Home » Lajme, Sport » Dr. Muhamet Malo – Nderi i Kombit shpallet “Qytetar Nderi” i Kolonjës

Dr. Muhamet Malo – Nderi i Kombit shpallet “Qytetar Nderi” i Kolonjës

Nga Ramiz LUSHAJ

Ky fillim maji 2019 erdhi me një event solemn e festiv në qytetin e Ersekës, në sallën e Bibliotekës “Skënder Luarasi”: Këshilli Bashkiak  i dha titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kolonjës (pas vdekjes) dr. Muhamet Malos (13 maj 1957 – 7 mars 2017), një ndër filantropistët, veprimtarët e biznesmenët e njohur të kombit shqiptar, shpallur vitin e kaluar me Vendimin nr. 69 të 24 shtatorit 2018.

Në këtë veprimtari ceremoniale ishin të pranishëm Familja e nderuar e Muhamet Malos; të afërm të tij, bashkëpunëtorë e miq të kahershëm e të përhershëm të tij në vitet e shkollës, sportit, biznesit, bamirësisë, masmediave (TeleSporti, gazeta “Kolonja”,etj.), të Shoqërisë Civile (KOKSH, ACABS, I.S.H. “Lumo Skëndo”, AMSH, Federata e Mundjes apo “Vllaznia e Mundjes”, siç thoshte M. Malo, etj.), të Botës Akademike, Diplomatike e Letrave Shqipe. Kishin ardhur aty nga qyteti i Ersekës, bashkia e Kolonjës e Qarku i Korçës; nga Tirana, Tropoja e Çamëria, nga Berati, Elbasani…nga e gjithë Shqipëria dhe nga  diaspora shqiptare e Amerikës dhe Europës.

Nderonin me praninë e tyre edhe Kryetari i Bashkisë së Kolonjës z. Ilia Stefo; kryetari i Këshillit Bashkiak z. Ilirian Hyseni;  deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Fidel Ylli; presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Viron Bezhani; Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Michigan-SHBA, z. Ekrem Bardha i Kolonjës; kryetari i Shoqatës “Kolonja”, z. Dragush Butka; drejtori i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, z. Uran Butka i Kolonjës–“Artist i Merituar” e “Mjeshtër i Madh”; drejtori ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, z. Ramiz Lushaj, gazetar e studiues; dhe shumë të tjerë.

Fjalë hapje e moderim të veprimtarisë i mbajti suksesshëm e lartësisht prof. dr. Përparim Kabo, pedagog universitar i shkencave filozofike, analist, krijues, veprimtar elitar, ndër miqtë e mirë të të ndjerit, të përkujtuarit e të paharruarit, Muhamet Malo.

Në këtë ditë të shënuar, përgjatë këtij aktiviteti të veçantë, meritor e vleror, sollën përshendetje, mirënjohje, kujtime e vlerësime për humanistin e biznesmenin, dr. Muhamet Malo-Nderi i Kombit e “Qytetar Nderi” i Kolonjës, “Mjeshtër i Sportit”, “Ambasador i Paqes”, disa personalitete, bashkëpunëtorë e miq të Tij: Z. Ekrem Bardha–Konsull Nderi i Shqipërisë në Michigan-SHBA, filantropist e biznesmen i njohur shqiptaro-amerikan, lobues i shquar e kontributor i madh i Çështjes Kombëtare Shqiptare në Amerikë; bashkëthemelues i KKSHA, ish-pronar i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në Neë York, i dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medalje Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës”; Z. Uran Butka, i biri i Safet Butkës e nipi i Sali Butkës, “Qytetar Nderi” i Qarkut të Tiranës e i Postribës antikomuniste; ish-deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar e historian, i nderuar në vitin 2013 me Çmimin “Pena e Argjentë në Letërsi”; Z. Nuri Dragoi i Qendrës Albanologjike në Tiranë, doktor i shkencave, historian e publicist i njohur, që ka dorëshkrimor një vepër monografike për Muhamet Malon; Z. Agim Fagu, ish ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Mjeshtër i Sportit, ish-president  i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”; Z. Fidel Ylli, deputet i PS-së për Qarkun e Beratit në Kuvendin e Shqipërisë, “Mjeshtër Sporti”, kampion kombëtar në sportin e mundjes e xhudos, biznesmen, veprimtar politik e shoqëror; Z. Dragush Butka-kryetari i Shoqatës “Kolonja”; Z. Jorgji Qirjako i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë; Z. Kristaq Laka, gazetar veteran i shtypit shqiptar, kryeredaktor i gazetës “Kolonja”; Z. Besnik Meta, ish-bodiguard, shoqërues e bashkëpunëtor i Met Malos, poet, publicist, autor i disa librave si “Unë, gardiani i Ramiz Alisë”(Neraida, 1999), i një vepre në proçes dorëshkrimor për të madhin e të mirin Met Malo, i cili dha një falenderim për shefin e tij e i recitoi dy poezi të tij tematike për aktivitetin; Z. Ilir Kadia, shkrimtar, gazetar i BBC-së të Londres për një çerek shekulli, ish këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, dr. Sali Berisha, autor i disa librave, mik që në vitet shkollore me Muhamet Malon, njeriun kontributor dhe për dijen, për arsimin e shkencen shqiptare.

Në përmbyllje të veprimtarisë elitare përshendeti dhe biznesmeni i ri Enklajd Malo–i vlerësuar edhe Presidenti i Amerikës, Donald Trump, me Çmim “Për Arritjet e Tij Jetësore” (2017) duke i faleminderue të pranishmit e të gjithë folësit për fjalët e kujtimet e tyre për babain e tij, Njeriun e Mirë, Muhamet Malo-Nderi i Kombit.

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës z. Ilia Stefo e kryetari i Këshillit Bashkiak të Kolonjës, z. Ilirjan Hyseni, i dorëzuan titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kolonjës, bashkëshortes, znj. Miranda Malo, një zonjë e vërtetë, e përkushtuar në bizneset e Familjes Malo e në bamirësi, e cila iu shprehu Mirënjohjen e Saj për këtë vlerësim të lartë që vendlindja i ban bashkëshortit të saj dinjitar, Muhamet Malo, duke e çmuar këtë titull si nder e nderim të madh.

Në motivacionin e titullit “Qytetar Nderi” i Kolonjës, fjalathuhet për Muhamet Malon: “Për kontributin e tij të shquar në financimin e vazhdueshëm të veprave letrare e artistike, të veprimtarive kulturore e sportive, të institucioneve studimore e fetare, të botimeve e veprave bamirëse. Si njeri zemërmadh dhe si një biznesmen i suksesshëm i karekterizuar nga ndershmëria e korrektësia, si dhe nga dashuria e veçantë për Kolonjën dhe njerëzit e saj”.

Veprimtaria u përmbyll mirësisht me një këngë kushtimore për djalin e Kolonjës, Muhamet Malon, kënduar nga Grupi “Sazet Kolonjare”.

Njeriu i Mirë e biznesmeni i suksesshëm e humanist Muhamet Malo është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes, maj 2017), për nga rendi e randësia e treta dekoratë në Shqipëri, ndërsa kohë më parë, në gjallje të tij, ishte dekoruar me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”.

Presidenti Amerikan Barak Obama e ka nderue më 2016 me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpermjet shërbimit vullnetar…”.

Kohë ma herët, më 2014, Muhamet Malo, u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa” si dhe me “Çmim për Paqe, Prosperitet dhe Sporte”; me çertifikimin nderues “Lidershipi më i mirë në biznes”; me titullin “Ambasador i Paqes”.

Muhamet Malo është President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë prej vitit 2002, e cila e vlerësoi në 60-vjetorin e lindjes (13 maj 2017) me Çmimin e Madh “Konica”, dorëzuar nga presidenti i ACABS, dr. ambasador Islam Lauka, në një ceremoni të vecantë në “Dajti Tower Belvedere Hotel” në Parkun Kombëtar të Dajtit në Tiranë, që ka për administratore vajzën e tij të shkolluar në Londër, znj. Migena Malo, biznesmene e re dhe e suksesshme.

Muhamet Malo, sportisti i klubit “Studenti” e “Partizani”, ishte Kampion Kombëtar në Mundje Klasike (1982-1990), u nderua me titujt: “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; u zgjodh President i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-1996); President i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (viti 2005); President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes (2008…), etj.

Atdhetari, humanisti e biznesmeni Muhamet Malo është nderue dhe me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare (AMSH); me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (AFCES); etj.; me disa medalje si Medalja “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Medalja “Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër”; Medalja “Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë”, etj.

Atdhetari Muhamet Malo është i origjinës nga një familje atdhetare nga Skorovoti  i Kolonjës, i Sefer Malos, me kontribute për vendin e tij, i njohur për mirë si “Paqja mbi Dhé…”, etj.; kurse nana e tij vjen nga Aliçkajt, të origjinës atdhetare nga Frashëri në Përmet, nga Frashërllinjtë e Përmetit.

 Biznesmeni Muhamet Malo e ngriti në Tiranë me mjaft sakrifica “perandorinë” e tij të biznesit të suksesshëm, si: Teleferiku ‘Dajti Ekspres” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe restorantin “Ballkoni i Dajtit”; Televizionin e vetëm sportiv “TeleSport”, etj., që po e administrojnë bashkëshortja e tij Miranda, djali Enklajdi e vajza Migena, djali tjetër Hawardi, krejt Familja Malo.

Muhamet Malo ishte e mbetet një shqiptar i madh, patriot i ndershëm, i drejtë, i sinqertë, besimtar bektashi, humanist njerëzor, për të cilin Familja e tij e madhe ishte Shqipëria Natyrore, Shqipëria e Shqiptarëve. Ai ka ndihmuar në sporte, kulturë, letërsi, arte, masmedia, njerëz e familje në nevojë, etj. Gjithkund. Gjithkënd. Gjithmonë. Si rrallë kush, përndryshe: si i veçanti Muhamet Malo.

Presidenti i Shqipërisë, Nishani, e ka cilësue më 2017 si “hero modern”, ndërsa Presidenti i Amerikës, Barak Obama, në Letrën Përcjellëse të Shtëpisë së Bardhë (v. 2016) drejtue atdhetarit, humanistit, veprimtarit e biznesmenit Muhamet Malo, i thoshte, ndër të tjera:“Përgëzime për marrjen e çmimit të Presidentit për shërbime vullnetare. Gjithashtu ju falenderojmë për ndihmesën e dhënë në adresë të komunitetit tuaj për nevojat më të ngutshme…Në adresën time përuruese, deklaroj se ne kemi nevojë për një periudhë të re të përgjegjësisë, …se ne kemi detyrën për veten tonë, kombin tonë dhe për botën”.

Atdhetari e humanisti i madh, biznesmeni e veprimtari i suksesshëm kombëtar, dr. Muhamet Malo–Nderi i Kombit, kur po e ndjente ikjen nga kjo jetë e la një amanet që trupi i tij të prehej: “Vetëm në Shqipëri, vetëm në Shqipëri, vetëm në Shqipëri” dhe iku nga kjo botë me fjalët e tij plot dritë e shpresë: “Shqipëria do të bëhet…”.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch