Home » Lajme, Rajonale » Dokumenti i Brukselit për Asociacionin e komunave serbe?

Dokumenti i Brukselit për Asociacionin e komunave serbe?

Gjatë raundit të shtatë të bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, BE ka ofruar një dokument kornizë për Bashkësinë e komunave serbe për të cilin Qeveria e Serbisë ka thënë se është i “papranueshëm”, për çka edhe arritja e marrëveshjet ndërmjet kryeministrave Daçiq e Thaçi është shtyrë më 2 prill dhe atë më kërkesë të kryeministrit serb i cili pas konsultimeve me zëvendësin e tij Aleksandar Vuçiq kanë vlerësuar se “mospranimi i këtij dokumenti do të ishte pretekst që të fajësohet Serbia”.
Gazeta serbe “Politika” e sjell sot si ekskluzive tekstin e këtij dokumenti si prej disa pikash, ku në fillim thuhet:

Për komunat me popullatë shumicë serbe në do të themelohet Asociacioni (bashkësia) e komunave.

Ato do të përfshijnë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Asociacioni (bashkësia) do të jetë i hapur për cilëndo komunë tjetër e cila do të dëshironte për t’iu bashkuar. Komuna mund të vendos ta braktis asociacionin (bashkësinë) në cilindo moment.

Struktura e asociacionit (bashkësisë) dhe anëtarësia e trupave të tij do të formohen sipas modalitetit të njëjtë, sikurse janë ato nga Statuti ekzistues i asociacionit të komunave të Kosovës. Asociacioni (bashkësia) do të ketë statutin e vet dhe do të regjistrohet sipas procedurave të njëjta.

Në harmoni me Kartën evropiane mbi vetëqeverisjen lokale dhe ligjet e Kosovës, Asociacioni (bashkësia) do të ketë autorizime për të ushtruar punët me interes të përbashkët që bëjnë pjesë në kompetencat e cekura më poshtë të komunave.

Ato autorizime janë sa vijon:
a) zhvillimi ekonomik lokal
b) planifikimi urbanistik e rural
c) përdorimi dhe destinomi i tokës
d) zbatimi i normave mbi ndërtimin dhe standardin e kontrollit të ndërtimit
e) mbrojtja e ambientit të njeriut në nivel lokal
f) sigurimi dhe mirëmbajtja e shërbimeve dhe serviseve publike, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizimin, trajtimin e mbeturinave, rrugët lokale, trafikun lokal dhe sistemin lokal të ngrohjes
g) përgjigje në situatat e jashtëzakonshme në nivel lokal
h) sigurimin e arsimimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore, punësimin, pagimin dhe stërvitjen e arsimtarëve dhe të drejtuesve
i) avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut
j) sigurimin dhe zbatimin publik të mbrojtjes shëndetësore
k) sigurimin e shërbimeve familjare e tjera të shërbimit social sikurse janë: kujdesi për të paaftët, mbikëqyrësit, kujdesi ndaj fëmijëve, kujdesi ndaj të moshuarve përfshirë regjistrimin dhe dhënien e lejeve për këto qendra të kujdesit, punësimin, pagimin e rrogave dhe stërvitjen e e punëtorëve në fushën e mbrojtjes sociale
l) banimin social
m) shëndetin publik
n) dhënien e lejeve për shërbimet dhe institucionet lokale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me argëtimin, aktivitetet kulturore e të lira, ushqimin, strehimin, tregjet, shitjen në rrugë, trafikun lokal publik dhe shërbimet e taksisë
o) dhënien e emrave rrugëve, xhadeve dhe vendeve tjera publike
p) rregullimin e parqeve dhe të hapësirës publike
q) turizmin
r) aktivitete kulturore e të lira
s) çfarëdo qoftë që eksplicit është përjashtuar nga kompetencat e tyre ose u është ndarë ndonjë pushteti tjetër

Kompetencat tjera mund t’i ndahen asociacionit (bashkësisë) nga ana e pushtetit qendror:

a) të dhënat kadastrale
b) librat e amzës
c) listat zgjedhore
d) regjistri i lejeve të vozitjes dhe të regjistrimit
e) ndarja e ndihmës sociale (duke mos llogaritur pensionet)
f) mbrojtja e pyjeve në territorin komunës

Asociacioni (bashkësia) themelohen në afatin e pacaktuar kohor. Mund të shpërndahet vetëm me vendimin e trupave të tij kompetentë dhe në harmoni me procedurat e parashikuara me statut.
Zgjedhjet komunale dot ë organizohen në katër komunat në veri të Kosovës në vitin 2013, me ndihmën e OSBE, në përputhje me ligjet e Kosovës.
/Fahri Musliu – Beograd/RTK/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch