Home » Kulturë, Lajme » DITËLINDJA E DRITËROIT: FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE…

DITËLINDJA E DRITËROIT: FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE…

Nga: Murat Gecaj

Dritero Agolli - libri

Nuk është hera e parë, që Shoqata Atdhetare-Kulturore “Devolli”, me kryetar Guri Seferin, organizon e feston ditëlindjen e poetit e shkrimtarit dhe personalitetit  të shquar të kulturës mbarëkombëtare shqiptare, Dritëro Agolli-“Nderi i Kombit”. Një ngjarje e tillë e shënuar mblodhi në sallën “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, anëtarë të kësaj Shoqate, familjarë të Dritëroit, krijues të fushave të ndryshme, mësues e pedagogë, studiues e publicistë, profesorë e akademikë dhe tjerë.

Në këtë mjedis festiv, veprimtarinë për nder të 84-vjetorit të ditëlindjes së Dritëro Agollit, (Menkulas-Devoll, 13 tetor 1931), e hapi Vasil Fundo. Pastaj, për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme krijuese të tij foli bashkëkrahinasi dhe kolegu i tij i pandarë, prof.Alfred Uçi-Akademik. Ai u ndal në pasurinë e gjerë dhe të bukur krijuese, në poezi e prozë, të këtij miku të dashur të njerëzve tanë të thjeshtë, jo vetëm të krahinës së Devollit, por dhe anembanë Shqipërisë.

Veprat e Dritëroit, prof.Uçi i vlerësoi “perla të mrekullueshme, në poezi e prozë”, ndërsa atë e quajti “poet dhe shkrimtar me zemër të zjarrtë”, me ndjeshmëri të lartë morale e qytetare, si ndaj të mirës e të keqes; me dashuri të pakufshme për vendlindjen dhe njerëzit e saj; krijues me shpirt atdhetari, për njerëzit e thjeshtë të punës, si të fshatit e qytetit.

Dritëroi, ka patur dhe ka gjithnjë në jetë, idealin për njeriun e lirë dhe me shpirt e ndjenja demokratike. Ai ishte dhe mbetet përherë, “devolli e shqiptar, kokë e këmbë”. Tashmë, janë bërë proverbiale vargjet e tij: “Dhe ky plis ngaherë ish i fortë,/shkoi në Evropë, brodhi në Azi,/ por kudo, nga flokët e gjer në thonjtë,/ mbeti devolli…”.

Dritero Agolli - foto 1

Nga e majta: Prof. Alfred Uçi, Elona Agolli dhe Guri Seferi…

Prof. A.Uçi, në fjalën e tij,  përmendi disa vepra të D.Agollit, por veçoi përmbajtjen e librave “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”(Tiranë, 1999) dhe “Zhurma e erërave të dikurshme”(tregime dhe novela), të cilin ia dërguan për karton, në vitet e shtetit monist dhe u botua vetëm në vitin 1999!? Janë me dhjetëra veprat e Dritëroit, në poezi e prozë, të cilat janë kaq të njohura për lexuesit tanë. Ndër to, po përmendim vetëm disa: “Baladë për tim atë dhe për vete”, “Devoll, Devoll: Baballarët”(poezi), “Nënë Shqipëri”(poemë), “Trëndafil në gotë” e “Njeriu me top”(romane), “Dhjetë sy” e “Udhëtoj i menduar” (poezi) etj.etj.

Gjithashtu, prof.Uçi solli kujtime vetjake, nga njohjet e lidhjet shumëvjeçare me Dritëroin, i cili i thoshte, që në rini,  se “bukuria është perëndesha e jetës”. Në mbyllje, e uroi me zemër njeriun e mirë, Dritëroin tonë, për shëndet sa më të plotë dhe jetëgjatësi.

Mjaft emoconuese ishte fjala e bijës së Dritëroit, Elona Agollit, si dhe leximi i përshndetjes, që kishte dërguar vetë ai për të pranishmit, në pamundësi ardhjeje në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij. Ndër të tjera, aty nënvizonte se dashuria për Atdheun fillon nga familja e vendlindja, të cilat i ka i patur dhe i ka gjithnjë në mendje e në zemër të tij. Kështu, në përshëndetje ai shprehte respektin e mirënjohjen për tërë Devollin e njerëzit e tij, por dhe për bashkëshorten, Sadijen dhe fëmijët e tyre, Elonën e Artanin.

Dritero Agolli - foto 2

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Kjo festë e gëzuar e ditëlindjes së Dritëro Agollit u shoqërua me këngë e vallë të bukura të krahinës, luajtur me shkathtësi e bukuri, nga ansambli artistik i fëmijëve dhe të rinjëve të Devollit. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht recitimi i disa poezive të Dritëroit, nga artisti i njohur, Dhimitër Orgocka.

Për të ftuarit në këtë veprimtari, u shpërnda edhe gazeta “Devolli”, nr.9(108), shtator 2015, me kryeredaktore Ervehe Barutin.

Të pranishmit e shumtë, në këtë prvjetor të shënuar të ditëlindjes së Dritëro Agollit, i uruan atij me zemër, gjitha të mirat në jetë, si vetjake dhe familjare.

Tiranë, 12 tetor 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch