Home » Lajme, Vendore » DOLI NGA SHTYPI NUMRI I RI I REVISTËS “JEHONA”

DOLI NGA SHTYPI NUMRI I RI I REVISTËS “JEHONA”

Doli nga shtypi numri i ri i Revistës “JEHONA”, e cila për lexuesit e saj, sjell tema e materiale nga fusha të ndryshme të jetës sonë politike dhe ekonomike.

“Jehona”, si zakonisht fillon me komentin redaksional: “Shtypi i verdhë”, në të cilin komentohet fushata histerike e mediumeve serbe, të cilat kanë për tendencë krijimin e një klime antitërnocase, të motivuara edhe nga disa deklarata të “nxehta”, të zyrtarëve të Beogradit, për të përligjur aksionet spektakulare të policisë dhe xhandarmërisë kundër Tërnocit.

Me interes për lexuesit, gjithashtu, janë zhvillimet politike dhe kulturore në Luginë të Preshevës, të cilat janë të përmbledhura shkurtimisht përmes Aktualiteteve, si: Bashkimi Evropian financon në Bujanoc, vazhdojnë punimet në Maternitetin e Preshevës, Filip Moris, siguron tregun për prodhuesit e duhanit në Bujanoc, konfiskimi i librave në Raincë të Preshevës etj.

 

“Jehona”, për lexuesit e saj sjell opinione të rëndësishme si: “Shqiptarët të dënuar për të jetuar të ndarë”, pastaj “Librat në rrezik!”, “E mira me bisht!”, “Këmbanat e alarmit”, “paralelizmat e pakrahasueshme” etj.

 

Ky numër i ri i “Jehonës”, gjithashtu sjell portretin krijues të shkrimtares nga Komuna e Bujanocit, Mevlude Abdullahi, me titull: “Stina e verës shpirtërore”. Në këtë portret “Jehona” paraqet opusin e krijimtarisë së kësaj poeteshe të re e cila lexuesve shqiptarë u sjell vlera të mirëfillta të krijimtarisë artistike. Jo rastësisht Qendra Kulturore Kroate „Kultura snova“, nga Zagrebi, ka përzgjedhur autoren nga Bujanoci, për ta radhitur në këtë seri botimesh e shtata me radhë, me titullin simbolik „Dotaknuti stihom“ (Preke vargun), ngase krijimet e poetes Mevlude Abdullahi.

 

“Jehona”, vazhdon me reportazhin me Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, në të cilin përshkruhen të arriturat e saj në fushë të ngritjes së cilësisë së mësimit dhe infrastrukturës. Donacioni turk TIKA ka ngritur një godinë shkollore sipas standardeve ndërkombëtare, me kushte ideale për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në këtë vatër arsimore.

 

“Jehona”, revista e parë dhe e vetme e pavarur në gjuhën shqipe, jo vetëm në Luginën e Preshevës, vazhdon të jetë lidere e gazetarisë së shkruar edhe sot pa ngjyrime e anime partiake, gjithnjë në shërbim të informimit të qytetarëve: drejtë, shpejtë dhe korrekt.

“Jehonën”, mund ta gjeni nëpër Qoshqet e ish “Rilindjes”, në Bujanoc, Preshevë, Gjilan, Prishtinë, Fushë Kosovë e diasporë.

 

Me “Jehonën” jeni më afër Kosovës Lindore, kësaj Dege të ndezur të Arbrit! Lexim të këndshëm!

 

Redaksia

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch