga një det në tjatrin det

isha Zot vet!

 

Se jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën – fushë

e malin mal.

 

Un jam këtu

e do të jem

– dem baba dem-

Sa mali të bëhet hi

E hiri mal përsëri!

 

1943

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch