Home » Shëndetësi » Dr Andrea Kleiner – Kujdes zemrën

Dr Andrea Kleiner – Kujdes zemrën

Cilët janë faktorët më të rëndësishëm që sjellin rreziqe për zemrën dhe sulmin në tru?

Kategoria e parë janë faktorët e shmangëshëm me ilaçe dhe mënyra jetese, kategoria e dytë janë ato ta pavarur nga vullneti ynë, pra, të pashmangëshëm.

Në kategorinë e parë hyjnë pirja e duhanit, diabeti, presioni i lartë i gjakut dhe niveli i lartë i kolesterolit në gjak. Mund të shtohen edhe barku i madh apo obeziteti (pra dhjami për rreth stomakut), konsumi i rrallë apo i pamjaftueshëm i perimeve, alkoholi dhe e ashtuquajtura hiperhomocisteinemi.

Në kategorinë e dytë hyjnë trashëgimia (pra, prirja gjenetike për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës), mosha (sa më e madhe, aq më i lartë risku) dhe seksi (burrat, në një farë moshe kanë risqe më të mëdha se gratë që mbrohen nga ostrogjenet deri në menopauzë).

Element për t’u vënë në dukje është që grumbullimi i faktorëve të riskut nuk ka një ndikim shumor por shumëzues. Prandaj të sëmurët që kanë shumë faktorë risku, kanë nevojë për një trajtim intensiv dhe të shumëanshëm, ata duhet t’i kontrollojnë periodikisht të gjithë faktorët e riskut.

Qysh mund të përllogariten dhe të vlerësohen risqet për zemrën dhe enët e saj?

Janë disa algoritme. Më i përdorshmi është Framingham Cardiovascular Risk Score (10 vite). Ai përllogarit, mbi bazën e të dhënave për një pacient (mosha, seksi, presioni në arterie, kolesteroli i tërë, kolesteroli HDL, diabeti, pirja e duhanit, prania e ilaçeve për hipertension), probabilitetin në përqindje, që do pësojë episodin e parë kardio-vaskular (dmth infarktin apo sulmin në tru), brenda një dhjetëvjeçari.

Një algoritëm tjetër shumë i përhapur është i ashtuquajturi Score që bëhet nga Shoqata evropiane e kardiologëve: ky përllogarit në përqindje riskun e vdekjes për arsye të zemrës.

Ka shumë rrjete interneti, psh ai i American Heart Asociation dhe shumë zbatime për telefonat celularë (psh MedCalc) që i kanë këto algoritme, duke mundësuar kështu, për këdo nga ne, të përllogarisë riskun vetë dhe lehtë.

A nevojitet, përveç mjekut të familjes edhe mjeku vetiak i zemrës? Sa shpesh duhen bërë vizitat?

Të gjithë pacientët duhet të marrin informata speciale dhe të sakta lidhur me parimet e parashmangies kardiovaskulare moderne.

Këtë e bën së pari mjeku i familjes vetë, në se merr një arsimin specifik lidhur me këtë.

Kardiologu, por posaçërisht internisti (patologu), për shkak të shumësisë dhe larmisë së elementëve të riskut, mund të sjellë informata plotësuese të rëndësishme.

Për sa i takon shpeshësisë së kontrolleve, kjo varet nga profili vetiak i riskut dhe nga simptomat eventuale. Pacientët me risk më të madh kërkojnë më shumë vëmëndje. Pacienëtt me diabet psh duhet ta bëjnë testin e gjakut dy herë në vit dhe të kërkojnë vlerësimin e specialistit, minimumi një herë në vit. Për pacientët me diabet që kontrollohet keq, shpeshësia e vlerësimit mund të jetë çdo tre muaj.

Ta zemë se testi i gjakut tregon një kolesterol total të lartë. A është kjo diçka shqetësuese?

Duhet të kemi parasysh ndryshimin ndërmjet kolesterolit total (shumor), kolesterolit të mirë (HDL) dhe kolesterolit të keq (LDL). Armiku që ne duhet ta mposhtim është kolesteroli i keq (LDL), pikërisht ai krijon të ashtuquajturën shtresë ateroskleroze.

Mos e quani armik kolesterolin e lartë! Shumë pacientë që kanë kolesterol të lartë, kanë edhe kolesterol të mirë të lartë (HDL). Kështu atyre i del i ulët kolesterolin i keq (LDL) dhe, si rrjedhojë, kanë një risk të vogël.

Prandaj është me shumë rëndësi të përllogaritet niveli vetiak i kolesterolit LDL, i cili nuk përmëndet gjithnjë në rezultatet e testit të gjakut. Niveli i tij mund të përllogaritet me anë të formulës

LDL = kolesteroli total HDL – (trigliceridet/5).

Pas përllogaritjes së kolesterolit LDL, duhet patjetër të kontrollojmë, mbi bazën e faktorëve të ndryshëm të riskut, në cilën kategori risku bëjmë pjesë. Kij parsysh sa vijon:

Nuk ekziston një kolesteromi LDL “normal” përgjithnjë dhe për të gjithë e vlefshme.

Te pacientët e shëndoshë kolesteroli LDL ideal duhet të gjendet nën 130 mg/dl. (sipas kritereve ndërkombëtarë të ATP III), por te pacientët me diabet (me risk më të lartë) niveli i kolesterolit LDL duhet të jetë nën 100 mg/dl ndërsa te pacientët që kanë kaluar një episod kardiovaskular, si infarkti, nën 70 mg/dl.

Në përgjithësi vlen parimi i mëposhtëm:

Sa më i ulët është kolesteroli LDL, aq më mirë është, por pa uljen e tij nën 10 apo 15 mg/dl, (që është e nevojshme).

Disa ndjekin një dietë shumë të kufizuar, kanë hequr bulmetrat dhe mishin e kriposur. Megjithatë kolesteroli nuk ulet. Përse?

Shumica e kolesterolit që qarkullon në gjakun tonë prodhohet nga mëlçia. Vetëm 10 %, maksimumi 15 % e kolesterolit varet nga ushqyerja jonë. Prandaj, pavarësisht dietave të kufizuara, përqindja që ne vetë mund të përpiqemi disi ta ulim është vetëm 10-15 %.

Çfarë janë statinat?

Janë ilaçe, që vijnë nga myqet. Këto ilaçe veprojnë si frenues të enzimës HMG-CoA. Kjo enzimë është e dobishme për sintezën e kolesterolit nga mëlçia. Duke e frenuar këtë enzimë, statinat pakësojnë prodhimin e kolesterolit nga mëlçia. Statinat pakësojnë posaçërisht kolesterolin LDL (dmth atë të keq) me ndikim që varet nga tipi i statinës (sipas rendit të fuqisë: pravastatina, fluvastatina, lovastatina, simvastatino, otorvastatina, rosuvastatina, pitavastatina) dhe nga doza.

Varësisht nga lënda dhe dozimi i saj, ne arrijmë ta pakësojmë kolesterolin në masën 30-35 %.

Në ç’mënyrë statinat mundësojnë shmangien e episodeve kardiovaskulare?

Statistikisht niveli i kolesterolit LDL është në përpjestim të drejtë me numrin e episodeve kardiovaskulare. Lidhja ndërmjet kolesterolit LDL dhe episodeve kardiovaskulare është pikërisht një lidhje drejtvizore: përllogaritet që, falë pakësimit të kolesterolit në 39 mg/dl, vrojtohet një pakësim 22 % i episodeve kardiovaskulare, pavarërisht nga kolesteromia fillestare (para terapisë).

Statinat janë ilaçe shumë të mira dhe me ndikim në pakësimin e riskut, sepse ata e shpartallojnë kolesterolin LDL. Ato kanë edhe një veti shtesë, dmth një ndikim “pleiotrop”: ndryshe nga produket e tjera, statinat veprojnë kundër inflamacionit në endoteli (shtresa e vazave) dhe ato stabilizojnë shtresën  ateroskelerotike.

Këto ilaçe, pra jo vetëm që pakësojnë kolesterolin e keq në situata që kërkohen, por kanë edhe veti kundër inflamacionit dhe veti mbrojtëse.

A janë, pra, statinat ilaçe shumë të mira, pa risqe? Nuk kanë ato ndikime anësore?

Statinat janë ilaçe me një profil sigurie shumë të lartë. Disa statina të brezit të fundit- si rosuvastatina- kanë një profil sigurie, praktikisht të barabartë me atë të placebës. Si çdo molekulë tjetër, statinat  vetë mund të kenë disa ndikime anësore. Ato më të zakonshmet (1-2 % të rasteve) parashohin dhimbje muskulore të përhapura, kundër të cilave mjafton të ndryshojmë tipin e statinës.

Në përgjithësi, këto dhimbje zhduken në javët e para të terapisë, mund të lokalizohen keq (prandaj thuhet “përhapen”), varet nga dozimi (me përjashtim të atorvastatinës) dhe zhduken kur ndërpritet terapia.

Ndikimi anësor më i rëndësishëm i statinave është e ashtuquajtura rabdomioliza, dmth një sëmundje që shkatërron muskujt. Është fjala për një ndikim tepër të rrallë (një rast në 455 000 pacientë) me një sasi vdekjesh akoma më të ulët (1: 1 500 000).

Statinat i kanë akuzuar edhe për provokimin e kancerit, por bëhet fjalë për një “legjendë qyteti”, për një thashethem, plotësisht të pakonfirmuar nga shumë kërkime shkencore.

Statinat përkundrazi mund të shtojnë (ndonëse pakëz) rastet e tjera të diabetit (tipi 2), sepse ato duket se provokojnë një rezistencë të një lloji të veçantë ndaj insulinës. Ky risk, që ato mund të shkaktojnë diabet, është sidoqoftë, i neglizhueshëm në krahasim me aq shumë ndikime të mira, që sjell terapia.

Në lidhje me statinat, një aspekt shumë i rëndësishëm socikulturor, krejt i paneglizhueshëm, është ndikimi i nocebos, dmth i “vëllait të keq” të ndikimit, të placebos. Është fjala për simptoma që shfaqen, për shkak të vetëbindjes vetëm psikologjike, te pacienti, që pret pikërisht këto simptoma. Sepse, për shumëkënd është e njohur, që statinat mund të dëmtojnë muskujt, shpeshësia e kësaj simptome, tek personat psikologjikisht me paraprirje, mund të jetë jashtëzakonisht e lartë. Sipas disa kërkimeve, 25 % e pacientëve, që nuk i tolerojnë statinat, këtë e bëjnë për shkak të ndikimit të nocebos, për shkak të skepticitetit të vet.

A është e vërtetë se kurimi, që në rini, është i dëmshëm për mëlçinë, sepse kjo i rrit transaminazat?

Zakonisht jo. Statinat janë jashtëzakonisht të sigurta nga pikëpamja e mëlçisë dhe në 98 % të rasteve nuk shkaktojnë ndonjë dëmtim të mëlçisë. Rrallë ka mundësi, megjithatë, që të përjetohet  një rritje efektive e ndjeshme (tri herë) dhe kokëfortë e transaminazave, dmth të treguesve të dëmtimeve të mëlçisë. Në këto raste, terapia me statina duhet ndërprerë dhe më pas të ndërrohet me një tip tjetër statine.

Dëmtimi i mëlçisë për shkak të statinës (një fakt relativisht i rrallë) duhet të dallohet nga i ashtuquajturi “transaminit’, me fjalë të tjera, nga rritja e përkohëshme dhe krejt jo shqetësuese e transaminazave, që ndodh shpesh në fillim të terapisë. Në disa raste, në fakt, pakësimi i përmbajtjes me kolesterol në membranën lipide të cipës së mëlçisë bën që të fillojë të qarkullojë një numër më i madh transaminazash. Është fjala pra për hepatitin e dukshëm (jo të vërtetë), pa ndonjë domethënie klinike dhe që do kalojë vetë.

Diçka që pak pacientë e dinë, është se statinat tregojnë një ndikim, madje, mbrojtës të mëlçisë! Pravastatina, atorvastatina dhe rosuvastatina, në fakt, duke pakësuar steatosin e mëlçisë, mund të pakësojnë nivelin e steatohepatitit dhe kështu edhe transaminazat.

Ç’mund të thoni për prodhimet që reklamohen në televizion, si kosi dhe bulmetra të tjera të pasuruara me sterole perimore ose për pilulat me hudhër ose për orizin e kuq të fermentuar?

Ka prodhime që efektivisht janë të aftë ta pakësojnë kolesterolin LDL, por me më pak ndikim se sa statinat. Nuk ka, nga ana tjetër, prova shkencore, që ato që në italisht quhen “nutraceutici” pakësojnë, përveç se kolesterolin, edhe numrin e episodeve kardiovaskulare. Me fjalë të tjera, ato vetëm në dukje e pakësojnë kolesterolin, nga pikpamja sasiore, por rerziqet vetë, si infarktin, nuk i ulin paralelisht.

Ne në të vërtetë, ne nuk duam thjesht të gjejmë shifra të vogla në rezultatet e analizave të gjakut: ne duam, që këto shifra t’u përgjigjen pakësimever efektive të rreziqeve kardiovaskulare. Pikërisht, prandaj këto produkte nuk rekomandohen nga linjat drejtuese ndërkombëtare. Ky është ndryshimi bazë ndërmjet statinave dhe lëndëve të tjera natyrore.

Statinat kanë treguar një pakësim efektiv dhe të kolesterolit LDL dhe (gjë që është më e rëndësishme) të rreziqeve nga episodet kardiovaskulare. Të ashtuquajturat “nutraceutici” vetëm se e pakësojnë (dhe jo në mënyrë të ndjeshme!) kolesterolin LDL. Duhet t’u kujtojmë pacientëve, se qëllimi i mjeksisë nuk është të përmirësojnë në dukje, estetikisht dhe pakëz testin e gjakut. Deri tani, produket natyrore është provuar se bëjnë vetëm atë.

Mos vallë ilaçet kopje janë më pak efikase se sa ato të markave me emër? Përse ato jamë më të lira?

Teorikisht ilaçet kopje janë njësoj efikase si dhe ato zyrtare, sepse përmbajnë të njëjtin parim aktiv. Në disa raste, megjithatë, mund të vrojtohet një përthithje e ndryshme e ilaçit për shkak të përbërjes së ndryshme kimike, nga pikëpamja ekscipinete (bashkëvendosjes). Ndikimi i ilaçit duhet të çmohet në çdo rast të veçantë. Lidhur me çmimet, ato kopje janë më pak të shtrënjta, sepse është fjala për ilaçe që nuk janë të mbrojtura ende nga një patentë. Ato mund të jenë prodhuar në shumë kompani dhe të përhapen më shumë në treg, me një ulje, si rrjedhojë, të çmimit.

Kur duhet të na shqetësojë presioni i gjakut?

Individët e shëndetshëm duhet ta kenë presionin e gjakut jo më të lartë se 140 mmHg, pavarësisht nga mosha dhe seksi. Në se një pacient konstaton për një kohë të gjatë vlera të presionit të gjakut më të larta se 140 mmHg, mund të flasim për hipertension dhe patjetër duhen marrë mjetet kundra tij, të përshtatshme, për ta shmangur që shtypja arteriale ta dëmtojë organizmin.

Kur duhet matur presioni i gjakut?

Presioni i gjakut duhet matur, mundësisht, herët në mëngjes, para vaktit të mëngjesit, 5-10 minuta pas zgjimit, në kushtet e një qetësie emocionale. Është më e vështirë t’i interpretosh të dhënat, kur përkundrazi e masim presionin, pas vaktit të mëngjesit ose madje gjatë një gjendje të eksituar. Në këto raste. presioni priret të jetë natyrisht më i lartë.

Matja e presionit me metodën e duhur është, pra, shumë e rëndësishme për të pasur një tabllo klinike të qartë dhe për të shmangur terapitë, mundësisht, të panevojshme. Prandaj rekomandohet ta masim presionin pikërisht siç u sqarua më sipër, por edhe të mbajmë në shtëpi një ditar të presionit, ku mund të shkruajmë presionin vetiak arterial për një kohe mjaft të gjatë (madje shumëjavore). Vetëm pas kësaj, në rast se konfirmohet hipertension, të nisim përdorimin e ilaçeve eventuale.

Si ta mbajmë të ulët presionin e gjakut?

Para së gjithash, duhet të ndjekim një mënyrë jetese si duhet: ta pakësojmë peshën (sidomos pacientët e trashë ose barkmëdhenj), të bëjmë pak sport (me ushtrime aerobike), ta pakësojmë konsumin e kripës. Në disa raste, këto zgjidhje nuk mjaftojnë, dhe duhet patjetër një terapi me ilaçe.

Sa varet rreziku i infarktit dhe i sulmit në tru nga pirja e duhanit?

Të pirit e duhanit e dëmton endotelinë. Kur endotelia nuk funksionon mirë, vaza e gjakut mundëson formimin e shtresës aterosklerotike. Të pirit e duhanit favorizon gjithashtu trombozën dhe agregatin platetik dhe ka një ndikim jodilatativ. Si rezultat, është fjala për një katastrofë të vërtetë! Prandaj nuk ekziston një numër i sigurt cigaresh që mund të pihen.

Të pirit e duhanit është faktor risku kaq i madh, sa edhe një cigare në ditë është e aftë ta dëmtojnë vazën e gjakut. Si shtesë, pavarësisht nga aspekti i zemrës, të pirit e duhanit është një nga faktorët më të mëdhenj të riskut për kancerin.

Cilat janë simptomat më të zakonshme në rastin e infarktit dhe sulmit në tru?

Një simptomë tipike është dhimbja e gjoksit prapa sternumit, që përshkruhet nga pacientët si dhimbje shtrëngues apo shtypëse. Dhimbja mund të përhapet në të dy krahët, drejt qafës dhe drejt pjesës së poshtëme të nofullës dhe zakonisht zgjat shumë. Kjo dhimbje nuk ndryshon nga pozicioni i trupit, nga frymëmarrja dhe nga lëvizja e gjoksit. Dhimbja priret të zhduket, zakonisht, pas përdorimit të nitrateve (ilaçe vazodilatative) dhe shpesh atë e shoqëron një djersitje e tepërt, takikardi, zbehje, neveritje.

Jo gjithnjë, megjithatë, tablloja klinike është kaq e qartë. Nga një here, infarkti ndodh dhe dikush mendon për një keqtretje të thjeshtë. Ia vlen të kujtojmë që rreth 25 % e infarkteve janë krejt pa simptoma për pacientin.

Çfarë duhet bërë në se ndonjë familiar i yni apo mik ka të tilla simptoma gjatë pranisë sonë, psh gjatë pritjes së ambulancës?

Në se një pacient me risk kadiovaskular ka simptoma tipike, gjëja më e mirë që duhet bërë është ta ulim atë (jo ta shtrijmë, për të shmangur rishpërndarjen e lëngjeve, që qarkullojnë në rrjedhën zemër-mushkëri) dhe të thërrasim ambulancën. Në se pacienti ka mësuar të marrë nëngjuhë nitroglicerinë (është fjala për nitrat me ndikim të menjëherëshëm), këtë ilaç ai duhet ta marrë në pritje të ardhjes së ndihmës. Çështja më e rëndësishme është, megjithatë, të thërrasim një ndihmë speciale sa më shpejt.

Cili është ndryshimi ndërmjet elektrokardiogramës në qetësi dhe në gjendje stresi?

E para regjistron veprimtarinë bazë elektrike të zemrës. E dyta është e dobishme, në të kundërt, për të parë ndryshimet eventuale të grafikut të kardiogramës në situara të stresit të qarkullimit të gjakut dhe të nevojës në rritje për oksigjen nga ana e zemrës.

Zakonisht ekzamenimi i dytë rezervohet për pacientët për të cilët hamendësohet një koronarit i fshehtë ose për ata që hamendësohet një aritmi e provokuar nga stresi fizik.

Përse atletët, megjithë kontrollet e shpeshta dhe speciale, disa herë dështojnë dhe ata vdesin befas gjatë garave?

E ashtuquajtura vdekje e papritur e atletëve është një problem, që vështirë që mund ta zgjidhim në të ardhmen plotësisht, megjithë kontrollet tepër të sakta që bëhen. Shumë nga këto vdekje ndodhin, në fakt, jo për shkak të infarkteve- dmth për shkak të trombozës së angjinës koronare ose ndalimit të rrjedhës së gjakut për në zemër- por për shkak të aritmive, pikërisht mospërsosmurive në lidhje me gjenezën dhe /ose përcjelljes së impulsit elektrik në zemër.

Nga një here, këto aritmi mund të diagnostikohen herët. Me ekokardiografi, psh, mund të zbulohen keqformime strukturore të zemrës. Aritmitë e tjera mund të zbulohen drejtpërdrejt me elektrokardiografi. Në raste të tjera, me keqardhje këto “mospërsosmuri elektrike” mbeten të fshehta dhe të panjohura. Dhe herë herë shfaqja e parë e këtyre aritmive është pikërisht ajo që provokon vdekjen.

Dr Andrea Kleiner

Udine, Itali

Përktheu nga Esperanto, Bardhyl Selimi

(Marrë nga revista Monato, dhjetor 2013)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore